Debitorëve nuk u sekuestrohet shtëpia edhe në ligjin e ri të energjisë

8

Pretendimi: Projektligji i ri për sektorin e energjisë elektrike në Shqipëri parashikon se kush nuk paguan energjinë elektrike do t’i sekuestrohet shtëpia

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————————–

Në disa portale po qarkullon lajmi se, sipas projektligjit të ri për sektorin e energjisë elektrike propozuar nga qeveria shqiptare, kush nuk paguan energjinë elektrike do t’i sekuestrohet shtëpia. Lajmi shoqërohet edhe me pretendimin se kjo do të prekë të gjithë qytetarët.

Në të vërtetë, bëhet fjalë për ligjin “Për sektorin e energjisë elektrike”, miratuar në Kuvend më 18 qershor 2026.

Artikujt e mësipërm i referohen vendosjes së barrës hipotekore, që parashikohet në nenet 115 dhe 116 të ligjit, për konsumatorët e energjisë që nuk shlyejnë detyrimet ndaj furnizuesit të energjisë elektrike.

Megjithatë, siç specifikohet në tekstin e ligjit, por edhe në brendinë e vetë artikujve të mësipërm, barra hipotekore vendoset mbi pasurinë e paluajtshme “në rast se detyrimi i papaguar që rrjedh nga një kontratë furnizimi energjie elektrike është mbi 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë për klientin jofamiljar.”

Ligji i përkufizon “klientët jofamiljarë” si “personat fizikë ose juridikë që blejnë energji elektrike, e cila nuk shkon për përdorim familjar, prodhuesit dhe klientët e shumicës.”

Qartazi, atëherë, pretendimi se ligji parashikon sekuestrimin e shtëpisë së atyre që nuk paguajnë energjinë elektrike dhe se kjo prek të gjithë qytetarët është i pavërtetë. Mundësia e kufizimit hipotekor mbi pronat e paluajtshme parashikohet vetëm për debitorët jofamiljarë si bizneset apo prodhuesit.