Preparatet e ofruara nga portalet janë të bazuara në mjekë dhe intervista-dëshmi të rreme. Faktoje verifikoi një tjetër artikull me këshilla mjekësore kundër papilomave, ku rezultoi se gjithçka është e sajuar me qëllim shitjen e produktit.
Trajtimi i parazitëve nëpërmjet një preparati të quajtur “Germostop” është sugjerimi i radhës që ofrohet në artikujt e portaleve. Sipas këtij shkrimi, pretendohet se produkti është zgjidhja kundër papilomave, të cilat supozohet se vijnë si shkak i parazitëve.
“Dëgjoni! Mjekёve i ёshtё ndaluar të flasin për këtë: Papilomat herët a vonë, do t’ju dërgojnë në varr, tё cilёt degjenerohen në një tumor te keq! Mundësia është e madhe!”-shkruan faqja e ndërtuar në formatin e një portal informimi, që mban emrin “Fshat i gjallë”.
Screenshot, lajmi i publikuar nga portali
Artikulli është i shkruar plot gabime drejtshkrimore dhe logjike, çka është një tregues mbi seriozitetin e portalit. Nisur nga këto elementë dhe interesi publik që kanë çështjet e shëndetit, “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikimit të artikullit.
Fillimisht, portali ka përdorur një pacient që sipas tyre quhet Lefter dhe është nga Fieri. Gjitashtu është publikuar edhe një foto, për të ilustruar personin në fjalë. Mirëpo, nga një kërkim që Faktoje bëri, duke përdorur mjetet e verifikimit të fotove, rezulton se imazhi qarkullon në rrjet që prej vitit 2014 dhe personi në foto gjendet edhe në disa artikuj në gjuhën ruse.
Në lajmin e publikuar është përmendur edhe emri i një mjeku, të quajtur në versionin shqiptar, Shkëlzen Prelani. Më anë të një verifikimi që bëmë, nuk rezulton që emri në fjalë të jetë në listën e mjekëve në vendin tonë. Ndërsa foto e përdorur për të ilustruar mjekun, në fakti i përket doktorit rus Alexander Myasnikov.
Veç kësaj, nga kërkimi në Google rezulton se i gjithë artikulli i portalit është përkthyer nga një faqe në gjuhën ruse dhe personazhet e përdorur janë të rremë.
Përdorimi i mediave online për të shitur produkte të caktuara për shëndetin është kthyer në një shqetësim serioz. Në një sërë artikujsh, Faktoje ka treguar se si portalet po përpiqen të mashtrojnë qytetarët, duke përdorur identitete mjekësh apo edhe “shpikur” profesionistë të shëndetësisë, me qëllim që ta bëjnë sa më të besueshëm për lexuesit online.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin