Sorgena Leka

Më 18 prill të këtij viti, kryeministri Edi Rama do të shkruante në profilin e tij në “Facebook” se në vitin 2021 aksidentet rrugore janë ulur me 19.9 për qind.

Rama shkruante se “Në vitin 2021 kishim 7.5 për qind më pak fatalitete nga aksidentet.

Në vitin 2021 janë 18.5 për qind më pak qytetarë të përfshirë në aksidente.

“Janë 14.8 për qind aksidente të shkaktuara nga sjellja e drejtuesit të mjetit. Në vitin 2021 ishin 18.5 për qind më pak qytetarë të përfshirë në aksidentet rrugore”.

Gjithashtu, sipas Ramës, në vitin 2021, kishim 37 për qind ulje të indeksit të vdekshmërisë për 10.000 mjete.

Në një verifikim me të dhënat nga INSTAT dhe DPSHTRR (Drejtoria e përgjithshme e shërbimeve të transportit rrugor) rezulton se në fakt shifrat që ka dhënë kryeministri janë të ndryshme, më pozitive sesa ato të këtyre dy institucioneve për të njëjtat zëra.

Sipas të dhënave në DPSHTRR, aksidentet janë ulur me 8.1 për qind në krahasim me vitin 2019, e njejta shifër e pasqyruar edhe në të dhënat e INSTAT.

Në faqen zyrtare të DPSHTRR shkruhet se në vitin 2021 kishim 13.2 për qind më pak fatalitete në krahasim me vitin 2019. Instat hedh poshtë shifrat e të dy palëve. Sipas këtij institucioni, numri i fataliteteve nuk ka rënë aq sa pretendojnë kryemnistri dhe DPSHTRR. Sipas INSTAT  në vitin 2021 kishim 8.1 për qind më pak fatalitete në krahasim me vitin 2020 dhe 15 për qind më pak fatalitete në krahasim me vitin 2019.

Në vitin 2021, DPSHTRR shkruan se janë 13.7 për qind më pak aksidente të shkaktuar nga sjellja e drejtuesit të mjetit në krahasim me vitin 2019. Ndërsa për vitin 2020, shifrat e INSTAT tregojnë se janë 11.8 për qind më pak aksidente të shkaktuara nga drejtuesit e mjetit.

Sipas të dhënave të marra nga Gazetasi.al në faqen zyrtare të DPSHTRR, vdekshmëria për 10.000 mjete është ulur me 67 përqind. Kryeministri thotë 37 për qind ndërsa INSTAT nuk e ka të publikuar aspak këtë shifër.

Tre institucione të qeverisjes, kryeministri, drejtori transporti dhe INSTAT: asnjë me shifra të sinkronizuara. Tek kryeministri dhe DPSHTRR  dallohen qartë që shifrat e servirura janë me trend më poziv ndërsa tek INSTAT janë disa për qind më negative.

*Shkrimi u publikua si pjesë e “Unë bëj Fact-Checking”, që ka si qëllim të trajnojë dhe mentorojë gazetarë në Shqipëri, nën projektin e UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore dhe Turqisë- Faza II” i financuar nga Bashkimi Evropian.