.

.

BallinaPertejDikur 6, sot 1 pak e 2 shumë, shqiptarët ulin drastikisht lindjet; ekspertët shpjegojnë katastrofën që po vjen

Dikur 6, sot 1 pak e 2 shumë, shqiptarët ulin drastikisht lindjet; ekspertët shpjegojnë katastrofën që po vjen

MERXHAN DACI

Manxurana R., nga Gjirokastra në korrik të këtij viti mbush 71 vjeç. Edhe pse mes vështirësive, solli në jetë gjashtë fëmijë. Bashkë me bashkëshortin e saj Sirin sot do të kishin dhjetë por puna e rëndë në kooperativë bujqësore bëri që ajo të abortonte spontanisht katër fëmijë. Ishte 19 kur solli në jetë fëmijën e parë dhe 40 kur lindi të fundit. Sot është stërgjyshe dhe ndihet e plotësuar dhe e lumtur.

Pesë prej fëmijëve të saj, të martuar në një kohë tjetër, pas viteve ‘90 kanë lindur secili nga vetëm dy fëmijë. Por ajo nuk është aspak dakort me ta.    

Nuk është normale vetëm dy fëmijë, kot e kanë që nuk i mbajnë dot në këtë kohë”, thotë ajo.

Sot, në vitin 2019 Gjirokastra është qarku me lindshmërinë më të ulët në të gjithë Shqipërinë.

————————————————————————————————

Nga janari i vitit 2018 deri në shtator në Shqipëri kanë lindur 18.120 bebe. Edhe pse të dhënat e tremujorit të fundit të vitit të shkuar ende nuk janë publikuar, gjasat janë që numri i bebeve të lindura të mos kalojë shifrën e vitit 2017 kur lindën 30.869 bebe.

Në vitin 2016 në Shqipëri lindën rreth 32 mijë foshnja duke shënuar për herë të parë nivelin më të ulët të lindjeve që nga vitet 1930 kur shteti shqiptar krijoi regjistrin civil.

Në vitin 1990, lindjet ishin rreth 82 mijë. Pas këtij viti, numri i lindjeve ra vazhdimisht.

Dukshëm popullsia shqiptare është në pakësim dhe në plakje të shpejtë.

Numri i fëmijëve nën 14 vjeç pritet të bjerë gjatë viteve të ardhshme ndërkohë që numri i shqiptarëve mbi 65 vjeç pritet të rritet.

Të moshuarit në Shqipëri paraqesin tendencë në rritje nga viti në vit. Në 1 Janar të 2018, grupmosha 60-79 vjeç zinte 17,1 % të popullsisë.

Tendencë në rritje shfaq edhe grupmosha mbi 80 vjeç.

Grupmosha 0-14 vjeç paraqet tendencë në rënie, duke zënë 17,7 % të popullsisë në 1 Janar të vitit 2018.

Nëse në vitet 60, numri mesatar që lindte një grua shqiptare ishte 6,5 fëmijë, të dhënat e fundit tregojnë që kjo normë ka zbritur në 1,48 fëmijë.

Nëse shohim sipas bashkive, disa prej tyre kanë rekorde të frikshme negative të lindjeve. Në Dropull, përgjatë një viti kanë lindur vetëm pesë fëmijë. Ritme negative ka edhe në Pustec, Libohovë, Finiq dhe Korçë.

Shifrat tregojnë se lindjet janë në një numër më të lartë për raport popullsie në bashkitë e veriut sesa të jugut.  

Sipas INSTAT, numri i lindjeve ka rënë ndjeshëm në të gjithë Shqipërinë. Arsyet e rënies së këtij numri sipas institutit zyrtar të statistikave të Shqipërisë janë kryesisht:

  • Emigracioni i lartë i popullsisë në moshë fertile
  • Rritja e moshës mesatare të martesës
  • Përdorimi i metodave të planifikimit familjar

Përse shqiptarët po lindin gjithmonë e më pak; ekspertët shpjegojnë në thellësi krizën

Sociologia Entela Binjaku thotë se janë disa faktorë që po dekurajojnë shqiptarët të lindin duke e vënë theksin fillimisht tek emigracioni.

Kalimi nga regjimi tradicional ku lindshshmëria ishte e lartë drejt regjimit bashkëkohor ndikoi në uljen e popullsisë. Emigracioni i lartë i shqiptarëve në përgjithësi dhe emigrimi i të rinjve në veçanti ndikoi në uljen dhe plakjen e popullsisë”, thotë ajo për Faktoje teksa shton se disa nga të dhënat demografike flasin për një situatë që duhet të na shqetësojë.

Binjaku e lidh fenomenin edhe me emancipimin e gruas shqiptare e cila duket se në këto kohë mendohet mirë përpara se të bëhet nënë.

“Çiftet e reja po lindin më pak fëmijë dhe në një moshë më të madhe. Gruaja shqiptare sot vendos për të mos sjellë në jetë fëmijë për arsye të ndryshme: kostoja e rritjes së një fëmije, mundësitë që i janë krijuar asaj për shkollim dhe pozitë profesionale më të mirë, statusi ekonomik i familjes, statusi martesor përfshirë divorcet në rritje, si dhe kërkesa për përputhshmëri mes jetës familjare dhe jetës profesionale”, thotë ajo duke shtuar se krahasuar me dhjetë vite më parë gratë shqiptare sot martohen relativisht tre vite më të mëdha.

 Sipas Binjakut, vështirësia në strehim dhe punësim, mungesa e politikave nxitëse, miqësore  e mbeshtetëse nga ana e shtetit për çiftet e reja i bën shpesh shumë prej tyre të hezitojnë ose të shtyjnë moshën e lindjes së fëmijës së parë.

Kalimi nga familja e zgjeruar që ju jepte pjestarëve të saj qëndrueshmëri dhe siguri, drejt familjes bërthamë me dy prindërit dhe pasardhësit, sërish është reflektuar në pasigurinë për të lindur edhe një fëmijë tjetër. Sot qytetari në Shqipëri  ka më shumë pavarësi në vendimarrje që lidhen me jetën e tij por nuk ka qëndrueshmëri dhe siguri”, thekson ajo.  

Eksperti i ekonomisë Panajot Soko thotë se problemi është thellësisht ekonomik pasi sipas tij shpenzimet për fëmijët konsiderohen si tepër të larta nga një pjesë e mirë e familjeve shqiptare dhe kjo shërben si arsye e fortë për ta për të mos sakrifikuar me lindje fëmijësh.

Një ndër faktorët determinantë pse ka një rënie kaq të lartë në lindshmëri është situata ekonomike e familjeve shqiptare. Kostot e larta që kërkon lindja dhe rritja e shëndetshme e një fëmije, nuk arrijnë dot të mbulohen nga të ardhurat që familjet kanë”, thotë Soko për Faktoje pasi shton se perspektiva negative që familjet kanë për të ardhmen gjithashtu ndihmon në vendimmarrjen e tyre për të mos lindur fëmijë.

Ka dhe komponentë të tjerë që ndikojnë në frenimin e vullnetshëm apo në emigracion, siç janë gjendja në të cilin ndodhet sistemi arsimor apo situata e mjeruar në sektorin e shëndetësisë”, thekson Soko.

Qeveria dhe bonusi: paguajmë për çdo lindje

Për çdo fëmijë të lindur në Shqipëri, qeveria do të japë para nga buxheti. Për ata prindër që sjellin në jetë fëmijën e parë, shpërblimi do të jetë 40 mijë lekë, për fëmijën e dytë 80 mijë lekë, dhe për fëmijën e tretë 120 mijë.

Sipas ekspertit të ekonomisë Soko, bonusi është jashtë kontekstit dhe nuk adreson thelbin e problemit por shërben thjesht për marketing politik.

Është si një arnim që nuk i rri realitetit tonë, sepse këto lloj politikash bëhen në vendet skandinave apo Europën veriore, jo në vendin tonë. Ajo që qeveria ka prezantuar si bonus nxitës për çdo fëmijë të lindur nuk mbulon dot as shpenzimet e shtatëzanisë dhe lindjes së fëmijës”, thotë ai.

Ai thekson se bonuset nuk janë zgjidhje teksa problemi qëndron tek standarti i jetesës.

Nuk është çështje bonusesh por çështje stadarti jetese. Stimulimi i lindjeve do të vijë vetëm atëherë kur të ardhurat që familjet kanë, ta bëjnë të përballueshëm lindjen dhe rritjen e një fëmije. Kjo do të thotë ulje e papunësisë dhe rritje e nivelit të përgjithshëm të pagave”, përfundon Soko, duke shtuar se rrënja e problemit është situata social-ekonomike në të cilën ndodhet vendi.  

Ndërkaq sociologia Binjaku është më optimiste edhe pse shton se kostoja për rritjen e një fëmije në Shqipëri është e lartë.  

Ky bonus është një ndihmë për familjen. Krahasuar me atë që ka qenë  është mjaft më i lartë dhe inkurajues. Duhet të shohim si do të reflektohet por kostoja për rritjen e një fëmije është e lartë dhe nevoja është e vazhdueshme”.

Megjithatë ajo dyshon se bonusi mund të jetë me prapavijë elektorale duke shtuar se ndihma e shtetit shqiptar vjen vetëm kur fëmija lind dhe përfundon aty.

Të paktën diçka ndryshoi në këtë drejtim edhe pse viti elektoral në të cilin kemi hyrë dhe kur nisi ky bonus të bën ta paragjykosh atë. Në shtetet europiane masat e ndjekura për të nxitur lindshmërine kanë sigurinë ekonomike të fëmijës. Tek ne ndihma vjen në çastin e lindjes dhe përfundon aty, po më pas?”

Ulja e lindjeve dhe kostot e rënda të së nesërmes

Të dy ekspertët bien dakort se ulja e lindshmërisë nga njëra anë dhe rritja e numrit të të moshuarve nga ana tjetër po çon në humbje të ekuilibrit mes brezave dhe humbjen e identitetit social dhe ekonomik.

Meqënëse kostoja e lindshmërisë pritet të jetë thellësisht ekonomike, Panajot Soko parashikon një katastrofë që sipas tij do të pasohet nga një destabilizim social. Problemi i parë sipas tij që plakja e popullsisë sjell, është ai i skemës së pensioneve.

Ai mendon se për shkak të numrit të madh të popullsisë në moshë pensioni dhe mungesës së popullsisë së re që duhet të kontribuojë në skemën e sigurimeve shoqërore, raporti kontribues-përfitues do të përkeqësohet kaq shumë saqë mosha e pensionit në vendin tonë do të shkojë 80 vjeç e ndoshta më shumë.

Sot, raporti 1.1 kontribues për 1 përfitues është shumë i rrezikshëm. Qeveria sapo prezantoi një draft të ri të skemës së pensioneve, ku e rriti moshën e pensionit në 70 vjeç. Imagjinoni një situatë ku kemi më shumë pensionistë sesa njerëz që janë në punë. Do të ishte një prag katastrofe buxhetore dhe në atë moment qeveria do të kishte vetëm dy zgjidhje; të rriste moshën e pensionit me shpresën se qytetarët më parë do të vdisnin sesa do të dilnin në pension, ose të rriste taksat për të mbuluar defiçitin e krijuar”, thotë Soko.  

Buxheti i shtetit do të ketë sipas tij probleme edhe në shlyerjen e detyrimeve, uljen e fuqisë blerëse, vëllimeve ekonomike, mungesën e investimeve që vijnë si pasojë e uljes së konsumit, duke çuar pashmangshmërisht në një krizë deflacioniste.

“Erozioni demografik është ngjarja më e keqe që mund t’i ndodhë këtij vendi. Trajtimi i këtij rreziku duhet të kishte filluar. Spiralja sa vjen e thellohet, bëhet dhe më e rrezikshme. Është një spirale vdekjeje të cilën ne duhet ta ndalojmë me çdo kusht nëse duam që të ketë një Shqipëri edhe nesër”, përfundon Soko.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img