.

.

BallinaNë lupën e Fakteve‘Deeuroizim’ me çmime në euro

‘Deeuroizim’ me çmime në euro

Ardi Pulaj

Banka e Shqipërisë ka vlerësuar se euroizimi në sistemin financiar ka ndikim të rëndësishëm në efektivitetin e politikave ekonomike. Por në 2017-n BSH nënshkroi një memorandum me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë e Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, për të inkurajuar përdorimin e lekut, që mund të konsiderohet si procesi i kundërt, apo deeuroizim. Pas masave në sistemin bankar ndër vite, si rritja e depozitave në lek apo likuiditeti në valutë në rënie, monedha europiane, ka ende një përdorim të gjerë. Faktoje bën një analizë se pse disa biznese në Shqipëri vijojnë të reklamojnë çmimet e tyre në euro dhe cili është efekti në procesin e deeuroizimit.

“Shitet apartament 2+1 në Liqenin e Thatë, 110 000 euro”, “dyshek 120×190 cm, 247.20 euro”. “set WC me vida të padukshme dhe kapak 268 euro”, këto janë disa nga produktet që gjenden në tregun shqiptar, çmimi i të cilave reklamohet në monedhën euro nga bizneset. Konsumatorët shqiptarë janë përballë këtij fakti, në një kohë që Banka e Shqipërisë ka nisur prej vitesh fushatën e deeuroizimit të ekonomisë shqiptare, që do të thotë, përdorimin më të gjerë të lekut dhe uljen e përdorimit të euros.

Ishte viti 2011, kur Banka e Shqipërisë, e shqetësuar se vendi po euroizohej me shpejtësi, sinjalizoi bankat që të favorizonin përdorimin e monedhës vendase, lekut në ekonomi dhe në sistemin bankar shqiptar kundrejt përdorimit të monedhës së huaj. Në atë kohë, kredia për ekonominë në valutë përbënte 65% të totalit, ndërsa pesha e depozitave ishte 48.3%, raportoi Monitor në 2018, disa muaj pasi Banka e Shqipërisë, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, kishin nënshkruar në 2017 një memorandum, pikërisht për deeuroizimin. Në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë, të publikuar në shkurt 2022 për çështjen e deeuroizimit theksohet se gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2021, lëvizjet mes treguesve kanë qenë në kahe të ndryshme, por me luhatshmëri të ulët. Treguesi “kredi në valutë ndaj totalit të kredive” është rikthyer mbi nivelin 50%; pesha e depozitave në valutë ka shënuar rritje të lehtë, duke vazhduar të luhatet rreth nivelit 51%. Në tërësi, gjatë periudhës nuk ka patur një prirje të qartë të ecurisë së treguesve të përzgjedhur. Kjo sa i përket sistemit bankar ku Banka e Shqipërisë luan rolin e rregullatorit.

Kurse, kur vjen puna te marrëdhëniet mes bizneseve që reklamojnë çmimet e tyre në euro dhe konsumatorëve, eksperti i ekonomisë Pano Soko thotë për Faktoje se fushata e Bankës së Shqipërisë për deeuroizimin, është vetëm sensibilizuese, sepse praktikisht është e pamundur që ky institucion të ndërhyjë në treg për të kushtëzuar monedhat e transaksionimit.

“Kodi Civil dhe ligjet tregtare nuk ndalojnë përdorimin e monedhave të huaja dhe kjo bëhet për shkak se ekonomia e tregut të lirë ka në themel të saj zgjedhjen e vetë mënyrës se si do të bëhet marrëveshja mes shitësit dhe blerësit. Deeuroizimi në vetëvete është një fushatë që përpiqet të ndërgjegjësojë aktorët tregtarë dhe të biznesit, përfshirë shitësit dhe blerësit për të shkuar drejt monedhës vendase, por deri këtu”, sqaron Sako.

 Pse tregti me çmime në euro?

Por pse kur ne duam të blejmë një produkt, çmimi ofrohet në euro? Për Pano Sokon, çështja e përdorimit të euros nga bizneset bëhet për të ruajtur atë që quhet stabilitet financiar. Për këtë qëllim një biznes, përpiqet që monedhën që aplikon ta ruajë përgjatë gjithë zinxhirit, duke filluar që nga blerja deri te shitja.

“Kështu ruhet nga luhatjet e kursit të këmbimit, apo nga humbjet prej tij. Duke adoptuar të njëjtën monedhë, ajo është shumë fleksibël në çmimet në monedhën vendase, duke i ndryshuar ato përditë, gjë që nuk mund të ndodhë me monedhën vendase që në fillim. Pra, kur ai thotë që do e shes me 50 euro, konvertimin e bën me kursin e ditës, por çmimin e mban të fiksuar, sepse kjo është pjesë e etikës së biznesit; mbajtja e çmimit të njëjtë, jo sot ndryshe, nesër ndryshe.” – thotë Soko.

Në fakt ofrimi i çmimeve në euro është pikërisht ajo që Banka e Shqipërisë kërkoi që të neutralizonte me fushatën e deeuroizimit.

“Një pjesë e mirë e transaksionit të biznesit sa i përket pasurive të paluajtshme dhe aseteve, kryesisht materialeve me jetëgjatësi të madhe, duke nisur nga pajisjet elektroshtëpiake, automjetet, janw kryesisht në euro. Pikërisht kjo ishte arsyeja pse u nis fushata e deeuroizimit, me qëllim vënien në përparësi të monedhës vendase. Efekti i tyre është negativ te kjo fushatë, pasi synimi ishte ulja e nivelit të lartë të transaksionimit në monedhën europiane,” thekson Soko.

A mund të ndërhyjë Banka e Shqipërisë te bizneset? Përgjigjja është thjesht JO

Banka e Shqipërisë nuk mund të përdorë mekanizma parandalues, të paktën e ka të pamundur nga pikëpamja ligjore, thotë eksperti i ekonomisë, që sqaron se gjithsesi BSH apo shteti shqiptar, më saktë Drejtoria e Tatimeve e ka të sanksionuar që monedha zyrtare e transaksionit, është leku.

“Përsa i përket aspektit fiskal, faturimet gjithmonë bëhen në lekë, pra faturat që lëshohen nga pajisjet e fiskalizimit apo të tjera tatimore janë në lekë. Edhe ato kompani që shesin mallin e tyre në euro, deklarimin zyrtar në Drejtorinë e Tatimeve e bëjnë gjithmonë në lekë. Deri këtu mund të shkojë. Vendosja me kusht për të përdorur monedhën lek, thyen rregullin e ekonomisë së lirë të tregut dhe e dyta është problemi që ka dhe efekte financiare. Ne përpiqemi që të mbajmë një lek sa më të stabilizuar në nivele të tilla që eksportet shqiptare të jenë atraktive, nëse ne do të kushtëzonim transaksionet vetëm në lekë, atëherë kërkesa për këtë monedhë do të rritej, vlera e saj do të rritej dhe euro do të zhvlerësohej akoma më tepër. Duke ndodhur kjo, do të bënte që mallrat e importit të ishin edhe më të lira dhe do të konkurronin prodhimin shqiptar; qumështi maqedonas vjen me 850 lekë sot, por nëse euro bie më shumë do të vijë me 800 lekë ndërkohë që qumështi shqiptar del me 1000 litri,” përfundon Soko.

*Fotoja kryesore marrë nga iStock photos.com

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img