Dy standardet e ndërtimit për spitalin e Laçit dhe të Fierit

1405

Laçi është pa një spital që prej 26 nëntorit 2019, kur ndërtesa doli jashtë funksionit për shkak të tërmetit. Qeveria premtoi se spitali që mbulon nevojat e 80 mijë banorëve do ishte gati në qershor 2020, por puna për ndërtimin e tij filloi më 5 shkurt të këtij viti. Ndërkohë që premtimet për spitalin e Laçit u zvarritën në mënyrë të përsëritur, paradoksalisht qeveria shqiptare, e mbështetur nga Turqia, njoftoi ndërtimin e një spitali të dytë rajonal në Fier brenda 3 muajve. Nga një verifikim i Faktoje, rezulton se spitali i Fierit është drejt përfundimit, duke vendosur një standard të dyfishtë në krahasim me vonesat që shoqëruan rindërtimin në Laç.


Spitali i Laçit

Hyrja për në spitalin e Laçit, 4 shkurt 2021

Në Laç, goditja nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 nxorri jashtë funksionit spitalin e qytetit. Kryetarja e Bashkisë Kurbin, zonja Majlinda Cara i ka përsëritur disa herë kryeministrit domosdoshmërinë e spitalit të ri, ndërkohë që popullësia përballet edhe me pandeminë.

“Në fakt për komunitetin ishte i domosdoshëm, për arsyen se edhe urgjencën e kemi në ambiente të marra me qera dhe duhet t’i shërbente shumë shpejt po të fillonim punën me spitalin.” – i tha zonja Cara kryeministrit në një takim në Laç më 28 korrik të viti të kaluar.

Kryeministri Rama, siç kemi shkruar edhe më parë, u justifikua se vonesat e rindërtimit kishin shkak pandeminë.

“Na hëngri shumë kohë kjo mbyllja plus edhe gjithë angazhimi i Ministrisë së Shëndetësisë në çështjen e Covid-it dhe nuk arritëm dot që të fillojmë më shpejt…”- u shpreh ai.

Më 2 shkurt Faktoje bëri verifikimin e radhës në Laç dhe i vetmi ndryshim që gjetëm ishte pastrimi i inerteve të godinës së shumbur. Puna për të ndërtuar spitalin e Laçit nuk kishte filluar ende, rreth 7 muaj pas skadimit të afatit për përfundimin e kësaj vepre.

Zona e spitalit të Laçit, 4 shkurt 2021

Zona e spitalit të Laçit, 4 shkurt 2021

Më 9 shkurt, gjatë një inspektimi në Laç të lagjeve që po rindërtohen nga qeveria turke, kryeministri u informua nga kryebashkiakja se punimet për spitalin kishin nisur.

“Ndërkohë spitali ka filluar, firma, punimet po avancojnë edhe aty. D.m.th. i gjithë sheshi i ndërtimit. Janë në përgatitje që firma po akomodohet të sjellë mjetet dhe infrastrukturën e nevojshme dhe më në fund filloi edhe spitali si një projekt që edhe banorët e kanë pritur me endje”- tha zonja Cara.

Më 16 shkurt, kryeministri Rama shkoi sërish në Laç, në kantierin e spitalit të ri, i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, zonja Ogerta Manastirliu, si dhe kryetarja e Bashkisë Kurbin.

Kantieri i spitalit të Laçit, 16 shkurt

“Kryeministër, kemi filluar tashmë prej 5 shkurtit punimet e spitalit bashkiak të Laçit.” – tha ministrja Manastirliu.

Afati i ri për përfundimin e spitalit ishte për 4 muaj, por kryeministri Rama kërkoi që kjo punë të përfundonte më parë.

“Duhet të punoni 24 orë, me tre turne, që ta mbarojmë para afatit. Edhe është e mundur, se është një volum relativisht i vogël edhe me këtë teknologji besoj që kryhet me sukses.” – tha ai. Nëse ky premtim do të mbahet, llogaritet që spitali i Laçit të jetë gati në muajin qershor.

Më 12 mars 2021, situata në kantierin e spitalit të Laçit kishte ndryshuar pak, pothuajse aspak po ta krahasosh me ritmin e punimeve në spitalin të Fierit.

Kantieri i spitalit të Laçit më 11 mars, foto e dërguar nga lexuesit e Faktoje

Spitali i Fierit, përfundon para atij të Laçit

Më 9 janar, kur spitali i Laçit ishte ende një grumbull inertesh të papastruara, kryeministri Rama lajmëroi ndërtimin e një spitali të dytë Rajonal të Fierit, me mbështetjen e qeverisë turke. Afati i përfundimit, si për ironi, ishte brenda 3 muajve!

“Çështja është që sfida, siç e dëgjuat, ky spital do ndërtohet për 3 muaj.” – tha kryeministri Rama.

Kantieri i spitalit të Fierit u hap rreth 3 javë përpara kantierit të spitalit të Laçit, që po sipas premtimit fillestar të zotit Rama duhej të ishte në funksion që në qershor 2020.

Kantieri i spitalit të Fierit, 22 janar 2020

Nga kjo datë e në vijim, kryeministri ka bërë publike disa herë ecurinë e spitalit të Fierit në rrjetet e tij sociale, e cila duke gjykuar nga pamjet po ecën me shpejtësi të konsiderueshme.

Kantieri i spitalit të Fierit, dita 30 e punës, 12 shkurt 2021 

Ndërsa pamjet e fundit të spitalit të Fierit, që tregojnë se puna është në rrugë të mirë drejt përfundimit, është bërë publike më 11 mars nga kryeministri Rama, rreth 2 muaj nga fillimi i punës.

Spitali i Fierit, 11 mars 2021

Qeveria ka shpjeguar se ndër të tjera, ndërtesa e spitalit të Fierit do të përbëhet nga një strukturë “super anti-sizmike“.

Nga një ballafaqim i ecurisë së dy spitaleve, atij të Laçit, jetik për 80 mijë banorët e zonës dhe atij të Fierit, që është i dyti për këtë rajon, dallojnë dy standardet e përdorura kur vjen fjala tek serioziteti dhe ritmet e realizimit të projekteve me interes publik.