Banorët e fshatrave Marikaj dhe Marqinet në Vorë nuk janë futur në banesa të reja, edhe pse po bëhen tre vite nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit. Faktoje konstatoi nga verifikimi në terren se një pjesë e familjeve të pastreha janë rikthyer në shtëpitë e shpallura të pabanueshme, por që ende nuk janë shembur. Të tjera familje kanë improvizuar kasolle me shpresën se do t’i mbijetojnë dimrit të katërt pa një çati mbi kokë. Ndërkohë në qendër të Vorës, ka ende pallate të shkatërruar që pritet të shemben.
—————————————————————————————-
“Në Marikaj dhe Marqinet, në kantierin e ndërtimeve të banesave individuale të kryefamiljarëve, të cilët kanë zgjedhur grantin e rindërtimit.
Po punojmë çdo ditë që çdo familje të nisë dhe të përfundojë sa më shpejt banesën e saj të cilën e humbi me 26 nëntor 2019”, njoftonte Bashkia Vorë në qeshor të vitit 2021.
Screenshot postimi i Bashkisë Vorë
Në lidhe me këtë premtim, bëri një verifikim në terren. Ne ishim në Vorë më 21 shtator, ku biseduam me qytetarë që janë prekur nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit të vitit 2019.
Marikaj
Gjatë verifikimit në terren më 21 shtator, konstatuam se në zonën e Marikajt kishte ende banesa të dëmtuara nga tërmeti i 3 viteve më parë, të cilat ende nuk ishin shembur. Banorët shprehen se askush nuk ka shkuar të interesohet për shtëpitë e tyre, teksa theksojnë se kanë shkuar disa herë pranë Bashkisë së Vorës për t’u interesuar. Në mungesë të zgjidhjes, një pjesë e familjeve të pastreha janë rikthyer në banesat e planifikuara për t’u shembur, duke rrezikuar seriozisht jetën.
“U bënë 3 vite që presim. Do i bëjmë sot, do i bëjmë nesër. Herë thonë do ua bëjmë ne, pastaj na thonë do u japim lekët. Asgjë nuk po marrim vesh. Njerëzit nuk kanë ku shkojnë më, një pjesë janë kthyer në shtëpitë e dëmtuara. Po rrezikojnë jetën, nuk e di çfarë bëhet me këtë shtet”, tregon i shqetësuar një 45-vjeçar.
Shtëpi e dëmtuar nga tërmeti që ende nuk është shembur, Marikaj, 21 shtator 2022
Shtëpi e dëmtuar nga tërmeti që ende nuk është shembur, Marikaj, 21 shtator 2022
Ndërtesat e dëmtuara me shenjën e ndalimit të hyrjes ishin të shumta në Marikaj.
Shtëpi e dëmtuar nga tërmeti që ende nuk është shembur, Marikaj, 21 shtator 2022
“Njerëzit kanë ikur me qira, e kanë humbur shpresën se do i marrin më shtëpitë. Po bëhen tre vite, ngelëm rrugëve”, shprehet një 55-vjeçar, banor i Marikajt.
Shtëpi e dëmtuar nga tërmeti që ende nuk është shembur, Marikaj, 21 shtator 2022
Shtëpi e dëmtuar nga tërmeti që ende nuk është shembur, Marikaj, 21 shtator 2022
Marqinet
Në të njëjtën situatë ishin edhe banorët e Marqinetit, një tjetër fshat i Vorës që është prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Ata tregojnë për Faktoje se tashmë u është komunikuar nga Bashkia e Vorës që banesën do e ndërtojnë vetë, pasi t’u jepet fondi. Ndërkohë, më herët banorët kishin rënë dakord që shtëpitë do t’ua ndërtonte shteti.
“Tani na i kanë ndyshuar gjërat. Na kanë thënë që shtëpitë private nëpër fshatra do merren lekët dhe ne jemi në pritje, se kur do na i japin nuk e dimë. Ne jemi 14 vetë në familje, me dy djemtë, me dy nuset dhe nipërit e mbesat. Jetojmë të gjithë bashkë tani”, thotë Fadil Picari, banor i Marqinetit.
Shtëpi e dëmtuar nga tërmeti që ende nuk është shembur, Marqinet, 21 shtator 2022
Më tej ai shton: “Unë jam invalid që në 2012 dhe po na sjellin vërdallë, do e bëjmë vetë shtëpinë na thonë tani, kur në fillim kërkuam që të na e bënte shteti”.
Një tjetër banore e fshatit Marqinet që jeton në kushte të vështira është edhe Drita Hodo. Shtëpia e 41-vjeçares është dëmtuar nga tërmeti 3 vite më parë, por edhe sot e kësaj dite objekti nuk është shembur. Ajo sot jeton në një kasolle që ka ndërtuar pranë banesës së dëmtuar, bashkë me fëmijët dhe të shoqin.
Banesa ku jeton aktualisht 41-vjeçarja, 21 shtator 2022
“Me 200 mijë lekë (të vjetra) ku ka shtëpi me qira?! Duhen paguar edhe ujë e drita, burri 320 mijë lekë merr. 2 fëmijët i kam në shkollë dhe nuk i përballoj dot, kanë shumë shpenzime. Jam detyruar që të bëj kasollen dhe të jetoj këtu, bashkë me fëmijët”, shprehet 41-vjeçarja.
Banesa ku jeton aktualisht 41-vjeçarja, 21 shtator 2022
Drita nuk ka një kuzhinë ku të gatuajë, ndërsa tualetin e kanë improvizuar jashtë në oborr.
“Ku kam kuzhinë unë? Edhe banjon e kemi jashtë”, tregon nëna e 2 fëmijëve.
Në lidhje me procesin e rindërtimit të banesave private, ne i jemi drejtuar me një kërkesë për informacion edhe Bashkisë së Vorës dhe mbetemi në pritje të një përgjigjeje nga ky institucion, duke respektuar afatet e ligjit për të Drejtën e Informimit.
Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Vorë, 16 shtator 2022
Edhe një vit më parë, Faktoje raportoi se banesat individuale të dëmtuara në fshatrat Marikaj dhe Marqinet nuk ishin shembur ende. Kjo u konfirmua zyrtarisht për Faktoje nga Bashkia e Vorës, por edhe nga banorë të zones të cilët asokohe jetonin në çadra.
Më 20 janar të vitit 2021, Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për përdorimin e fondit të rindërtimit për financimin e rindërtimit të banesave individuale në bashkitë Tiranë, Shijak, Vorë dhe Kurbin.
Sipas VKM-së, Bashkisë Vorë i transferohet fondi në masën 851 809 204 lekë, për rindërtimin e 300 njësive individuale të banimit, për ata individë, të cilët përfitojnë nga grantet e rindërtimit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte që duhen rindërtuar nga e para.
Screenshot nga VKM-ja
Pallatet në qendër të Vorës, ‘fantazmat’ gjalluese nga tërmeti i 2019-s
Gjatë verifikimit që bëmë në Vorë më 21 shtator vumë re që pallati në qendër të qytetit, i planifikuar për t’u shembur nuk ishte shembur ende. Banorët thonë se nuk kanë rëndë dakord për shpronësimet, për shkak të vlerësimit të ulët për m2.
“Na kanë thënë 4200 lekë të vjetra për m2. Këtu është të ikësh natën dhe jo ditën. Jemi kthyer nga emigracioni për të jetuar këtu, por jemi penduar shumë”, shprehet një 50 vjeçar.
Pallati i dëmtuar që ende nuk është shembur, Vorë, 21 shtator 2022
Ndërkohë, në Vorë nuk ka përfunduar puna për ndërtimin e pallateve, teksa banorët presin që të futen në banesat e tyre. Mirëpo, ajo që vihet re është se në të gjitha kantieret e ndërtimit janë zhdukuar tabelat me afatet e fillimit dhe përfundimit të projekteve të rindërtimit.
“Ka akoma punë me ndërtimin e pallateve. Nuk dimë asgjë kur do futemi, po rrimë me qira. Bonusin e kemi marrë, edhe pse njëherë në dy muaj”, tregon një grua rreth të 60-ve.
Pallatet në ndërtim në Vorë, 21 shtator 2022
Nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar, vendosëm që premtimin e bashkisë Vorë për rindërtimin e banesave ta kategorizojmë Të Pambajtur.