Publikimi i lajmeve me burime të fshehta informacioni është praktikë normale e të bërit gazetari. Edhe ndryshimi i lajmeve që përmbajnë informacione të pavërteta, është po ashtu pjesë e të bërit gazetari, nëse media e shënon në artikull se çfarë informacioni ka ndryshuar. Por ndërsa e para ndodh shpesh, e dyta është thuajse inekzistente. Mediat online, edhe në rastet kur i rezulton se kanë publikuar informacion jo 100% të vërtetë, nuk e korrigjojnë lajmin duke shënuar edhe përmbajtjen e korrigjimit për vërtetësi ndaj lexuesit.

Kjo ndodhi në rastin e lajmit të shpërndarë nga portali “Pamfleti” në 29 Maj, ku pretendohej se kryetarja e SHISH, Vlora Hyseni qëndronte në Serbi “prej 10 ditësh”. Artikulli citonte burime të fshehta për vërtetësinë e këtij informacioni.

Dy ditë pas publikimit të artikullit, media të tjera publikuan pamje të Vlora Hysenit në datën 22 maj në ceremoninë që u mbajt në Tiranë për nisjen e stërvitjes ushtarake të NATO “Defender 23”. Pamjet qartësisht rrëzonin pretendimin që “Pamfleti” ngriti në datën 29, ku thonte se Vlora Hyseni ndodhej prej 10 ditësh në Serbi.

Edhe pse pamjet vërtetonin të paktën që Vlora Hyseni nuk kishte 10 ditë në Beograd në ditën që u publikua artikulli, përsëri lajmi nuk u ndryshua. Ajo që Pamfleti bëri ishte një postim tjetër në rrjetin social Facebook për të argumentuar përse Vlora Hyseni nuk ndenji 10 ditë në Serbi.

“Pamfleti nuk ka thënë që më 22 maj, Vlora Hyseni ishte në Serbi, por ka thënë që ka udhëtuar për 10 ditë shërbim në Serbi; dhe sipas kalendarit, nga data 22 maj mbasdite kur është nisur e deri më 29 maj kur ka dalë lajmi janë 8 ditë, ndërsa kthimi i saj nga Serbia është bërë “me urdhër urgjent” më 30 maj, 1 ditë pasi “Pamfleti” publikoi lajmin. – shkruan publikimi në Facebook.

Në fakt, lajmi i datës 29 publikuar nga Pamfleti njoftonte se Hyseni “ishte prej 10 ditësh në Serbi”, dhe jo se “ka udhëtuar për 10 ditë shërbim”. Kjo e bën të pasaktë informacionin e shpërndarë nga kjo media në datën 29 Maj.

*foto e lajmit të pa korrigjuar të Pamfletit

Gjithashtu, në të dy artikujt e publikuar për këtë çështje, “Pamfleti” citon burime konfidenciale nga kupola e Shërbimit Informativ të Shtetit, të cilët nuk mund të verifikohen për saktësinë e tyre. Ajo që “Pamfleti” nuk bën, është të pyesë zyrtarisht institucionin e përfshirë në akuzë.

Këtë e bëri “Faktoje”, në datën 1 Qershor, kur pyetëm Shërbimin Informativ të Shtetit për pretendimet e ngritura në media.

Acrobat-Document

SHISH i ktheu përgjigje “Faktoje” në datën 6 qershor dhe na informoi se Hyseni nuk ka udhëtuar jashtë territorit të Shqipërisë që nga dita kur mori detyrën e kryetares së SHISH.

*përgjigjja e SHISH ndaj kërkesës për informacion dërguar nga Faktoje

Informacioni i dhënë nga Shërbimi Informativ i Shtetit për “Faktoje” përgënjeshtron pretendimin e ngritur nga “Pamfleti” se Vlora Hyseni ka udhëtuar drejt Beogradit.

Duhet theksuar se SHISH mund të ndihmonte në shuarjen e dyshimeve apo edhe zhurmës politike që vijoi, duke përgatitur një njoftim për mediat menjëherë pas publikimit të artikullit në 29 maj. Heshtja zyrtare nuk ndihmon aspak rritjen e transparencës si dhe besimit të publikut ndaj këtij institucioni të rëndësishëm.

Shpesh herë mediat refuzojnë të ndjekin rrugët zyrtare dhe ligjore të marrjes së informacionit, duke dhënë vetëm informacione të marra nga burime të pa cituara. Kjo jep një pamje të njëanëshme të situatës, duke mos i dhënë lexuesve informacion mbi qëndrimin zyrtar të institucionit, të vënë nën akuzë publike.

Nisur nga këto të dhëna, mund të themi se informacioni për qëndrimin e Vlora Hysenit në Beograd është i pasaktë.