.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookDeklarata e Ramës për origjinën greke, një lajm i ‘ricikluar’ nga portalet

Deklarata e Ramës për origjinën greke, një lajm i ‘ricikluar’ nga portalet

Një deklaratë e bërë nga kryeministri Edi Rama mbi origjinën e tij është publikuar 3 muaj më parë nga portali “Gazetaz”, duke u sjellë si lajm aktual. Gjatë një verifikimi që Faktoje bëri rezulton se deklarata e shefit të qeverisë, ku i përgjigjet ministrit të jashtëm të Greqisë për origjinën, është bërë që në vitin 2019 nga Rama, teksa është nxjerrë jashtë kontekstit nga kjo media. Në vitin 2022 nuk ka asnjë deklaratë të bërë nga kryeministri Rama për këtë çështje, por ky lajm është risjellë nga portali “Gazetaz”.


Portali “Gazetaz”, 3 muaj më parë ka publikuar një artikull, ku pretendohej se kryeministri Edi Rama kishte folur për origjinën e tij.

‘S’kɑm ɑsnjë píkë gjɑku gɾek’, Rɑmɑ í pëɾgjígjet ɑshpëɾ mínístɾít gɾek: ɑsnjë qelízë ímjɑ s’është gɾeke, oɾtodoksët shqíptɑɾë jɑnë SHQÍPTARË”, është ky titulli i artikullit të portalit “Gazetaz”

Screenshot nga portali “Gazetaz”

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të këtij artikulli, për të informuar publikun në mënyrë të saktë mbi vërtetësinë e kësaj deklarate. Që në titull vihet re që artikulli ka gabime drejtshkrimore dhe shenja pikësimi që nuk janë të nevojshme. Gjithashtu vihet re se në titull ka fjalë që janë shkruar me shkronja kapitale, edhe pse kjo nuk është korrekte nga ana gramatikore. Përpos kësaj, nëse do shohim artikullin në brendësi, nuk mungojnë gabimet drejtshkrimore.

Artikulli nuk ka një datë kur është publikuar, por nëse futemi të bëjmë një kërkim te ky portal, na del që lajmi është publikuar tre muaj më parë.

Veç kësaj, për artikullin është përdorur një foto ku kryeministri Edi Rama shihet duke bërë shqiponjën, një mënyrë për ta bërë më “patriotik” lajmin, si dhe për të tërhequr audiencën.

Ne bëmë një kërkim të thjeshtë në “Google” dhe rezulton se ky lajm në fund të muajit prill ishte publikuar edhe nga një tjetër portal. Portali që e ka publikuar këtë lajm, saktësisht më 28 prill të këtij viti është “Live 24 daily”

Screenshot nga portali  “Live 24 daily”

Mirëpo, nga verifikimi i bërë rezulton se kjo deklaratë e kryeministrit Rama është bërë që në vitin 2019.

Në 30 korrik të vitit 2019, kreu i qeverisë i përgjigjej deklaratës së ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, pasi ky i fundit ishte shprehur se Rama kishte origjinë greke.

“E para e punës, kam në dejet e mia një miks dhe nuk do të isha aspak i mërzitur nëse do të kisha edhe një pjesë të gjakut grek, por nuk kam asnjë qelizë, se kam pasur këtë. Ndërkohë që kam ca rrjedha të tjera, ashtu sikur kam edhe rrjedha të brendshme nga Shkodra, në Mirditë në Berat, Vuno në Vlorë. Ortodoksët shqiptarë janë shqiptarë dhe grekët ortodoksë janë grekë. Gjithmonë qëllimi ka qenë marrëdhënia më të mira të mundshme”, shprehej kryeministri Rama në 2019.

Ndërsa, për sa i përket fotos së artikullit të “Gazetësz”, ajo është shkëputur gjatë një interviste që Rama ka dhënë për televizionin serb “Pink TV” në muajin maj të 2019-s.

Nga kërkimi ynë rezulton se as artikulli dhe as fotoja nuk janë aktuale, por janë sjellë nga portali, si një mënyrë për të tërhequr dhe manipuluar audiencën.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img