Pretendimi: Futbollisti Cristiano Ronaldo mbështet fëmijët e Gazës në këtë video

Verdikti: Video e manipuluar

———————————————-

Në rrjete sociale po qarkullon një videomesazh 20-sekondësh që pretendon se tregon futbollistin portugez Cristiano Ronaldo që shpreh mbështetje për fëmijët e Gazës.

Në video, Ronaldo dëgjohet të thotë: 

“Kjo është për fëmijët e Gazës. E dimë që keni qenë duke vuajtur shumë. Unë jam një lojtar shumë i famshëm, por ju jeni heronjtë e vërtetë. Mos i humbni shpresat, bota është me ju. Ne interesohemi për ju. Unë jam me ju.”

Megjithatë, në fillim të videos (0:03) kur Ronaldo duket se thotë “fëmijët e Gazës” vihet re se audio dhe video nuk përshtaten.

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje gjeti se video origjinale e Ronaldos është postuar në Twitter nga vetë futbollisti, më 23 dhjetor 2016.

Në këtë video, futbollisti, në partneritet me fondacionin Save The Children US, shpreh mbështetjen e tij ndaj fëmijëve e prekur nga konflikti në Siri. Video është postuar edhe në llogaritë e Ronaldos në Facebook dhe Instagram.

Shihet qartë se sfondi i videos është ndryshuar, duke shtuar flamurin e Palestinës, dhe audio është manipuluar që të duket sikur Ronaldo thotë “Gaza”, në vend të “Siri”.

Më poshtë, gjeni një krahasim mes videos së manipuluar, që po qarkullon në rrjet, dhe videos origjinale nga 2016.