Ina Allkanjari
“Pra, çka nëse Zelensky është hebre. Fakti nuk i mohon elementet naziste në Ukrainë. Unë besoj se Hitleri kishte gjithashtu gjak hebre”, tha ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov në 1 maj 2022 në një intervistë me kanalin italian të lajmeve Zona Bianca, duke shtuar se “disa nga antisemitët më të këqij janë hebrenj”.
Kjo deklaratë e kryediplomatit rus se presidenti i Ukrainës është hebre duke theksuar se edhe Hitleri “kishte gjak hebre” shkon në linjën e pretendimeve dhe propagandës së Moskës, se fillimi i luftës në Ukrainë nisi për të “denazifikuar” vendin.
“Hitleri ishte pak hebre” Deklarata Lavrov acaron marrëdhëniet me Izraelin; Lavrov: “Zelensky është Hebre: Por dhe Hitleri ishte gjithashtu”; ‘Hitleri ishte hebre’/ Zelenskyy i përgjigjet deklaratës së ministrit të jashtëm rus;
Këto janë disa prej titujve të shpërndarë në mediat shqiptare pas deklaratës së dhënë nga Ministri i Jashtëm Rus Sergey Lavrov, në një prej televizionet Italiane, ku shumë prej tyre rimorën dhe publikuan të njëjtin lajm pa u kujdesur që të citonin burimin dhe kontekstin e saktë të deklaratës.
Si ndikoi një deklaratë e tillë propagandiste në audiencë?
Lufta e propagandës gjatë këtyre dy muajve ka ecur paralelisht me luftën në terren dhe fatkeqësisht deklarata të tilla, nxisin dhe dizinformojnë opinionin publik që është konsumues i përditshëm i lajmeve.
Nëpërmjet nje kërkimi të thjesht në google rezulton se pas kësaj deklarate rreth 100 lajme janë publikuar në portale të ndryshme në Shqipëri.
Screenshot, lajmet e publikuara në kuadër të deklaratës së Ministrit të Jashtëm Rus Sergey Lavrov
Nazizmi është pjesë e rëndësishëm e justifikimit të luftës së Rusisë kundër Ukrainës. Në përpjekjen e tij për të legjitimuar luftën për qytetarët rusë, Presidenti Vladimir Putin e ka portretizuar betejën si një luftë kundër nazistëve në Ukrainë. Pas publkimit të këtij lajmi nëpër media sociale, ka patur shumë qytetarë që kanë besuar se ky lajm është i vërtetë.
Reagime në rrjete sociale, të qytetarëve të ndryshëm në shqipëri në lidhje me deklaratën e Lavrov
Faktoje iu drejtua zëvendësministrit të Punëve Sociale dhe Teknologjisë së Ukrainës, Kostiantyn Koshelenko, ku ndër të tjera e pyetën se cila është arsyeja e një deklarate të tillë të dhënë nga ministri i Jashtëm rus, Lavrov.
Në përgjigjen e tij Koshelenko shkruan:
“Propaganda ruse po përpiqet të portretizojë ukrainasit si neo-nazistë. Por është e vështirë pasi presidenti ynë është një hebre, dhe në Mariupol, njerëz të kombësive të ndryshme po luftojnë kundër tyre si pjesë e Forcave të Armatosura të Ukrainës. Është e qartë që ky nuk mund të jetë rasti me neo-nazistët. Kjo është arsyeja pse ata dalin me atë deklaratë”.
Përgjigja e zv.ministrit të Punëve Sociale dhe Teknologjisë së Ukrainës, Kostiantyn Koshelenko
Reagimi ndërkombëtar
Komentet e ministrit të Jashtëm rus Sergey Lavrov për identitetin hebre të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe se në qeverinë e tij ka element nazistë, kanë shkaktuar tronditje, shqetësim dhe zemërim të zyrtarëve dhe diplomatëve të lartë.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i tha Fox News të mërkurën se përpjekjet e Rusisë për ta njollosur atë me krahasime me Adolf Hitlerin janë një formë propagande e modeluar, të cilat indoktrinojnë popullin gjerman në ideologjitë antisemite naziste.
Në Izrael, deklarata e Lavrovit i shtyu liderët e vendit të reagonin menjëherë publikisht duke e kundërshtuar ashpër dhe duke thirrur ambasadorin rus lidhur me këtë çështje. Ministri i Jashtëm izraelit, Yair Lapid i hodhi poshtë deklaratat duke i konsideruar si të pafalshme dhe historikisht të gabuara. “Hebrenjtë nuk e vranë veten në Holokaust,” tha ai, duke shtuar se ishte “niveli më i ulët i racizmit kundër hebrenjve të fajësosh vetë hebrenjtë për antisemitizëm”.
Gjithashtu sipas CNN, pas deklaratës së Lavrov, presidenti rus Vladimir Putin në një telefonatë me kryeministrin izraelit Naftali Bennett kërkoi falje për komentet që shefi i tij i diplomacisë bëri për Hitlerin dhe hebrenjtë.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar edhe sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken, i cili nëpërmjet një postimi në Twitter e ka quajtur retorikë të ndyrë dhe të rrezikshme: “Bota duhet të kundërshtojë këtë retorikë të ndyrë dhe të rrezikshme dhe të mbështesë partnerët tanë ukrainas përballë sulmit të egër të Kremlinit”.
Mediat ruse janë përpjekur vazhdimisht të portretizojnë Ukrainën si të lidhur me nazizmin, pa prova për të mbështetur akuza të tilla.
*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor
Editor: Aimona Vogli Hotova