Pretendimi: Studimi i Universitetit të Yale konfirmon se vaksinat anti-Covid shkaktuan probleme biologjike
Verdikti: Mungon konteksti
Publikimi nga një grup studiuesish javën e kaluar të një dokumenti paraprak që teorizon se vaksinat Covid-19 mund të lidhen në raste të rralla me një grup simptomash të vazhdueshme jo të ndryshme nga ato që lidhen me Covid-in e gjatë, ka ushqyer rrjetin me akuza të reja ndaj vaksinave. Një pjesë e mirë e artikujve të përkthyer edhe në shqip, kanë interpretuar këtë hipotezë shkencore si një studim të publikuar nga Universiteti i Yale në ShBA, duke krijuar më shumë konfuzion tek publiku.

Artikujt e shpërndarë në portale
Paper-i (dokumenti paraprak) u publikua në 18 shkurt në medRxiv, një i ashtuquajtur server paraprint ku studimet e pabotuara mund të ndahen përpara se të kalojnë në rishikimin e kolegëve, proces me të cilin shkencëtarë të tjerë analizojnë në mënyrë efektive, për të ndihmuar revistat të vendosin nëse kërkimi i paraqitur meriton apo jo të botohet.
Autorët e punimit, imunologia Akiko Iwasaki dhe kardiologu Harlan Krumholz, të dy shkencëtarë seriozë, ishin të qartë në deklaratën për shtyp që ata lëshuan se këto janë gjetje paraprake që kërkojnë shumë më tepër studim.
Për të përforcuar më tej këtë dyshim të autorëve mjafton fakti se kampionimi i mostrave të gjakut përbëhej nga të paktën 42 individë me sindromën pas vaksinimit (PVS) dhe 22 individë pa të, një kampion tepër i ulët në një studim të mirëfilltë.
Megjithëse nuk dihet ende nëse të gjithë njerëzit e studiuar vuajnë nga e njëjta gjendje, dukej se kishte të paktën një lidhje të përkohshme midis vaksinimit dhe shfaqjes së simptomave si intoleranca ndaj ushtrimeve, lodhja e tepërt, tringëllimë në veshë (tinnitus) dhe mjegullimi i trurit, ndër të tjera.
Shumica e njerëzve që ankoheshin për simptomat i zhvilluan ato pas vaksinës së parë ose të dytë të Covid-it, megjithëse disa e përjetuan fillimin pas një doze të tretë, dhe në disa raste, një doze të katërt të vaksinës. Ka pasur raste mes njerëzve që kanë marrë shumicën e vaksinave të përdorura në SHBA – Pfizer’s, Moderna’s dhe një vaksinë Johnson & Johnson, e cila ishte e disponueshme për pak kohë, por u tërhoq nga kompania në 2023.
E gjendur përpara këtij diskutimi publik anti-vaksinë, imunologia Iwasaki është kujdesur të nënvizoje se ky është një studim i vogël dhe se gjetjet fillestare kërkojnë konfirmim të mëtejshëm.
“Kjo punë është ende në fazat e saj të hershme, dhe ne duhet t’i verifikojmë këto gjetje”, argumentoi bashkautorja kryesore e studimit të publikuar.
Më tej ajo shtoi: “Por kjo na jep disa shpresa se mund të ketë diçka që mund ta përdorim për diagnostikimin dhe trajtimin e PVS në të ardhmen”.
Studiuesit bënë të ditur se në të ardhmen duan t’i verifikojnë më tej këto gjetje në një grup më të madh njerëzish. “Megjithatë, disa individë kanë raportuar simptoma kronike që janë shfaqur shpejt pas marrjes së vaksinës së COVID-19, kjo gjendje e pakuptuar mirë, e qëndrueshme, e quajtur sindromi pas-vaksinimit (PVS), ende nuk është njohur nga autoritetet mjekësore dhe dihet pak për bazat e saj biologjike”- thuhet ndër të tjera në studim.