.

.

BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizash“Deputeti” që akuzon Ukrainën për masakrën në Bucha, i arratisur në Rusi prej fillimit të luftës

“Deputeti” që akuzon Ukrainën për masakrën në Bucha, i arratisur në Rusi prej fillimit të luftës

Ina Allkanjari

Deklarata e politikanit ukrainas me bindje proruse, ish kandidat për president, Ilya Kiva se masakra në qytetin Bucha u krye nga vetë Ukraina dhe britanikët, shokoi mbarë opinion. Ky lajm qarkulloi edhe në Shqipëri, ndaj Faktoje bëri një verifikim të thelluar nga i cili rezulton se Kiva, një ish deputet i ekstremit të djathtë, u arratis në Rusi prej fillimit të luftës. Ka dyshime të forta se deklaratat janë bërë ndërsa ai ndodhej në territorin rus ku ka kërkuar azil politik dhe shtetësi ruse. Burimet zyrtare në Ukrainë i konfirmuan Faktoje se Kiva akuzohet për tradhëti kombëtare, ndërsa dëshmitarë të masakrës në Bucha tregojnë prova se si ushtria ruse kreu masakrën mes qytetarëve.

——————————————-

“Erdhën herët në mëngjes, bllokuan të gjithë zonën, shpërndanë kufomat në buzë të rrugës dhe thirrën mediat të filmonin”. Kështu deklaroi në fillim të muajit prill Ilya Kiva, ish-deputeti i parlamentit ukrainas, i cili akuzoi shërbimet sekrete të Ukrainës dhe Britanisë së Madhe si autorët pas masakrës në Bucha, Ukrainë.

Kjo deklaratë e politikanit ukrainas Kiva u shpërnda edhe në media të ndryshme shqiptare me titujt: “Shokon deputeti ukrainas: Masakrën në Bucha e bënë ukrainasit me britanikët”; “Deputeti prorus i Ukrainës: Masakrën në Bucha e shkaktuan vetë ukrainasit në bashkëpunim me britanikët”; “Trondit botën deputeti ukrainas: Masakrën në Bucha e shkaktuan vetë ukrainasit në bashkëpunim me britanikët”.

Çfarë dimë për politikanin Ukrainas që akuzon vendin e tij për masakrën në Bucha

Nisur nga deklarata shokuese e cila bëri xhiron e mediave dhe rrjeteve sociale në botë, Faktoje vendosi të bëjë një kërkim mbi këtë person, duke e nisur nga një klikim i emrit të tij në internet. Sipas Wikipedia, Ilya Kiva, 44 vjeç, është një politikan ukrainas, anëtar i së djathës ekstreme, ish kryetar i Partisë Socialiste (siç rezulton, e krijuar nga anëtarë të Partisë Koministe të ish Bashkimin Sovjetik) dhe kandidat i pasuksesshëm për president në vitin 2019. Më pas është zgjedhur deputet i partisë proruse dhe euroskeptike “For Life” derisa këtë vit parlamenti i hoqi mandatin e deputetit për shkak të qëndrimeve fortësisht proruse.

Gjithnjë sipas Wikipedia, Kiva u arratis drejt Rusisë në fillim të luftës kundër Ukrainës ku ka kërkuar marrjen e shtetësisë ruse.

Faktoje bëri një verifikim të thelluar përmes burimeve zyrtyare, duke iu drejtuar fillimisht Ambasadës së Ukrainës në Shqipëri. Nëpërmjet një kërkese për informacion ne kërkuam të mësonim si qëndron e vërteta e deklaratës së politikanit ukrainas.

Kërkesa për Informacion drejtuar Ambasadës së Ukrainës në Shqipëri

Në përgjigjen për Faktoje, Ambasada e Ukrainës në Shqipëri shkruan se Ilya Kiva akuzohet për tradhëti kombëtare.

“Ilya Kiva nuk është deputet i Ukrainës. Nga fillimi i luftës, ai ndodhet në territorin e Federatës Ruse. Nga Prokuroria e Ukrainës është bërë kërkesë, pasi dyshohet për tradhti kombëtare”.

Përgjigjja e Ambasadës së Ukrainës në Shqipëri

Ne kërkuam informacion edhe nga njëra prej organizatave fact checking në Ukrainë, Stop Fake, e cila ashtu si Faktoje është anëtare e Rrjetit Ndërkombëtar të Verifikimit të Fakteve (IFCN), në lidhje me deklaratën e Kiva.

Komunikimi me organizatën fact-checking ‘Stop Fake’ në Ukrainë

Organizata “Stop Fake” në përgjigjen e saj për Faktoje tregon se grupi i gazetarëve faktverifikues, gjatë vëzhgimit në terren për masakrën në Bucha, raportojnë se ndaj popullsisë civile paqësore të Ukrainës u ushtrua brutalitet ekstrem nga ushtria ruse.

Përgjigja e organizatës fact-checking Stop Fake në Ukrainë

“Nuk ka dyshim se popullsia civile paqësore e Ukrainës iu nënshtrua dhunës dhe brutalitetit ekstrem nga ushtria ruse. Dëshmitë e shumta të banorëve vendas nga qytetet e zonës së Kievit që kanë qenë nën pushtimin ushtarak rus për një muaj, e konfirmojnë këtë. Disa prej tyre tashmë janë dokumentuar nga organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Human Rights Watch”- shkruan organizata Stop Fake në një prej artikujve verifikues mbi masakrën.

Më tej organizata Stop Fake na informoi se nga verifikimi u konstatua se trupat ruse ushtruan dhunë ndaj civilëve ukrainas dhe sipas tyre për këtë nuk ka asnjë dyshim, ndërsa thekson se kjo mund të vërtetohet nga dëshmitë e shumta të banorëve të rajonit të Kievit.

“Në veçanti, kryetari i bashkisë së Bucha, Anatoly Fedoruk, raportoi zbulimin e një varri masiv ku ishin varrosur 280 civilë dhe dhjetëra kufoma shtriheshin në rrugë, disa prej tyre me duar të lidhura pas shpine dhe me shenja torture”- shkruan  ndër të tjera organizata Stop Fake.

Faktoje iu drejtua edhe zëvendësministrit të Punëve Sociale dhe Teknologjisë së Ukrainës, Kostiantyn Koshelenko.

Në përgjigjen e tij për Faktoje, Zv. Ministri shkruan:

“Ilya Kiva është një politikan skandaloz pro-rus që ka më shumë gjasa të financohet nga Rusia dhe tani është arratisur. Masakra në Bucha dhe Irpen u krye nga trupat ruse. Të gjitha provat u mblodhën nga shërbimet përkatëse të Ukrainës së bashku me vëzhguesit ndërkombëtarë dhe u bënë publike”.

Përgjigja e zv.ministrit të Punëve Sociale dhe Teknologjisë së Ukrainës, Kostiantyn Koshelenko

Dëshmitari okular, tregon për nisjen e masakrës në Bucha

Sociologu ukrainas njëkohësisht edhe ekspert komunikimi, Dmitry Gromakov, dëshmitar okular kur nisi masakra në Bucha, tregon për Faktoje detaje të sulmit.

“Pikat e para të kontrollit që bllokonin daljen nga Bucha u shfaqën në fillim të marsit. Ata ishin vendosur në daljen perëndimore nga qyteti në autostradën Varshavskaya pranë qendrës tregtare Epiqendra, në rrugë. Ditët e para, pushtuesit rusë u përpoqën të mos kishin kontakt me vendasit. Postblloqet e lëvizshme të pushtuesve në rrugët e qytetit siguruan kontrollin e pasaportave dhe shkatërrimin e mjeteve të komunikimit të banorëve vendas”- tregon politologu ukrainas.

Më tej Gromakov u shpreh për Faktoje se në ditët në vijim, kur nisën të shënoheshin viktimat e para, ishte e ndaluar të lëvizje kufomat nga rruga.

“Njerëzit e qëlluar në makinat e tyre ose vetëm në rrugë pranë dyqaneve mbetën të shtrirë atje. Ndërsa situata ushtarake rreth Bucha dhe Irpen u përkeqësua, filluan problemet për furnizimin e pushtuesve rusë, nisën bastisjet e rregullta, ushtarët bëheshin gjithnjë e më të zemëruar dhe më të ashpër me popullsinë civile. Diku nga data 6-7 mars u përfol për fillimin e operacioneve të spastrimit në periferi të Buchas. Ushtarët rusë filluan të kontrollonin shtëpitë. Nëse nuk kishe kohë ta hapje derën, ata e thyenin dhe njerëzit rriheshin dhe u mereshin ushqimet. Ata që u përpoqën t’i rezistonin kësaj mund të vriteshin pikërisht në oborrin e shtëpisë së tyre”- shtoi Gromakov.

Screenshot, pjesë nga komunikimi me sociologun ukrainas dhe ekspertin e komunikimit Dmitry Gromakov

Sipas ekspertit Gromakov korridori i parë humanitar nga Bucha ishte shumë i përgjakshëm. Ai thekson se gjatë kësaj periudhe ushtria ruse lejoi të kalonin vetëm autobusët e evakuimit, por filloi të qëllonte mbi automjetet civile që lëviznin në një kolonë.

“Ne u larguam vetëm më 11 mars në korridorin e tretë humanitar, pak orë pasi filloi pastrimi i rrugës sonë. Ne u detyruam të kalonim pranë këtyre makinave të qëlluara dhe fqinjëve të vdekur. Dhe pikërisht një javë më vonë, kur u bë e qartë se trupat ruse nuk mund të mbanin Buchan dhe Gostomelin, ndodhi “Masakra në Buça”- u shpreh politologu ukrainas Dmitri Gromakov për Faktoje.

Gromakov thekson se rezistenca e shoqërisë ukrainase ndaj propagandës ruse dhe gatishmëria për të rezistuar krijoi një mjedis agresiv për ushtrinë ruse.

“Agresiviteti i mjedisit u nxit nga sjellja paranojake e ushtarakëve rusë, për të cilët ishte më e lehtë të vrisnin një kalimtar sesa të kuptonin se kush ishte. Nga ana tjetër, asnjë nga rusët nuk e dinte se sa do të jetonte, dhe kjo mungesë shprese përballë vdekjes ngurtësoi zemrat e tyre. Nisur nga këto arsye, “Masakra në Buça” është një krim lufte i provokuar nga politika çnjerëzore e udhëheqjes ushtarako-politike ruse si ndaj ushtrisë së vet, ashtu edhe ndaj ukrainasve në përgjithësi”- u shpreh sociologu ukrainas Dmitri Gromakov për Faktoje.

Dizinformimi mbi masakrën në Bucha

Menjëherë pasi trupat ukrainase hynë në qytetin Bucha, qarkulluan video, foto dhe dëshmi të masakrës së popullatës civile, informacione të shumta u publikuan në media në mbarë botën duke ngritur dyshime nëse autorët e masakrës ishin rusët, apo kjo ishte inskenuar nga pala ukrainase.

Sipas palës ruse, civilët në Bucha vdiqën si pasojë e bombardimeve me artileri të qytetit pas largimit të trupave ruse.

Korrespondenti ushtarak rus Alexander Kots deklaroi në 4 prill se gjatë çlirimit të qytetit, “ushtria ukrainase qëlloi mbi gjithçka që lëvizte, veçanërisht mbi njerëzit me shirita të bardhë, mbi civilët”.

Ndërkohë fotot satelitore të shpërndara nga New York Times  po në 4 prill tregojnë se kufomat qëndronin të shtrira në rrugët e Bucha prej gati 3 javësh, duke theksuar se ata janë vrarë gjatë periudhës kur qyteti ishte nën kontrollin rus. Fotografitë satelitore të ofruara nga Maxar Technologies për The Neë York Times dëshmojnë se të paktën 11 trupa të pajetë janë shtrirë në rrugët e qytetit që nga 11 marsi.

Një tjetër fakt që hedh poshtë pretendimet për vdekjen e civilëve gjatë bombardimeve janë duart e lidhura të viktimave. Fotot e publikuara nga pala ukrainase tregojnë se viktimat janë vrarë me të shtëna direkte me armë.

Më 5 prill, zëdhënësja e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut Liz Trossel tha se fotot dhe videot nga Bucha tregojnë qartë se njerëzit ishin objektiva të drejtpërdrejtë që u qëlluan për t’u vrarë. Sipas saj, ata janë qëlluar pikërisht në kokë, në një kohë kur shumë prej tyre i kishin duart e lidhura.

Gjatë kërkimit mbi masakrën në Bucha, Faktoje gjeti të dhëna të raportura nga një gazetar i Reuters i cili ndodhej në Bucha dhe konfirmoi se në rrugët e qytetit u gjetën trupa të tre personave, të qëlluar me plumb në kokë, ndërsa njëri prej tyre kishte duart e lidhura. Sipas tij në asnjë nga këto raste nuk u gjetën lëndime të tjera në kufoma.

Gjithashtu organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch ka mbledhur rrëfime të dëshmitarëve okularë të masakrave, sipas së cilës tregojnë për faktet e dhunës dhe vrasjeve të synuara nga ushtria ruse.

Histori të ngjashme janë mbledhur nga disa media kryesore botërore si Radio Liberty, CNN, Reuters.

Udhëheqësit botërorë kanë reaguar duke dënuar masakrën në Bucha, ndër to kryeministri britanik Boris Johnson i cilësoi vrasjet si “sulme të neveritshme” duke theksuar se Putini dhe ushtria e tij po kryejnë krime lufte në Ukrainë. Presidenti Joe Biden deklaroi gjithashtu se ajo që ndodhi në Bucha, ishte një krim lufte. Ndërkohë shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se vdekjet e civilëve në qytetin ukrainas të Bucha treguan “fytyrën mizore” të ushtrisë së presidentit rus Vladimir Putin.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img