Video e publikuar në portale, ku pretendohet se drita të çuditshme pushtuan qiellin në Marok para tërmetit, i përket dy viteve më parë. Faktoje sjell të dhënat që tregojnë se mediat online kanë përdorur një video të pasaktë.
Më 13 shtator, portalet kanë publikuar një artikull mbi shfaqjen e dritave të çuditshme në qiell, pak para se tërmeti i fuqishëm të godiste Marokun. Lajmi shoqërohet edhe me një video, ku pretendohet se i përket momenteve nga fenomeni i ndodhur.
“VIDEO/ Pak para tërmetit të fuqishëm në Marok, në qiell u panë disa drita të çuditshme”-shkruan Shqiptarja.com.
Artikulli i shpërndarë në media
Ne vendosëm të bëjmë një kërkim në lidhje me këto pretendime, referuar burimeve nga mediat e rëndësishme ndërkombëtare. Sipas CNN, ka pasur drita në qiell para tërmetit, një fenomen që është regjistruar edhe në vendet të tjera ku ka ndodhur tërmet. Të njëjtat pamje të një drite që shfaqet në largësi të pamjes së një kamere statike janë shpërndarë në të gjitha mediat ndërkombëtare dhe ato shqiptare.
Këtë lajm ka publikuar edhe media shqiptarja.com, por pamjet me të cilat është shoqëruar lajmi, shfaqja e pesë dritave të ndryshme që lëvizin si të komanduara, janë të ndryshme.
Për të kuptuar burimin e videos, ne bëmë një kërkim nëpërmjet mjeteve të verifikimit të imazheve ku rezulton se video e publikuar qarkullon në rrjet që prej nëntorit të vitit 2021, pra dy vite përpara tërmetit të fundit në Marok.
Video është postuar në rrjetet sociale me titullin ‘Ufo në qiellin e Marakesh’, duke ngjallur diskutime për vërtetësinë e saj.
Numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm që goditi Marok më 9 shtator raportohet se ka shkuar mbi 3 mijë. Epiqendra e tërmetit ka qenë në malet e Atlasit të Lartë, ku ka raportime për fshatra të tëra të rrafshuara në zona të thella. Shumë persona thuhet të kenë mbetur të bllokuar në rrënoja, ndërsa spitalet po përjetojmë fluks të papërballueshëm të shtruarish.