Pretendimi: Kjo video tregon se zjarret në pyje vendosen qëllimisht.
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————–
Në rrjete sociale po qarkullon një video që duket se tregon një makinë duke ecur anës një pylli dhe duke i vënë flakën me flakëhedhëse. Kjo video prezantohet si provë se zjarret në pyje janë të qëllimshme.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht në Twitter më 9 mars 2024.
Në përshkrimin shoqërues shpjegohet se video tregon një metodë kontrolli të zjarrit që përdoret nga zjarrëfikësit. Ata krijojnë një vijë zjarri përgjatë një rruge apo hapësire të krijuar për të penguar zjarrin në mënyrë që të djegin pemët ngjitur me zjarrin për të ndaluar përparimin e zjarrit. Qëllimi është të digjet kjo lëndë djegëse përpara se ta arrijë zjarri, në mënyrë që ky i fundit të ketë më pak material për të djegur, duke kufizuar kështu përhapjen e flakëve.
Në fakt, në një pjesë të videos, dallohet një zjarr më i madh brenda në pyll, përtej linjës së pemëve që po ndizen me flakëhedhëse.
Zjarrëfikësi në automjet po djeg, qëllimisht, lëndën djegëse mes rrugës dhe zjarrit në pyll për t’i ndërprerë përparimin këtij të fundit.
Praktika e djegies së kontrolluar përdoret shpesh në shuarjen e zjarreve në pyje.
Faktoje ka përshkruar dhe më parë video të kontrollit të zjarrit që janë keqinterpretuar në rrjet si zjarrvënie të qëllimshme në pyje.