.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookDashuria e eksploratorit për gruan dhe jo financimet arsyeja e flamurit shqiptar mbi nëndetësen Triton

Dashuria e eksploratorit për gruan dhe jo financimet arsyeja e flamurit shqiptar mbi nëndetësen Triton

Një artikull i portalit Alfapress pretendon se flamuri shqiptar ndodhej mbi nëndetësen Triton sepse një nga financueset e saj ishte një grua shqiptare. Verifikimi i “Faktoje” zbulon se në të vërtetë kjo nëndetëse mban flamurin shqiptar për nder të Monika Beu Vescovo, partneres shqiptare të Victor Vescovo, eksploruesi që ka prekur disa nga pikat më të thella të oqeanit ne bordin e nëndetëses DSV Limiting Factor.

—————————————————————–

Një artikull i portalit Alfapress pretendon se “mediat kanë zbuluar detaje të reja pse flamuri shqiptar ndodhej në nëndetësen, ‘Triton’ e ngjashme me atë ku humbën jetën 5 persona që donin të vizitonin rrënojat e ‘Titanikut’”. Artikulli pretendon se “një grua shqiptare është sponsor e ekspeditës që mbështet kompaninë, ‘Ocean Gate’ në eksplorimin në oqeane të nëndetëses, ‘Triton’. Kjo nëndetëse e cila financohej nga shqiptarja është vlerësuar me disa çmime ‘Guiness’, për zhytjet e thella në oqeane të ndryshme.”

Artikulli i Alfapress

Duke qenë se artikulli i Alfapress nuk përmend emrin e kësaj gruaje shqiptare, “Faktoje” vendosi të kërkojë më shumë për të.

Një kërkim me motorin e kërkimit te imazheve Tineye tregoi se foto e përdorur në artikull tregon mjetin DSV Limiting Factor, ku DSV do të thotë mjet i zhytjeve të thella.

Limiting Factor u prodhua nga Triton Submarines me porosi të Victor Vescovo për $37 milionë. Ajo u përdor në Ekspeditën e Pesë Thellësive, duke u bërë nëndetësja e parë me ekuipazh që ka arritur pikat më të thella të të gjithë pesë oqeaneve.

Ekspedita e Pesë Thellësive u fillua nga Victor Vescovo në 2018, me qëllim zhytjen në pikën më të thellë të secilit prej pesë oqeaneve të planetit.

faqen zyrtare të ekspeditës përshkruhen specifikat e DSV Limiting Factor, ndërsa në sektorin dedikuar partnerëve dhe mbështetësve të ekspeditës shpjegohet edhe pse Limiting Factor mban mbi vete, ndër të tjerë, edhe flamurin shqiptar.

Sipas faqes zyrtare të ekspeditës, “Kuq e Zeza e Shqipërisë është një homazh ndaj këmbënguljes, vendosmërisë, dhe historisë së jashtëzakonshme të popullit të madh shqiptar dhe një gruaje shqiptare në veçanti, e cila është partnerja e sponsorit të ekspeditës dhe që mbetet një mbështetëse e fortë e ekspeditës.”

Duket se DSV Limiting Factor mban mbi vete flamurin kuq e zi, jo sepse një nga financueset e kompanisë Ocean Gate, që nuk ka të bëjë fare me Ekspeditën e Pesë Thellësive, ishte shqiptare, por për hir të partneres shqiptare të Victor Vescovo, sponsorit të kësaj ekspedite.

Gazetari Blendi Fevziu e ka identifikuar partneren e Vescovo si Monika Beu.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img