.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëDekriminalizimi 2016-2020, Rama para dhe pas

Dekriminalizimi 2016-2020, Rama para dhe pas

MARJO BRAKAJ

Ligji i dekriminalizimit u vlerësua si proces jetik për pastrimin e politikës nga kryeministri Rama gjatë konferencës së Këshillit të Atlantikut.”Faktoje” ballafaqoi këtë qëndrim të kryeministrit më 6 shkurt 2020 me një intervistë të tij në maj të 2016-s. Çfarë e bëri kryeministrin Rama të ndryshojë mendim mbi “Ligjin për Dekriminalizimin” 4 vite më pas?

……………………………………………………………………………………………………………………………….

Në “Këshillin e Atlantikut”, gjatë një konference për shtyp, i pyetur nga gazetarët, kryeministri Edi Rama e vlerësoi “Ligjin për Dekriminalizimin” si një arritje në bashkëpunim me SHBA-të.

 “Me ndihmën dhe nxitjen e miqve amerikanë hartuam një akt ligjor, që quhet ligji për dekriminalizimin, për të gjithë ata që duan të zgjdhen. Për të gjithë ata ka një kontroll të imtësishëm të gjithë historisë së jetës së tyre dhe në qoftë se kanë ndonjë lloj dënimi, nuk mund të zgjidhen.”-tha kryeministri Rama.

Por ndryshe nga çka deklaroi të enjten e 6 shkurtit 2020, kryeministri Edi Rama kishte një tjetër qëndrim në 2016-n. Në një intervistë për emisionin “Top Story” në 26 Maj të atij viti, Rama e konsideronte “Ligjin për Dekriminalizimin” si një lojë të Partisë Demokratike dhe se asnjë deputet apo funksionar i zgjedhur i PS-së nuk do cenohej nga ky ligj.

“19 kriminelët e paralajmëruar nga PD-ja nuk janë zbuluar, asnjë deputet i PS nuk rezulton të jetë subjekt i ligjit të dekriminalizimit. Është ligji ai që vendos se kush janë ata që nuk e meritojnë të qëndrojnë aty dhe kush mund të qëndrojë dhe fakti që asnjë deputet dhe i zgjedhur i PS nuk cënohet nga ky ligj tregon që kemi qenë të hapur, të vërtetë. Rezulton se ata janë në një telash shumë të mëdh, sepse ju kanë dalë nga ferrat personazhe që deri dje PD mbase nuk i dinte, apo nuk i konsideronte brenda grupit të vet parlamentar.

Konstatimet nga “Faktoje”:

 “Ligji për Dekriminalizimin” është një propozim i Partisë Demokratike në vitin 2014, si një tentativë për të pastruar parlamentin nga persona me të shkuar kriminale. PD hartoi një draft-propozim i cili, përmes formularëve të vetëdeklarimit synonte të ndalonte kandidimin, punësimin në administratë dhe zgjedhjen në poste publike. Në këtë ligj parashikohen rreth 80 vepra të ndryshme penale, të cilat nëse janë kryer, e bëjnë të pamundur zgjedhjen e subjektit në këto detyra.  

Ligji u miratua pas dakordësisë mes PS e PD (me mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar), pavarëisht refuzimeve të mëhershme të PS. Zbatimi i “Ligjit për Dekriminalizimin”, që hyri në fuqi në 2015-n, penalizoi disa të zgjedhur të Partisë Socialiste.

  1. Në vitin 2016, KQZ i hoqi mandatin kryebashkiakut socialist të Kavajës Elvis Rroshi,  i dënuar më parë për vepra penale në Itali e Zvicër.
  2.  Në shkurt 2017, prokuroria kërkoi heqjen e mandatit për deputetin e PS Armando Prenga për precedentë të mëparshëm penalë. Prenga, pak ditë pas kërkesës, dha dorëheqjen.
  3. Në prill 2017, prokuroria kërkoi dhe heqjen e mandatit për deputetin socialist të Qarkut Gjirokastër, Vladimir Kosta, pasi u zbulua se ai kishte fshehur një dënim për armë -mbajtje pa leje.

*Faktoje i referohet rasteve pas muajit maj të 2016-s (kur Rama ka dhënë intervistën në “Top Story”)

Dekriminalizimi dhe kryebashkiakët e “30 qershorit”

Pas zgjedhjeve pa garë të 30 qershorit 2019, thuajse të gjitha bashkitë u fituan nga kandidatët e Partisë Socialiste.

Partia Demokratike, e cila bojkotoi këto zgjedhje denoncoi në vijimësi, kryebashkiakët që sipas saj ishin subjekt i ligjit të dekriminalizimit dhe nuk mund të ushtronin këtë detyrë.   

  1. Valdrin Pjetri, Bashkia Shkodër
  2. Agim Kajmaku, Bashkia Vorë (aktulisht i shpallur në kërkim nga policia)
  3. Mark Babani, Bashkia e Vaut të Dejës
  4. Qerim Ismailaj, Bashkia Mallakastër
  5. Agron Malaj, Bashkia Mat

Nga verifikimi i “Faktoje” për deklaratën e kryeministrit Rama për dekriminalizimin në 6 shkurt të këtij viti dhe atë të 26 majit të 2016, rezultojnë se ato janë të pavërteta.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img