.

.

BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingE-Albania/95% e shërbimeve kaluan online, por qytetarët hasin probleme

E-Albania/95% e shërbimeve kaluan online, por qytetarët hasin probleme

Ofrimi i të gjitha shërbimeve për dhënien e dokumentave online, e ka vështirësuar marrjen e tyre sidomos nga moshat e treta. Pak ditë pas hyrjes në fuqi të këtij urdhëri në 1 maj, Faktoje bëri një vëzhgim në zyrat e gjendjeve civile në disa qytete. Edhe pse kryeministri Rama deklaroi se shërbimi online do t’i jepte fund ryshfetit, konstatuam raste kur qytetarët ishin gati të ofronin para vetëm që dikush të bënte kërkimin online apo regjistrimin ne e-albania për të mundësuar marrjen e dokumentit.

 

Nga data 1 maj të gjitha shërbimet për dhënien e dokumentave kaluan online. Për çdo dokument, sipas vendimit të qeverisë, qytetarët duhet të aplikojnë në faqen e E-albania, për të marrë një përgjigje që iu vjen vetëm në mënyrë elektronike dhe me vulë digjitale.

“Nga nesër s’ka më sportele! S’ka më radhë! S’ka më orare! S’ka më as edhe një arsye në botë për të dhënë ryshfet për marrjen e një dokumenti shtetëror! Nga nesër, shërbimi i dokumentave vetëm në e-albania”-shkruante Kryeministri Rama në profilin e tij në Facebook në datën 1 maj.

Postimi i Kryeministrtit Rama në datën 1 maj 2022

Ndryshe nga ajo që parashikohej qytetarët kanë pasur vështirësi në përdorimin e  këtij sistemi për një sërë arsyesh, duke nisur nga pasja e një smartphon apo kompjuteri të lidhur me internet, mjete të cilat jo të gjithë i kanë në dispozicion . Një element tjetër që disfavorizon përdorimin e këtij sistemi është mosha e qytetarëve, pasi më të moshuarit e kanë thuajse të pamundur për shkak të kufizimit që ata kanë në përdorimin e internetit. Këtë e dëshmojnë qytetarët të cilët komentojnë në të njëjtin postim të Kryeministrit Rama.

Për të pasur një ide sesi qëndrojnë grupmoshat e popullsisë në vendin tonë më poshtë jepen të dhënat nga INSTAT të cilat janë publikuar në janar të këtij viti.

Popullsia sipas grupmoshave INSTAT

Të gjitha këto problematika u ngritën edhe  nga vetë gjendjet civile në disa qytete të vendit ku Faktoje bëri vëzhgimin.

Kukës

Në zyrën e shërbimeve të gjendjes civile të Kukësit Faktoje u informua se tashmë janë vetëm dy punonjës në zyrë për t’i informuar qytetarët sesi mund të përdorin sistemin e ri të shërbimeve online. Në të njëjtën ditë pamë se kishte shumë qytetarë të cilët prisnin përpara zyrës për të marrë ndihmë, e cila jo gjithmonë ofrohej. Bëhej fjalë për qytetarë të moshës së tretë të cilët nuk dinin sesi të hynin në sistem për shkak të mungesës së njohurive në përdorimin e smartphone dhe internetit.

Zyra Adisa Kukës

Elbasan

Nuk mund të themi se çdo gjë ka shkuar mirë 100% që nga dita e parë që shërbimet kaluan online. Po përmend vetëm si faktor ngarkesën e rrjetit i cili ka rënë disa here!

Kjo problematikë u soll nga një prej punonjesve të Gjendjes Civile në qytetin e Elbasanit e cila thotë se pavarësisht se nisma është shumë pozitive ka pasur vështirësitë e  veta dhe kjo lidhej kryesisht me moshat e treta të cilat nuk dinin të përdornin internetin e  aq më pak të hynin në E-Albania për të marrë shërbime.

“Vijnë këtu na kërkojnë ndihmë dhe shumicën e rasteve e bëjmë nga ana njerëzore, pasi e vetmja gjë që duhet të bëjmë zyrtarisht është t’i orientojmë që ekziston një portal.”

Punonjësja na informon se një masë tjetër që ky institucion ka marrë, sidomos kur bëhet fjalë për zonat rurale është vendosja në dispozicion e dy punonjësve nëpër gjendjet civile të komunave për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve.

“Janë disa zona përshembull si Zavalina, Kamiçani ose Labinoti ku vështirësitë janë të dukshme për shkak të infrastrukturës, mungesës së rrjetit por ne po përpiqemi të bëjmë më të mirën!”, përfundon ajo.

Zyra e Gjendjes Civile Elbasan

Fier

Edhe në qytetin e Fierit gjedja civile pohon pak a shumë të njëjtat problematika. Pranvera Rama një prej punonjesve të këtij institucioni na tregon se moshat e treta hasin më shumë vështirësi.

“Çdo nismë ka problematikat e veta, por e shohim me pozitivitet. Ka mosha të treta që kanë vështirësi, por nuk përjashtojmë këtu edhe të rinj. Para dy ditësh patëm një zonjë këtu që pavarësisht se mund të kishte njohuri për përdorimin e  internetit nuk mund të hapte një adresë në E-Albania, ndaj unë me kolegen time i bëmë të gjitha procedurat që nga hapja e e-mail deri te krijimi i profilit.  Të jesh në këtë punë nuk do të thotë të jesh thjesht punonjëse zyre.”- shpjegon ajo.

Znj.Rama na siguroi dhe listat zyrtare të dokumenteve të cilat do të jepeshin online dhe të shërbimeve që do të vazhdonin të jepen nga zyrat fizikisht.

Lista e shërbimeve online

      Lista e shërbimeve që do të vazhdojnë të jepen fizikisht

Rrogozhinë

 

Edhe në rastin e zyrës së Gjendjes Civile në Rrogozhinë punonjësja e vetme që ka mbetur në këtë zyrë na tregon se kalvari i qytetarëve të cilët kërkojnë të marrin shërbime duket se është bërë më i gjatë dhe i vështirë.

“Vijnë këtu të moshuar, na luten t’u nxjerrim një certifikatë madje na ofrojnë dhe para’ që nuk i marrim se sigurisht nuk kemi ndërmend të humbasim punën. Dje pata një zonjë të moshuar që i kishte vdekur bashkëshorti dhe donte të nxirrte një certifikatë, sepse i duhej të mbyllte një kontratë. E ndihmoi një djalë që punon te bashkia, e ndihmoi se i erdhi keq. Të moshuarit nuk dinë çfarë është e-maili, mirë ata që kanë fëmijë, nipër apo mbesa, po ata që janë vetëm?”

Ky është vetëm një fragment i bisedës që patëm me punonjësen M.R e cila na tregoi edhe shembuj personalë sesi motrës së vet i ishte dashur të nxirrte tri certifikata dhe kishte paguar në një qendër interneti 1000 lekë për secilën pasi vetë nuk i nxirrte dot. Hapja e qendrave të cilat ofrojnë shërbime E-Albania me çmime të kripura është një tjetër problem i cili sipas punonjëses ishte mjaft i dukshëm në Rrogozhinë.

Zyra e Gjendjes Civile Rrogozhinë

“Qëkur u lajmëruam se shërbimet do të kalonin online, ne të Gjendjes Civile në Rrogozhinë e ngritëm si problem këtë që po ndodh aktualisht, madje ua thamë edhe drejtuesve që jo të gjitha moshat mund t’i aksesojnë shërbimet online” -përfundon ajo.

Faktoje bëri një vëzhgim në rrjetin social Facebook dhe pamë se numri i zyrave apo qendrave të ndryshme të cilat japin shërbime E-albania kundrejt pagesave është rritur që prej datës 1 apo 2 Maj 2022.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img