Pretendimi: Djali i vogël i miliarderit Elon Musk i tha presidentit amerikan Donald Trump “Mbylle gojën” dhe “Ti nuk je presidenti, largohu!”

Verdikti: E paprovuar

———————————————————————-

Pas një konference për shtyp në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, të mbajtur më 11 shkurt 2025 nga Donald Trump dhe Elon Musk, në rrjete sociale nisi të qarkullonte pretendimi se djali i miliarderit, vogëlushi X Æ A-XII, kishte bërë komente të papërshtatshme kundër Presidentit të Shteteve të Bashkuara: “Dua të mbyllësh gojën dreqin” dhe “Ti nuk je president, duhet të largohesh”

Pas verifikimit të videos, Faktoje zbuloi se nuk kemi të bëjmë për video apo audio të manipuluara, por për keqinterpretim dhe atribuim jo korrekt ndaj të miturit.

Videot janë reale dhe versioni i plotë, ku djali i Elon Musk flet shpesh me ndonjë ndërhyrje të babait të tij, është botuar në kanalin zyrtar në YouTube të Shtëpisë së Bardhë.

Videot ku ai dyshohet se i ka thënë presidentit Trump të largohet janë minuti 1:53. Audio e fëmijës nuk përputhet me fjalët që i atribuohen në postimet në rrjetet sociale. Maksimumi mund të dëgjohen fjalë si “projekt”, “unë” dhe “ik”.

Vetëm në një rast mund të dëgjohet një “Dua që të mbyllësh gojën” (pa “dreqin”) gjatë një ndërhyrjeje që fillon rreth minutës 19:18 të videos, por fëmija nuk duket se i drejtohet Trump. Ai nuk po e shikonte Trumpin ndërsa e thoshte këtë, por po shihte përtej tij, me gjasa aty ku qëndronin gazetarët. I vetmi person që po fliste me zë në atë kohë ishte Musk.