Dy vite pas tërmetit, asnjë gjurmë nga nisja e punimeve për banesat në Spitallë

Nga ilda.hoxha - 4 Dhjetor, 2021

Dy vite pas tërmetit, në zonën 4 në Spitallë të Durrësit nuk duket asnjë gjurmë nga nisja e punimeve për ndërtimin e banesave të reja. Bashkia Durrës tha zyrtarisht për Faktoje se pritet të ngrihen 996 apartamente dhe së shpejti do nisë puna për ndërtimin e banesave kolektive. Mirëpo, nga verifikimi ynë në terren rezulton se në këtë zonë akoma po punohet me infrasktrukturën urbane dhe rrjetin rrugor.

………………………………………………

“Është një zonë përpara Universitetit në qytetin e Durrësit. Aty kemi parashikuar që do të ndërtohen 990 banesa, të përkthyera kryesisht në 70 objekte, objektet do të jenë 4-5 katëshe, të ulëta relativisht. Sigurisht nuk është e konceptuar vetëm si zonë me pallate, por atje do të ketë edhe shërbime, do të kemi infrastrukturë publike”, deklaroi kryebashkiakja Emiriana Sako më 7 janar të këtij viti.

Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Durrës më 17 gusht, për t’u informuar si po ecte procesi i ndërtimit të këtyre banesave, kur kanë kaluar 2 vite nga tërmeti shkatërrimtar i 2019-s.

Zyrtarisht na u bë e ditur se aty do të ngrihen 996 apartamente, por nuk kishte puna për ndërtimin e tyre, pasi fillimisht do të rregullohej pjesa infrastrukturore.

“Në lidhje me Zonën 4 Spitallë, 996 apartamente priten të ndërtohen. Në këtë zonë ka filluar ndërtimi i infrastrukturës dhe së shpejti fillon dhe ndërtimi i banesave kolektive”, njoftoi zyrtarisht Bashkia Durrës në gusht të këtij viti.

Përgjigjia e Bashkisë Durrës për Faktoje

Kur po mbushet një vit nga premtimi i bërë nga kryebashkiakja Sako, Faktoje vendosi të bënte një verifikim në zonën e Spitallës, pranë Universitetit, aty ku u deklarua se do të ngriheshin shtëpitë e reja për banorët e prekur nga tërmeti. Faktoje ishte atje më 23 nëntor 2021 dhe gjatë verifikimit vumë re që zona ku do ngriheshin banesat e reja ishte e veçuar nga pjesa tjetër e qytetit bregdetar dhe një pjesë e mirë e qytetarëve nuk kishin informacion, se aty do ndërtoheshin banesa për të prekurit nga tërmeti.

Në hyrje të zonës ku do bëhen banesat e reja, ishte një tabelë që tregonte datën e nisjes dhe përfundimit të punimeve për rrjetin rrugor dhe infrastrukturën urbane.

Sipas tabelës, puna kishte nisur që në shkurt të 2021 dhe do të përfundonte në maj të po këtij viti, por nga verifikimi në terren vumë re që, as në muajin nëntor nuk kishte përfunduar puna për infrastrukturën urbane dhe rrjetin rrugor.

Tabela e punimeve në Spitallë, nëntor 2021

Krahas kësaj tabele, në hyrje ishte vendosur edhe projekti, si pritej të transformohej kjo zonë pas ndërtimit.

Tabela e punimeve në Spitallë, nëntor 2021

Mirëpo, deri më tani gjithçka mund të shihej ishte vetëm projektimi në tabelë, pasi ngritja e banesave për qytetarët dukej ende e largët.

Foto nga ecuria e punimeve në Spitallë, nëntor 2021

Faktoje bisedoi me disa punonjës që konfirmuan se po punojnë ende për pjesën e infrasktrukturës, por nuk ishin të informuar se kur mund të niste puna për banesat.

Foto nga ecuria e punimeve në Spitallë, nëntor 2021

“Nuk kanë nisur akoma punimet për ndërtimin e shtëpive. Po punojmë me infrastrukturën ende, po bëjmë urat, kanalet, rrugët që të hyjnë mjetet njëherë. Se di kur mund të filojnë ndërtesat”, bënë të ditur punëtorët për Faktoje.

Nisur nga premtimi i kryebashkiakes Sako, njoftimi zyrtar i Bashkisë Durrës dhe verifikimi në terren, këtë premtim do ta konnsiderojmë TË PAMBAJTUR.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna  nga kryebashkiakët.