.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookCovid-19, vaksinim çdo tre muaj? OBSH: 4-6 muaj për dozën përforcuese

Covid-19, vaksinim çdo tre muaj? OBSH: 4-6 muaj për dozën përforcuese

Një lajm i publikuar në një portal në gjuhën shqipe, i bën jehonë deklaratës së një virologu gjerman, i cili thotë se vaksinimi kundër Covid-19 nuk duhet të bëhet çdo tre muaj. Por, sipas OBSH-së, nëse keni bërë dozën e parë të vaksinës duhet të prisni disa javë, ndërsa nëse i keni bërë të dyja dozat atëherë për të marrë përforcuesin (booster) për të cilin flet virologu, mund të pritet deri në gjashtë muaj dhe jo tre.

 

 

Ardi Pulaj

 

“Në Gjermani, personat mbi 60 vjeç mund të vaksinohen kundër koronavirusit për herë të katërt. Megjithatë, virologu nga Essen, Ulf Dittmer, paralajmëron se vaksinimi shumë i shpeshtë mund të ndryshojë sistemin imunitar dhe ta dëmtojë atë. Virologu Dittmer këshillon njerëzit që të mos vaksinohen çdo tre muaj për të shmangur kërkesat për maskë ose teste. “Nëse i përsëritni kaq shpesh vaksinimet, mund të ketë ndryshime në sistemin imunitar”, paralajmëroi virologu në një intervistë për “Kölnische Rundschau,” shkruhet në lajmin e publikuar nga Alsat M.

 

Artikulli i referohet një deklarate që virologu ka bërë për “Kölnische Rundschau”, por që më pas është marrë edhe nga organe të tjera mediatike të këtij vendi.

 

Ajo që është parë e arsyeshme t’i vendoset theksi nga agjencia DPA është fakti se ai ka kritikuar mungesën e të dhënave për pandeminë në Gjermani:

 

“Virologu i Essenit, Ulf Dittme ka kritikuar gjendjen e pamjaftueshme të të dhënave të koronavirusit në Gjermani. “Ne nuk e dimë situatën e imunitetit për popullsinë mesatare, nuk jemi në gjendje të ofrojmë të dhëna të arsyeshme këtu në Gjermani,” tha ai për “Kölnische Rundschau” (e hënë). Këtu mund të mësoni shumë nga jashtë. “Është keq që jemi në një pozitë kaq të pakënaqshme”. Ndryshimet gjenetike në virusin ishin të vështira për t’u parashikuar, shpjegoi drejtori i Institutit për Virologjinë në Spitalin Universitar në Essen. “Por unë mendoj se teoria se një virus vrasës me një ashpërsi të ngjashme me Delta do të kthehet në vjeshtë dhe dimër është relativisht e pamundur.”

 

Më pas virologu fokusohet te vaksinimi me dozën përforcuese (booster), ku sipas artikullit, “në lidhje me vaksinat kundër koronavirusit, ai këshillon të presim vaksinat e Biontech dhe Moderna që janë përshtatur me variantin Omicron. Ai nuk beson në vaksinimet çdo tre muaj për të shmangur kërkesat e maskës ose testit sipas Aktit të ri të Mbrojtjes nga Infeksioni. “Nëse i përsëritni kaq shpesh vaksinimet, mund të ketë ndryshime në sistemin imunitar. Këtë e tregojnë edhe të dhënat e para. Mendoj se ka kuptim një përforcues për dimrin e ardhshëm, por jo çdo tre muaj.”

 

Rekomandimet e OBSH-së

 

Teksa OBSH përditëson të dhënat dhe direktivat për shtetet anëtare mbi pandeminë, në pjesën e dozës përforcuese thotë:

 

“Mbrojtja që merrni nga vaksinat kundër COVID-19 mund të zbehet me kalimin e kohës. Dëshmitë tregojnë se efektiviteti bie rreth 4-6 muaj pasi të ketë përfunduar seria kryesore e vaksinimit. Nëse ju ofrohet një dozë përforcuese, duhet ta merrni për të forcuar mbrojtjen tuaj kundër sëmundjeve të rënda. OBSH aktualisht rekomandon që individët mbi 18 vjeç të kenë 1 dozë përforcuese 4-6 muaj pas përfundimit të serisë primare”.

 

Por shtetet e ndryshme, ndjekin strategji të ndryshme për të pandeminë e koronavirusit. Deklarata e virologut i referohet rekomandimit, dhe jo detyrimit që autoritetet gjermane i kanë vënë shtetasve të tyre: “Komisioni i Përhershëm i Vaksinimit rekomandon që të gjithë të moshës 12 vjeç e lart duhet të marrin një dozë përforcuese të paktën tre muaj pas vaksinimit të fundit.”

 

*Në foto lajmi i publikuar nga Alsat-M

*Artikulli publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img