.

.

BallinaPertej"Covid-19" s’kursen askënd, 35% e shqiptarëve "mbijetojnë" nën minimumin jetik

“Covid-19” s’kursen askënd, 35% e shqiptarëve “mbijetojnë” nën minimumin jetik

Ende pa u shfaqur pandemia e koronavirusit, shqiptarët përballeshin me kushte të pafavorshme ekonomike, që tani po përkeqësohen. Mbi 35% e qytetarëve jetojnë me më pak se 550 lekë në ditë, por me realitetin e ri rrezikojnë varfëri më të thellë. 24% e familjeve shqiptare kanë të paktën një borxh për të paguar dhe shumë po konsiderojnë të marrin borxhe të reja. Në këto kushte, kur qeveria konfirmon humbjet në ekonomi dhe rritjen e papunësisë, ekspertët sugjerojnë që paketat e ndihmës të mos përjashtojnë asnjë shtresë.


Varfëria mbetet e lartë, në një përllogaritje, 35,6 përqind e shqiptarëve jetojnë nën kuotën 5,5 dollarë në ditë,” – thuhet në raportin e Bankës Botërore për sa i përket vlerësimit të përballueshmërisë së vendeve me pandeminë “Covid-19”.

Raporti i Bankës Botërore

Por, Shqipëria është i vetmi vend në Europë që nuk ka një vlerë të miratuar nga qeveria të minimumit jetik të varfërisë. Vlera zyrtare e minimumit jetik, ka 15 vjet pa u përditësuar thuhet në një reagim të Avokatit të Popullit.

Të dhënat e fundit mbi minimuin jetik, u raportuan nga institucioni i Avokatit të Popullit në një raport në vitin 2016.

Minimumi jetik është përllogaritur mbi bazën e shportës ushqimore. Në vitin 2015 rezultoi se minimumi jetik për frymë të ishte përafërsisht 16,000 lekë në muaj (7,089 lekë në muaj për shpenzimet ushqimore dhe 8,913 lekë në muaj për shpenzimet jo ushqimore),” thuhej në raportin e Avokatit të Popullit.

Nga një përllogaritje e thjeshtë, një person për të siguruar minimumin jetik duhet të ketë në dispozicion 530 lekë të reja në ditë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore, 35,5 për qind e shqiptarëve jetojnë nën këtë kosto.

Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, INSTAT papunësia në vend në vitin 2019 arriti në nivelin 11,5 për qind.

Të dhëna nga INSTAT

Një tjetër problematikë që has shoqëria shqiptare është  “rreziku për të qenë i varfër”. Sipas të dhënave të INSTAT, rreziku për të qenë i varfër në Shqipëri është 23,4, duke u renditur në “top 3” vendet më të rrezikuara.

Tendenca e përkeqësimit të ekonomisë së shqiptarve nga përballja me pandmeinë “Covid-19”, konfirmohet edhe nga raporti i fundit i Bankës Qendrore.

Rreth 24% e familjeve shqiptare kanë të paktën një borxh për të paguar”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

Rreth 40% e të përgjigjurve nga anketa e Bankës së Shqipërisë deklarojnë se mund të marrë/rimarrë një hua të re në gjashtëmujorin e ardhshëm dhe kjo peshë është rritur krahasuar me dy vrojtimet e kaluara.

Të dhëna nga Banka e Shqipërisë

Banka e Shqipërisë jep edhe një vlerësim të përgjithshëm të situatës së krijuar si pasojë e pandemisë “Covid-19”.

Kjo situatë do të ndikojë edhe mbi punëmarrësit dhe në tërësi mbi të ardhurat e familjeve, pasi rënia e aktivitetit të ndërmarrjeve mund të sjellë reduktim të të ardhurave apo ndërprerje të pagës. Në një efekt zinxhir dhe për aq sa nuk kompensohet nga kursimet e familjeve dhe masat shtetërore mbrojtëse, kjo edhe më tej mund të ndikojë në dobësimin e konsumit të tyre dhe në vijim, edhe në vështirësi për të përmbushur detyrimet financiare,” thuhet në raportin e BSH.

Minsitri i Shtetit për Koronavirusin, Arben Ahmetaj në një intervistë për News 24 në 20 mars deklaroi se muaji mars do karakterizohej nga 70 milionë dollarë humbje.

Vetëm këtë muaj shohim një rënie të mundshme deri në 70 milionë dollarë dhe muajt e tjerë goditja mund të dyfishohet,” – deklaroi Ahmetaj.

Edhe Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Anila Denaj të martën më 14 prill për Report Tv deklaroi se numri i personave që kanë mbetur të papunë nga pandemia COVID-19 në Shqipëri shkon deri në 50 mijë.

Ne sot flasim për një numër të papunësh që shkon në 50 mijë të papunë, që mund të rritet në vijim, e mund të shkojë edhe më i lartë”, deklaroi Denaj.

Për ekspertin e ekonomisë, Selami Xhepa ndërhyrja e deritanishme e qeverrisë përmes dy paketave ekonomike, ka qenë e pamjaftueshme.

Në një gjendje të tillë sociale dhe te financave publike, është e kuptueshme përse qasja e qeverisë ndaj pandemisë në termat e programeve të ndërhyrjes ka qenë me pikatore dhe shumë e paktë në raport me nevojat dhe me qasjen e qeverive të vendeve te tjera,” –shpjegon Xhepa për “Faktojen”.

Në përgjithësi, paketat mbeshtetesë për ekonominë dhe papunësinë dhe mbrojtjen e shtresave në nevojë shkojnë në 10-15% të PBB-së, ndërsa në Shqipëri të gjitha masat e ndërmarra përbëjnë më pak se 4% e PBB-së,” – shtoi eksperti Xhepa.

Xhepa sugjeron që paketat ekonomike të qeverisë të prekin të gjitha shtresat shoqërore.

Paketat mbështetëse që deri tani kanë mbështetur disa grupe sociale, duhen shtrirë në gjithë shtresat e shoqërise që realisht ndodhen ne kufijtë e mbijetesës. Duhet të hiqet dorë nga shfaqjet e shëtitjeve nëpër shtëpi të varfra të drejtuesve politikë që krijojnë imazhin e vendit në fillimet  e viteve ’90 dhe famileve t’u jepet një çek në dorë ose një llogari e pagueshme në supermarket ku të percaktohet një liste produktesh dhe sasitë e përfitueshme nga individët në nevojë” – thotë Xhepa.

Eksperti i Institutit të Shëndetit Publik, Roland Shuperka argumenton se paketat e deritanishme të qeverisë janë më së shumti sociale se sa ekonomike.

Është e papranueshme shpërndarja e ndihmave qe sapo pash poshtë ballkonit. Tre të rinj që mbanin nga një pako dhe 5 të tjerë me kamera profesionale dhe celular duke filmuar dhe fotografuar. E papranueshme kjo skenë që fotografojnë varfërinë,” – i tha “Faktojes”, eksperti Shuperka.

Këtë vit varfëria do të ulet këmbëkryq në Shqipëri. Në këtë kohë, të pasurit do bëhen më të pasur, dhe të varfërit më të varfër,”- theksoi Shuperka.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img