Një video ku tregohej nxjerrja forcërisht nga automjetie një qytetari shqiptar nga një polic malazez bëri xhiron e rrjetit. Faktoje verifikoi rastin, i cili konfirmohet nga autoritetet zyrtare të Malit të Zi dhe Shqipërisë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe policia malazeze patën një reagim zyrtar në lidhje me incidentin e ndodhur në 16 janar të këtij viti. Autor i këtij incidenti identifikohet punonjësi i policisë doganore malazeze Dragan Scekic, për të cilin konfirmohet se ka nisur hetimi, por nuk sqarohet nëse vijon të jetë në detyrë ose jo.
Më 17 janar, mediat në Shqipëri raportuan për një incident të ndodhur me një shtetas shqiptar, pranë kufirit të Shqipërisë me Malin e Zi. Krahas lajmit, i cili qarkulloi masisisht në media online, u publikua edhenjë video, ku tregohej se personi i identifikuar sisekretari për Çështjet Ekonomike dhe Financave nëPartinë e Lirisë, Petraq Milo, kishte rënë pre e dhunës nga autoritetet malazeze.
Lajmi i publikuar nga “Balkanweb”
Ajo që vihet re në të gjitha mediat online që kanë shpërndarë këtë artikull, është se i janë referuar një videoje të publikuar nga portali ‘JOQ’, pa dhënë detaje të mëtejshme për incidentin.
Lajmi i publikuar nga “Gazeta Shqiptare”
Nisur nga kjo video, Faktoje bëri një verifikim në lidhje me ngjarjen e ndodhur dhe reagimin e autoriteteve të të dy shteteve, Malit të Zi dhe Shqipërisë. Ne siguruam reagimin zyrtar nga autoritetet malazeze të cilat konfirmojnë incidentin, duke shtuar se kanë nisur hetimet për të zbuluar rrethanat e ngjarjes.
“Punonjësit e Sektorit të Policisë Kufitare dhe Qendrës Rajonale të Policisë Kufitare tashmë kanë ndërmarrëdhe janë duke ndërmarrë masa dhe veprime zyrtare për konstatimin e gjendjes faktike dhe të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me sjelljen e punonjësve të policisë kufitare të Malit të Zi ndaj shtetasve të Republikës së Shqipërisë dhe mbi bazën e të cilave eventualisht do të ndërmerren masa të tjera në përputhje me ligjet e Malit të Zi”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Malit të Zi.
Njoftimi për shtyp i Policisë së Malit të Zi
Në këtë njoftim nuk jepen të dhëna nëse polici në fjalë është pezulluar apo vijon të jetë në detyrë pas këtij incidenti.
Ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion edhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, ku ndër të tjera e pyetëm nëse kishin pasur komunikim me palën malazeze mbi incidentin e raportuar.
Kërkesa për informacion dërguar Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, 25 janar 2023
Zyrtarisht Ministria e Punëve të Jashtme i ktheu Faktojes këtë përgjigje:
“Ambasada jonë në Malin e Zi informon se në datën 16 janar 2023, nga burime konfidenciale në vendngjarje, është njoftuar se në PKK të përbashkët Sukhobin/Murriqan, konkretisht brenda territorit malazez, ka ndodhur një incident i dhunshëm me një shtetas shqiptar (i identifikuar nga ana e jonë si Z. Petraq Milo), i cili është keqtrajtuar nga një oficer i policisë kufitare malazeze (i identifikuar nga ana e jonë si oficeri Dragan Scekic).
Më tej, në njoftimin e Ambasadës tonë në Mal të Zi, thuhet se pas këtij njoftimi të besueshëm, Ambasada ka kontaktuar shtetasin e përfshirë, dhe të keqtrajtuar duke siguruar marrjen e informatave dhe versionin e tij lidhur me ngjarjen”.
Gjithashtu, ambasada njofton se shtetasi shqiptar nuk ka bërë denoncim me shkrim, as pranë autoriteteve malazeze dhe as pranë autoriteteve në PKK Murriqan.
“Pasi ka konstatuar sa më lart, Ambasada jonë ka marrë menjëherë kontakte direkte me Drejtorin e Përgjithshëm të Policise se Shtetit, z. Zoran Berzhanin si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Qeverisë, z. Ilir Harasani.
Në këto komunikime, Ambasada jonë ka kërkuar identifikimin e menjëhershëm të oficerit dhunues dhe marrjen e masave të nevojshme administrative për të dënuar dhe për të penalizuar oficerin apo oficerët e përfshirë në këtë incident të pakëndshëm dhe të dënueshëm.
Pa vonesë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë në Podgoricë ka identifikuar oficerin e përfshirë në këtë incident dhe i ka kërkuar drejtuesit të PKK Sukhobin informacion me shkrim mbi rrjedhën e incidentit”, sqaron më tej Ministria e Jashtme.
Ndërkohë, thuhet se Drejtoria e Shërbimit të Brendshëm në Policinë e Shtetit në Podgoricë ka nisur procesin e hetimit policor për Dragan Scekic, oficer i policisë kufitare të PKK Sukhobin, për rastin në fjalë dhe për raste të tjera të mundshme.
Sipas përgjigjes zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ambasadori shqiptar në Mal të Zi, z.Ridi Kurtezi ka kërkuar marrjen e masave administrative për të dënuar dhe për të penalizuar çdo oficer policie që bëhet protagonist i incidenteve të pakëndshme. ”– shkruan ndër të tjera MPJ për Faktoje.
Ne kontaktuam edhe me zotin Petraq Milo në lidhje me incidentin e ndodhur, por nuk morëm një përgjigje nga ai.
*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor
Redaktoi Viola Keta & Aimona Vogli