.

.

BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashDeklarata e Biden për gazsjellësin rus u nxorr jashtë kontekstit

Deklarata e Biden për gazsjellësin rus u nxorr jashtë kontekstit

Faqja pro-Erdogan në Facebook “Support for Erdogan from Balkan” ka shpërndarë një klip të presidentit amerikan Joe Biden jashtë kontekstit për të aluduar se shpërthimet në gazsjellësin Nordstream kanë qenë vepër e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se klipi i nxjerrë jashtë kontekstit është pjesë e fushatës së keqinformimit të Kremlinit.

Patris Pustina

Shpërthimi në tubacionet e gazsjellësit rus Nord Stream 1 dhe 2 është nga ngjarjet më të fundit që po përdoret për të furnizuar fushatat e keqinformimit të orkestruara nga Rusia. Disa portale dhe faqe shqiptare po ndihmojnë për fat të keq në këtë fushatë duke i ripublikuar këto manipulime, siç është edhe rasti i faqes shqiptare në Facebook “Support for Erdogan from Balkan”.

Tubat e gazsjellësve rusë Nord Stream 1 dhe 2 që kalonin nën detin Balltik pësuan shpërthime më 26 shtator. Nord Stream 1 dhe 2 u ndërtuan për të dërguar gaz nga Rusia në Gjermani, por në kohën e shpërthimit nuk ishin aktivë. 

Ndërsa ngjarja është ende duke u hetuar, ajo është bërë tashmë material për spekulime dhe keqinformim strategjik në Shqipëri dhe mbarë Botën. “Faktoje” vendosi të hedhë më tepër dritë mbi këtë rast keqinformimi si një dëshmi e mëtejshme se si propaganda ruse shtrembëron të vërtetat. 

Pak ditë pas shpërthimit ne detit Baltik, ishte presidenti rus Vladimir Putin, i cili pretendoi se shpërthimi ishte “sabotazh” i Anglo-Saksonëve, domethënë Mbretëria e Bashkuar ose ShBA. Presidenti amerikan Joe Biden gjithashtu e quajti shpërthimin “një akt i qëllimshëm sabotazhi,” duke shtuar se “rusët po pompojnë keqinformim dhe gënjeshtra.”

Por, në 28 shtator, Ministria e Punëve të Jashtme ruse postoi klipin e mësipërm të Biden duke e shoqëruar me tekstin: “Presidenti amerikan Joe Biden duhet të përgjigjet nëse ShBA kanë vepruar për sa i përket kërcënimit të tyre, në 25 dhe 26 shtator 2022, kur një incident ndodhi në tre degët e Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2, paraprakisht i cilësuar si çarje tubacionesh, me gjasa si rezultat i shpërthimeve”.

Klipi qarkulloi dhe u citua gjithashtu në mediat e mbështetura nga qeveria e Kinës si Shanghai Eye, China Daily, dhe Xinhua, gjithmonë për të mbështetur insinuatat se ShBA ishin përgjegjës për sabotazhin e Nord Stream.

Në klipin e shkëputur nga një konferencë e përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman Olaf Scholz në 7 shkurt 2022, Biden thotë:

Nëse Rusia pushton, që do të thotë tanke ose trupa që kalojnë kufirin me Ukrainën përsëri, atëherë nuk do të ketë më një Nord Stream 2. Ne do t’i japim fund.”

Biden po i përgjigjej, në fakt, pyetjes: “A jeni siguruar nga kancelari Scholz se Gjermania do të ndërpresë projektin Nordstream nëse Rusia pushton Ukrainën? Dhe a diskutuat mbi çfarë mund të jetë përkufizimi i “pushtimit”?”

Pas deklaratës së mësipërme të Biden, kancelari Scholz shtoi se “ne kemi përgatitur gjithshka për të qenë gati me sanksionet e nevojshme nëse ka agresion ushtarak kundër Ukrainës.”

Pra, qartazi, brenda kontekstit, bëhej fjalë për nëse Gjermania dhe ShBA do të punonin së bashku për të bllokuar projektin Nordstream për të ushtruar trysni ekonomike mbi Rusinë.

Në 28 shtator, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre, u pyet në lidhje me këtë çështje. Ajo u përgjigj se, në Shkurt, Biden kishte thënë që Nord Stream 2 nuk do të bëhej funksional dhe se ShBA do të punonte me Gjermaninë në këtë drejtim. Për këtë ai kishte të drejtë, sepse në fakt Gjermania pezulloi procesin e certifikimit të gazsjellësit në 22 shkurt, pasi Rusia njohu zyrtarisht dy rajonet separatiste të Luhansk dhe Donetsk.

Lexuesi kritik sjell nëpërmend se, megjithëse kjo deklaratë po përdoret si ‘provë’ që ShBA ka qenë pas shpërthimit të Nord Stream, gjasat janë që presidenti amerikan nuk do të shpallte qëllimin e tij për të sabotuar gazsjellësin rus publikisht. Biden po fliste, në fakt, për masa më pak drastike si, për shembull, sanksionet e vendosura kundër Nord Stream 2 që në shkurt 2022, si pasojë e të cilave, gazsjellësi ishte jo-funksional në kohën e shpërthimit.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img