MERXHAN DACI
Koronavirusi i ri COVID-19 ka bërë që çmimi i naftës të bjerë në botë, por edhe në Shqipëri. Edhe pse këtë herë Shqipëria e ka reflektuar këtë ulje, sërish ajo kryeson listën e shteteve të Ballkanit për naftën më të shtrenjtë.
————————————————————————————————————————————————————-
Çmimi i naftës ka rënë prej ditësh në botë. Në bursën e Londrës, në 24 mars një fuçi naftë u shit me 24 dollarë nga 50 dollarë që ishte në dhjetor të vitit të shkuar, rënie kjo që ka shqetësuar shumë sektorin e hidrokarbureve në botë.
Në Tiranë, por edhe në të gjithë vendin çmimi i naftës po ashtu ka rënë.
Nëse në fillim të muajit mars një litër naftë tregtohej me mbi 170 lekë për litër, tanimë cmimi ka rënë në 160-165 lekë.
Pikë karburanti në kryeqytet
Pikë karburanti në kryeqytet
Sipas ekspertit të ekonomisë Panajot Soko, ulja ka ardhur si pasojë e rënies së çmimit të naftës në bursën botërore, por edhe si pasojë e kërkesës së ulët në vend pas bllokimit të qarkullimit të lëvizjes së automjeteve, nga masat shtrënguese për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Megjithatë kjo rënie nuk e ka hequr Shqipërinë nga lista e vendeve me naftën më të shtrenjtë në botë.
Sipas të dhënave të Global Petrol Prizes, Shqipëria renditet në vendin e 8 mes shteteve me çmimin më lartë të naftës në botë. Çmimi i naftës në Shqipëri krahasohet me çmimin në Itali, vend i Bashkimit Europian, i cili së fundmi po lufton ashpër me koronavirusin e ri COVID-19.
Tabela tregon 10 vendet me çmimin e naftës më të lartë të botë
Edhe në rajon, Shqipëria kryeson listën e vendeve me naftën më të shtrenjtë edhe pse është vend prodhues i saj. Lista vazhdon me Serbinë, Greqinë e Kroacinë. Naftën më të lirë në rajon këto ditë e ka Maqedonia e Veriut.
Eksperti Soko po ashtu shtoi se Shqipëria ka më shumë barrë fiskale mbi një litër naftë se të gjitha vendet e Ballkanit, gjë që ndikon në çmimin e lartë.