.

.

BallinaAktualitetDeklarata e ministres Kushi për mësim pa turne, çorienton sërish prindërit

Deklarata e ministres Kushi për mësim pa turne, çorienton sërish prindërit

“Nga dita e hënë e javës së ardhshme, pa turne dhe me kohëzgjatje normale të orëve mësimore”. Kjo u njoftua të premten pasdite, më 1 tetor nga Ministrja e Arsimit Evis Kushi, e cila deklaroi se prej të hënës orët mësimore do të zgjasinin 45 minuta. Por ky vendim, i ardhur pas 1 jave nga fillimi zyrtar i vitit arsimor, ka krijuar sërish probleme për prindërit, të cilët i kishin përshtatur fëmijët me normalitetin e ri.

……..

Nëpërmjet një njoftimi të rëndësishëm, ministrja e Arsimit, Evis Kushi bëri të ditur pasditen e datës 1 tetor që nxënësit do t’i rikthehen mësimit normal.

Pra, orët e mësimit do të jenë 45-minutëshe, ashtu siç ishin para nisjes së pandemisë dhe në klasa nxënësit do të jenë të gjithë së bashku, duke u ulur nga dy fëmijë në bankë.

“U jam mirënjohëse ekspertëve, të cilët duke marrë parasysh ecurinë mjaft të mirë të vaksinimit të mësuesve, tashmë mbi 88% të vaksinuar, na dhanë mundësinë që të rikthejmë mësimin normal në të gjitha shkollat tona duke filluar që nga dita e hënë e javës së ardhshme, pa turne dhe me kohëzgjatje normale të orëve mësimore”, deklaroi ministrja e Arsimit, Evis Kushi.

 

Postimi i ministers Kushi në Facebook

Pavarësisht normalizimit të orëve të mësimit, në disa shkolla të kryeqytetit vazhdon fenomeni i mësimit me turne, ku nxënësit e turnit të pasdites duhet të qëndrojnë deri në orën 17:30 në mësim.

Fakti që ministrja deklaroi se “mësimi do jetë pa turne” ka sjellë konfuzion të disa prindër, fëmijët e të cilëve duhen të ndjekin mësimin pasdite.  Ata i kanë dërguar fëmijët që në orën 08:00 në shkolla, edhe pse ishin njoftuar nga mësuesit përkatës për ndryshimin e bërë.

Një problem i tillë është hasur në disa shkolla në kryeqytet dhe mësuesit kanë bërë thirrje që prindërit të shkojnë menjëherë t’i marrin.

“Ne jemi pasdite, e gjithë klasa fillon në 12:30-16:35. Kush e ka çuar fëmijën në shkollë të shkojë urgjentisht ta marrë. Nuk ka klasa, nuk ka vend”, shkruan ndër të tjera mësuesja e një prej shkollave në kryeqytet, në mesazhin e drejtuar prindërve.

Mesazhi i mësueses për prindërit

Nga ana tjetër, prindërit shprehet në shqetësuar se rikthimi i orëve të mësimit në 45 minuta, vjen vetëm pas një jave nga nisja zyrtare e vitit të ri shkollor. Ata shprehin shqetësimin për vendimin e menjëhershëm, të bërë gjatë pasdites së premtes, duke i detyruar që me ndryshimin e bërë, të rregullojnë sërish oraret në punë dhe në qendra pas shkolle, në mënyrë që të ndjekin shkollimin e fëmijëve të tyre.

“Më duket i paarsyeshëm vendimi i Ministrisë së Arsimit për të ndryshuar mënyrën se si do të zhvillohet procesi mësimor në këto momente, kur shkolla ka vetëm një javë që ka nisur. Vetëm pak ditë më parë, mundëm së bashku me mësuesen, të binim dakord më në fund për turnet dhe oraret e mësimit, duke rregulluar në varësi të këtyre orareve edhe aktivitetet tona të përditshme, përfshirë edhe punën, por me ndryshimin e fundit, çdo gjë nis nga fillimi.

Përveç kësaj, shkolla ‘Kosova’ ku mëson fëmija im, është një shkollë e vogël. Janë 40 fëmijë në një klasë dhe, dyshoj që të përmirësohet cilësia e mësimdhënies duke i bërë orët 45 minutëshe, duke qenë se mësuesja nuk arrin t’i kontrollojë dot të gjithë fëmijët brenda orës mësimore”, thotë një nënë 39-vjeçare për Faktoje.

Peticioni

Pak ditë më parë prindërit e shkollave publike, nisën firmosjen e një peticioni për realizimin e plotë të orëve, pasi skenari që mësimi të bëhet me orë të shkurtuara dhe me turne, cënonte cilësinë e mësimdhënies.

Ata argumentonin se ishte e pakuptimtë që të bëhej mësim i reduktuar, në një kohë kur të gjitha aktivitetet e tjera zhvilloheshin normalisht dhe shkollat private bënin mësim të rregullt.

Pamje nga nënshkrimi i peticionit nga prindërit në Tiranë, foto LSA

Mësimi me turne

Në një shkrim të publikuar pak ditë më parë, Faktoje ka verifikuar se shkak për mësimi me turne është edhe mungesa e shkollave, ndërsa në ato ekzistuese nëpër fshatra mungojnë kushtet bazike, si uji.

Ndërkohë që sipas udhëzimit “mbi kujdesin dhe masat anti Covid-19” në strukturat arsimore parauniversitare për vitin shkollor 2021-2022 përcaktohet qartë se nxënësit duhet të ruajnë distancën 1.5 m në klasa. Gjithashtu, mësuesit dhe nxënësit duhet të jenë të pajisur me maska gjatë qëndrimit të tyre në shkollë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img