Foto nga OLIVER BUNIC / AFP

Barbara Halla- Më 6 mars, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç priti në Beograd, Milorad Dodik, Presidentin e Republikës Srpska, për të diskutuar situatën në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Pas takimit, Vuçiç dha një deklaratë ku e akuzoi Sarajevën zyrtare se po përdor Bashkimin Evropian si një justifikim për të shkatërruar Republikën Srpska dhe si pasojë për të dobësuar elementin serb në rajon.

“Ka gëzim në Sarajevë për gjithë këtë, dhe ata po përpiqen të përdorin Evropën si një kalë trojan për projektet e tyre politike, shkatërrimin e RS,”  tha ai.

Kjo deklaratë e Vuçiç vjen pas fjalimeve të tjera të ngjashme ku ai akuzon se Bashkimi Evropian (dhe Perëndimi në përgjithësi), po përpiqen të hedhin poshtë regjimin e tij në Beograd.

Ai e ka akuzuar BE-në si forcën pas protestave studentore që zgjasin tashmë prej disa muajsh në Beograd dhe që kanë kërkuar dorëheqjen e Vuçiç.

Megjithatë, deklaratat e Vuçiç janë të pabaza. Si protestat në Beograd që nisën në mënyrë organike, edhe vendimet e prokurorisë së Bosnjës që kanë kërkuar të merrnin në pyetje Dodik nuk vijnë nga presioni i Bashkimit Evropian, por nga aplikimi i ligjeve kombëtare si pasojë e veprimeve të Dodik që rrezikojnë integritetin territorial të Bosnjës.

Burim: 360grade.al

Deklaratat e Vuçic vijnë pasi me 26 shkurt, një gjykatë në Sarajevë dënoi Dodik me një vit burg dhe e ndaloi atë nga politika për gjashtë vjet për kundërshtimin e urdhrave të një të dërguari ndërkombëtar për paqen. Gjykata vendosi se Dodik nuk ka ekzekutuar vendimet e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnjë-Hercegovinë, Christian Schmidt, në vitin 2023, siç e parashikon ligji. Për më tepër, legjislatura e Republikës Srpska, nën drejtimin e Dodik, ka udhëzuar përfaqësuesit serbë në institucionet shtetërore që të bllokojnë reformat ligjore që janë thelbësore për integrimin e Bosnjës në BE.

Dodik e ka kundërshtuar vendimin e gjykatës, dhe ka vazhduar me politika të cilat synojnë ndarjen e Republikës Srpska nga Bosnja, duke përfshirë kalimin e ligjeve që do të refuzonin autoritetin e shtetit boshnjak.

Pasi Gjykata Kushtetuese e Bosnjës e ndaloi këtë ligj, Dodik u bëri thirrje serbëve etnikë që të largoheshin nga forca federale e policisë dhe gjyqësori.

Si pasojë e këtyre vendimeve, Bashkimi Evropian si dhe Shtetet e Bashkuara kanë lëshuar deklarata ku kanë dënuar politikat separatiste të Dodik, të cilat cënojnë integritetin territorial të vendit.

“Republika Srpska duhet t’i përmbahet Kushtetutës së Bosnjë dhe Hercegovinës, si dhe ligjeve të vendit, dhe të respektojë kompetencat dhe vendimet e institucioneve të vendit,” thuhet në vendim.

Bashkimi Evropian tha se do të dërgojë forca shtesë paqeruajtëse në Bosnjë-Hercegovinë ndërsa tensionet vazhdojnë të rriten midis qeverisë qendrore dhe udhëheqësve të entitetit etnik-serb të kombit ballkanik.

Megjithatë, qeveria federale në Bosnjë apo Gjykata Kushtetuese nuk po veprojnë sipas urdhërave të Bashkimit Evropian, por duke ndjekur Dodik, siç e ka vënë në dukje Faktoje edhe më përpara.

Nga ana tjetër, deklaratat e Vuçiç tregojnë përsëri se Serbia mbështet jo vetëm Dodik, por edhe Rusinë.

Pak ditë pas vendimit të gjykatës për arrestimin e Dodik,  Rusia ka dhënë haptazi mbështetjen e saj për liderin serb. A black text on a white background

AI-generated content may be incorrect.

Më 12 mars, Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës lëshoi një urdhër tjetër arresti kundër Dodik, duke e akuzuar se po cenon rendin kushtetues të vendit. Së bashku me Dodik, prokuroria ka lëshuar urdhra arresti edhe për kryeministrin e Republikës Srpska, Radovan Viskoviç si dhe kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska, Nenad Stevandiç.

Situata është ende në zhvillim pasi me datë 14 mars, si pasojë e urdhërave të arrestit, Parlamenti i Republikës Srspka kaloi një draft-kushtetutë i cili, nëse kalon, do të ripërcaktonte entitetin serb si shtet i popullit serb, do t’i jepte të drejtën e vetëvendosjes dhe do të themelonte ushtrinë e vet.

Vendimet e Dodik vazhdojnë të përkeqësojnë situatën në Bosnjë. Ndërkohë, deklaratat e Vuçiç, të cilat mbështesin Rusinë dhe e portretizojnë Bashkimin Evropian si armikun,  rrezikojnë të përkeqësojnë tensionet në rajon, përtej Sarajevës.