.

.

BallinaProjekteQendra Kundër Dezinformimit e Ballkanit PerëndimorDebunking: Shqiptari nuk tentoi të vrasë liderin e opozitës në protestat e Shkupit

Debunking: Shqiptari nuk tentoi të vrasë liderin e opozitës në protestat e Shkupit

Atmosfera e gëzueshme që pritej nga hapja e negociatave midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut më 19 korrik u vu në rrezik nga protestat e që “mbytën” Shkupin në dy javët që paraprinë këtë ngjarje të rëndësishme. Një shqiptar i Maqedonisë së Veriut u akuzua se tentoi të vriste liderin e opozitës gjatë protestave dhe lajmi “morin dhenë” në mediat shqiptare dhe përtej. Por autoritetet maqedonase pranojnë se, shqiptari nuk ka tentuar të vrasë askënd dhe ai ka qëlluar në ajër.

Barbara Halla

Më datë 30 qershor, përgjatë samitit të NATO-s në Madrid, presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut kishin arritur një kompromis mbi çështjet kulturore dhe identitare që në vitet e fundit, kanë penguar rrugëtimin e kësaj të fundit dhe Shqipërisë drejt BE-së.

Burim: Top Channel

Brenda pak ditëve, rrugët e Shkupit u mbushën me mijëra maqedonas që protestuan të ashtu-quajturin “propozimin francez”, duke e konsideruar atë një cënim të identitet kombëtar maqedonas. Protestuesit mbajtën pankarta ku shkruhej “Ne nuk bëjmë negociata me fashistët” dhe “Jo, faleminderit”.

Burim: Radio Evropa e Lirë

Ata hodhën gurë dhe vezë ndaj ndërtesave qeveritare dhe dogjën fotografi të ministrave të kabinetit të Dimitar Kovaçevskit.

Në zhurmën e protestave të bujshme, shumë lajme të pakonfirmuara dhe të rreme morën dhenë, ndër të cilat akuza se protestat ishin ndikuar nga elementë rus dhe se një shqiptar u përpoq të vriste liderin e opozitës.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut mohon akuzat për atentant ndaj liderit të opozitës

Më 6 korrik, një qytetar shqiptaro-maqedonas, që më pas u identifikua nga policia dhe mediat si Isuf Koka, i drejtoi armën portestuesve të mbledhur në sheshin “Skënderbeg” në Shkup.

Burim: Panorama

Në ditët në vijim, pati disa keqkuptime dhe akuza ndaj veprimeve të Kokës. Ndonëse disa media raportuan se Koka përdori armën për të qëlluar ndaj pjesëmarrësve, një njoftim nga prokuroria e Shkupit e përgënjeshtroi këtë akuzë.

Burim: Dosja

Për më tepër Hristijan Mickoski, lideri i partisë më të madhe opozitare maqedonase VMRO-DPMNE dhe një nga organizatorët kryesor të protestave, deklaroi se Koka e kishte marrë në shenjestër duke tentuar ta vriste.

“Ky ishte njeriu që duhej të më vret sonte. Kërkoj që urgjentisht i njejti të arrestohet nga Spasovski dhe MPB,” Mickoski ka shkruar në Facebook, me foton e Kokës.

Por Ministri i Brendshëm maqedonas, Oliver Spasovski, i përgënjeshtroi dhe mohoi akuzat Mickoski.

Në intervista të mëtejshme me kolegët dhe familjarët e Kokës, të kryera kryesisht nga media shqiptare, ata thanë se Koka dhe shqiptarë të tjerë që dolën në Sheshin Skendërbeg, ishin aty për të mbrojtur pronat private, duke përfshirë një hotel nën pronësinë e Kokës. Me datë 20 korrik, Gjykata Penale e Shkupit e dënoi Kokën me katër muaj burgim, për nxitje e rrezikim të përgjithshëm ndaj qytetarëve.”

Protestat në shkup ishin organizuar nga Rusia

Protestat kundër propozimit francez janë mbështetur dhe përshkallzuar nga partia e djathtë konservatore, VMRO-DPMNE. Kjo e fundit ka një histori të ngushtë bashkpunimi me Rusinë, e cila në 2018, “bashkëpunoi me grupet nacionaliste të lidhura me partinë aktuale më të fuqishme opozitare të vendit, VMRO-DPMNE-në konservatore, dhe u angazhua në aktivitete të gjera të inteligjencës dhe mediave për të zvogëluar pjesëmarrjen në referendum për ndryshimin e emrit]” sipas një raporti mbi ndikimin e Rusisë në Ballkanin Perëndimor.

Për më tepër, në 2020, VMRO-DPMNE bashkëpunoi me partinë radikale “Të Majtët” për të hedhur poshtë qeverinë e Zoran Zaevit. Dy deputetë e kësaj partie u takuan me ambasadorin rus në Shkup në Mars të 2022 dhe përdorën gjuhën e propagandës ruse për të përshkruar luftën në Ukrainë. VMRO-DPMNE refuzoi thirrjet që ajo të denonconte dhe t’i largohej bashkëpunimit me të Majtët.

Për shkak të kësaj lidhjeje të ngushtë me Rusinë, e cila ka promovuar platformën e VMRO-DPMNE, kjo e fundit njihet si një parti pro-Ruse dhe kundër Bashkimi Europian. Si e tillë, pjesëmarrja e saj në protestat kundër propozimit francez është bërë shkas që protestat të përshkruhen si pro-ruse ose të paktën të nxitura nga Rusia.

Burim: Top Channel

Presidenti i Maqedonas së Veriut Stevo Pendarovski tha po ashtu se Rusia po i përdor këto protesta në interesin e vet dhe po rrezikohej kështu siguria e vendit.

Source: ABC News

Ministri i Brendshëm Spasovski, në të njëjtën konferencë për shtyp ku mohoi akuzat e Mickoski për atentat, tha se ishte e vërtetë që agjentë të huaj ishin përfshirë në protesta, por nuk mund të jepte më shumë detaje.

Burim: Euronews Albania

Është e vërtetë se protestat në Shkup shprehën vullnetin e një pjese të popullsisë maqedonase, e shtyrë edhe nga fakti se propozimi francez u pranua dhe u diskutua pa transparencë, duke u publikuar (vetëm në maqedonisht) pasi u aprovua nga Parlamenti. Në këtë kontekst, edhe nëse Rusia nuk ka pasur dorë drejtpërdrejtë në nxitjen e këtyre protestave, ajo ka krijuar kushtet që kanë shtuar mbështetjen ndaj ideve nacionaliste dhe kundër BE-së të VMRO-DPMN.

Raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, Viola von Cramon, paralajmëroi po ashtu se Rusia dhe figura të tjera të huaja do t’i përdorin këto protesta për të shkaktuar trazira të mëtejshme në Ballkanin Perëndrimor. Por ajo fajësoi Bashkimin Europian, duke thënë se nëse BE-ja nuk jep rezultate në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut, kjo do t’i hapi rrugën Rusisë që të shtoi ndikimin e saj në rajon.

Burim: Radio Evropa e Lirë

Argumentat e von Cramon nuk janë të reja. Sidomos me nisjen e agresionit rus ndaj Ukrainës, përfaqësues të ndryshëm të rajonit dhe BE-së kanë shprehur haptazi frikën se Rusia mund të përdori politikat dhe problemet vendore dhe ndërajonale për të rritur ndikimin e saj.

Mbetet për t’u parë nëse hapja e negociatave, sidomos dialogu në vazhdim mbi çështjet kulturore midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë,  i cili ende nuk ka mbaruar, do të mund të zbrapsi ndikimin e Rusisë në Shkup apo rajonin më të gjerësisht, apo do të zmadhojë hendekun.

*Kjo shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img