ESMERALDA KETA
Me 467 raste aktive me Covid-19, Gjirokastra është gjunjëzuar nga pandemia e Sars-Cov-2. Situata në qytetin e gurtë duket aq shqetësuese, sa e detyroi komitetin e ekspertëve ta fusë në listën e kuqe të kufizimeve. Po çfarë ndodhi që Gjirokastra, nga zonat më të ‘pastra’, u shndërrua në një prej qyteteve me numrin më të lartë të të infektuarve? Rritja e menjëhershme e rasteve korrespondon me periudhën 2-3 javore pas aktiviteteve që grumbulluan shumë vizitorë, sidomos nga Tirana. Megjithatë autoritetet vendore shëndetësore, “fajesojnë” të tjera shkaqe për shtimin e rasteve me Covid.
Ndonëse ditët ende janë të ngrohta, kalldrëmet dhe rrugicat e Gjirokastrës janë thuajse të zbrazura. Ndryshe nga fundjavat e tjera, vizitorët e huaj dhe ato vendas munguan thuajse krejtësisht. Kjo, pasi papritur Gjirokastra është shndërruar në një vatër të madhe të shpërthimit të virusit Sars Cov-2. Me rreth 467 raste aktive, banorët duket se më në fund po ndërgjegjësohen. Kalimtarët e paktë që shikon në rrugë, nxitojnë ose për të bërë blerjet e domosdoshme ose për t’u mbyllur brenda vendit të punës.
Shifrat filluan të ndryshojnë në mënyrë drastike javën e dytë të nëntorit. Piku u shënua më datë 10 nëntor, kur brenda një dite u raportuan plot 56 raste të reja në Gjirokastër dhe trendi i lartë është ruajtur gjatë gjithë fundjavës që lamë pas. Të premten e 13 nëntorit, u konfirmuan 31 raste të reja, ndërsa një ditë më parë u shtuan edhe 47 të tjera. Po çfarë ndodhi që krejt papritur Gjirokastra u shndërrua në një vatër të madhe të epidemisë?
Fundjavat e mbushura përplot me aktivitete besohet se mund të jenë “fajtorët” për këtë situatë. Ambicia e Bashkisë Gjirokastër, për ta kthyer qytetin e gurtë në një destinacion të fundjavave të shqiptarëve, solli një mori eventesh gjatë muajit tetor, por të cilat nga gjeneruese të ardhurash, u bënë shkaktare të përhapjes së infektimit.
“Ishin nja 3-4 fundjava me aktivitete që zgjatën disa ditë dhe ka qenë plot me njerëz. Ka patur raste që nuk gjeje vende të lira më nëpër hotele. Sigurisht, në këto aktivitete kishte grumbullime masive e me sa duket kështu filloi të shpërndahej virusi. Tani jemi në këtë situatë ku thuajse të gjitha institucionet janë të infektuara. Janë mbyllur të gjithë në shtëpi, por ama virusi ka marrë dhenë sot!”- na thotë një banor i Gjirokatrës.
Për të verifikuar këtë pretendim të qytetarëve, ne hulumtuam për “Faktoje” faqen zyrtare të Bashkisë së Gjirokastrës.
Në të vërtetë, kjo bashki ka qenë ndër më “fatlumet” në këto kohë të jashtëzakonshme pandemie, pasi aktivitetet kulturore dhe argëtuese janë zhvilluar si në ditë të zakonshme.
Postimet me atmosferë feste dhe grumbuj njerëzish që argëtohen, në faqen zyrtare të Bashkisë së Gjirokastrës, nisën që në fillim të shtatorit, duke u mburrur, për numrin e lartë të vizitorëve.
“Gjirokastra këtë fundjavë, plot me vizitorë vendas e turistë të huaj. Pothuajse të gjithë hotelet në zonën muzeale ishin plot”- thuhet në postimin e Bashkisë së Gjirokastrës në fillim të shtatorit.
Tetori në Gjirokastër nisi me një aktivitetet të rëndësishëm kushtuar filmit. Në datat 3-4 tetor, në kalanë e Gjirokastrës nisi maratona e shfaqjes së filmave shqiptarë dhe të huaj. Ndonëse u zhvillua në natyrë, ky aktivitet grumbulloi rreth vetes shumë të apasionuar pas kinemasë.
Maratona e filmave shqiptarë në Gjirokastër
Maratona e filmave shqiptarë në Gjirokastër
Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar për Fëmijë u zhvillua për tre ditë më radhë më 17,18 dhe 19 tetor. Siç duket edhe nga video e publikuar nga Bashkia e Gjirokastrës, aty morën pjesë grupe fëmijësh, prindër etj.
Faqja e Bashkisë së Gjirokastrës promovoi vazhdimisht gjatë muajit tetor, me foto e video, aktivitete të tjera që zhvillohen në qytetin e gurtë dhe kanë të bëjnë me kulinarinë, trashëgiminë kulturore, përurimin e shtëpive karakteristike dhe vizitorët kanë qenë të shumtë.
Më 24 dhe 25 tetor Gjirokastra u “pushtua” nga një paradë e automjeteve të vjetra, një aktivitet që mbushi rrugët e Gjirokastrës për dy ditë rresht, me të apasionuarit pas makinave të vjetra, por edhe për kureshtarët. Ai ishte një ndër aktivitete më të ndjekura dhe nga kryeqyteti atë fundjavë u “sulën” drejt Gjirokastrës një pjesë e mirë e personazheve të jetës publike.
Por ndërsa jemi futur në një periudhë me intensitet të lartë të përhapjes së virusit, Bashkia e Gjirokastrës ka vijuar me aktivitetet kulturore.
Që tetori ka qenë një muaj i suksesshëm për turizmin në Gjirokastër, kjo konfirmohet edhe nga numri i vizitorëve.
“Me gjithë vështirësitë e krijuara nga pandemia, Muzeu Etnografik, ai i Luftës së Ftohtë, Muzeu i Armëve dhe shtëpia “Kadare” në muajin tetor u vizituan nga 1300 turistë” – thuhet në faqen zyrtare të Bashkisë së Gjirokstrës, e cila nuk i ka kursyer fotot shoqëruese plot me vizitorë të këtyre aktiviteteve.
Sigurisht në këto kushte, pavarësisht se fotot janë përzgjedhur përpara se të publikohen, duket qartë se është e pamundur të shmangen grumbullimet.
Për dy ditë më radhë, më datë 7 dhe 8 nëntor, ky institucion finalizoi një tjetër aktivitetet kulturor. Festivali “Divani Lunxhot” mblodhi rreth vetes dhjetëra grupe artistike, por edhe muzikëdashës.
Festivali Divani Lunxhot në Gjirokastër
Janë pikërisht këto dy aktivitete, “Retro n’sokak” dhe “Divani Lunxhiot” që dyshohet se mund të kenë shërbyer edhe si epiqendra për shpërthimin e virusit.
Festivali Divani Lunxhot në Gjirokastër
“U bënë tre javë që kemi një shpërthim masiv, kohë që përkon me aktivitetin ‘Retro n’sokak’, i cili e ‘përmbyti’ me vizitorë Gjirokastrën si dhe me ‘Divanin Lunxhiot’, shifra të cilat po pësojnë rritje të frikshme për një qytet si ky i yni”, – na thotë njëri nga intelektualët e Gjirokastrës.
Por ambicia e Bashkisë së Gjirokastrës për ta shndërruar në një destinacion fundjavash duket se nuk ka rezultuar ashtu siç pritej në këtë kohë të pazakontë. Ndryshe nga fundjavat e tjera që ishte e mbushur plot me vizitorë, aktualisht banorët e Gjirokastrës po përballen me frikën e infektimit.
Edhe ish-deputeti i Gjirokastrës, Tritan Shehu, akuzon kryetarin e bashkisë si përgjegjës direkt për këtë situatë të vështirë që po kalon qyteti sot.
“Sot ajo bashki e qark, që ishin relativisht të qetë, janë kthyer në zona tejet të nxehta e të rrezikshme të përhapjes Covid, rasteve të rënda e humbjeve të jetëve. Shpërthimi i kësaj gjendjeje sipas të gjitha llogaritjeve, përputhshmërisë së datave, dimensioneve, numrit të personave të dërguar aty nga Tirana, me dyndjen e tyre në lokalet e Gjirokastrës për dy ditë rresht, lidhet besueshëm me atë” – thotë Shehu.
Turma turistësh në Gjirokastër
Sipas tij ky aktivitet u zhvillua duke shkelur të gjitha rregullat epidemiologjike.
“Dikush duhet të përgjigjet pse duhej organizuar kjo ‘Retro’, kur rreziku epidemiologjik në vendin tonë ishte në maja, me atë prurje e grumbullim masiv njerëzish? Shumë i rëndësishëm paska qenë për pushtetarët ky aktivitet sa të shkeleshin të gjitha rregullat epidemiologjike duke goditur shëndetin e qytetarëve, që në kushtet e një sistemi shëndetësor në kolaps po merr dimensione kaq të rënda!”, – përfundon Shehu.
Por për kryetarin e Bashkisë Gjirokastër, Flamur Golemi, të gjitha këto akuza janë vetëm pjesë e lojës së opozitës.
“Covid ka shpërthyer në të gjithë Shqipërinë, jo vetëm në Gjirokastër. Por akuzat vijnë nga ata që nuk duan që në Gjirokastër të vijnë tiranasit, pasi kështu pretendojnë: që virusin e sollën vizitorët. Për të vërtetuar se nuk ka lidhje fare me aktivitetet, mund të pyesni stafet e hoteleve ku janë akomoduar vizitorët gjatë atyre ditëve, dhe do të kuptoni që edhe sot pas tre javësh askush nga stafet e tyre nuk është i infektuar”, – thotë Flamur Golemi.
Me profesion mjek, kryebashkiaku i Gjirokastrës thotë:
“Sigurisht që mundësia për t’u infektuar ekziston gjithmonë, ashtu siç po ndodh me hapjen e shkollave, por kjo mbetet në dorë të vetë qytetarëve”.
Kryebashkiaku Golemi, shprehet i vendosur që të mos tërhiqet nga ambicia për të gjallëruar jetën kulturore të qytetit të tij edhe në fundjavat që vijnë.
“Ne do të vazhdojmë të zhvillojmë aktivitete, sigurisht nën masa sigurie, ashtu siç po vazhdojmë me dezinfektimin e qytetit. Ne do të vazhdojmë të kryejmë detyrën tonë, pavarësisht akuzave të pabaza”, – thotë ai për “Faktoje”.
Shpëtim Novi, drejtor i Shëndetit Publik në Gjirokastër, nuk i shikon aktivitetet kulturore si “fajtore” të situatës. Sipas tij arsyet janë krejt të tjera.
“Nuk është e vërtetë që aktivitetet kulturore mund të kenë shpërthyer këto shifra, pasi ata janë zhvilluar në ambiente të hapura. Unë mund t’ju them atëherë se si shpjegohet që një 90-vjeçar, që nuk ka dalë fare e as ka kontakte me persona të tjerë, na ka rezultuar pozitiv. Mendoj se hapja e shkollave, lëvizjet që bëhen në universitet, pasi pavarësisht se nuk është e hapur, ka plot studentë që vijnë e kanë punë në fakultetet përkatëse, takojnë të afërm, miq e shokë, ndikojnë në shpërndarjen e virusit. Mendoj se janë disa arsye për këtë rritje të shifrave”, – thotë për “Faktoje” kreu i DSHP-së Gjirokastër.
Ai e lidh numrin e lartë të rasteve pozitive edhe me rritjen e tamponëve që po kryhen.
“Çdo sinjalizim nga mjekët e familjes po ndiqet me prioritet, po gjurmojnë një për një çdo të dyshuar. Nëse 6 muajt e parë të pandemisë bënim mesatarisht 200 tamponë në muaj, aktualisht po bëjmë 1200 tamponë në muaj. Dhe është normale që ky numër i lartë testimesh, të reflektohet edhe në numra më të lartë pozitiviteti”, – pohon Novi.
Pavarësisht situatës së rënduar që po kalon aktualisht qyteti i Gjirokastrës, ai është optimist se do të ketë një reduktim të rasteve gjatë muajit dhjetor, ndërsa po aq optimist është edhe për faktin se rastet e konfirmuara nuk kanë qenë të rënda.
“Ajo që është pozitive është fakti që shumica kanë shfaqur simptoma të lehta dhe për ne kjo është më e rëndësishme, jo numri i të infektuarve. Pas masave të marra, por edhe ndërgjegjësimit të vetë qytetarëve mendoj se dhjetori do të jetë më i çliruar”, – përfundon ai.
Më datë 7 nëntor komiteti i ekspertëve riktheu masat kufizuese dhe zonat e kuqe, për shkak të numrit të lartë të të infektuarve, midis të cilëve ishte edhe Gjirokastra.