ESMERALDA KETA
Gjashtë muaj pas shfaqjes së pandemisë nga SARS-COV-2, për të sëmurët kronikë marrja e shërbimeve shëndetësore ka qenë rraskapitëse dhe shpesh, mungesa e ofrimit të tyre përbën kërcënim për jetën. Anulimi i operacioneve të planifikuara në muajin mars, mbyllja e pavioneve të specialiteteve dhe shndërrimi në pavione Covid, po ndëshkon qindra pacientë me sëmundje kronike dhe të rënda, me zvarritje apo mohim të shërbimeve të domosdoshme. Mjekët e pranojnë se po “ikin” pa u kuptuar shumë pacientë me sëmundje kronike, ndërsa e gjithë vëmendja është përqendruar tek menaxhimi i Covid-19.
Hamdi Hamza, 61 vjeç, me diabet, tension dhe pa asnjë mundësi transporti vendosi të shkonte në këmbë në spitalin e Durrësit për të bërë dializën, kur u vendos kufizimi i liridaljes, për shkak të pandemisë. 16 km rrugë iu desh të përshkonte nga sektori “Rinia”, ku ka shtëpinë, deri në spital, për të marrë trajtimin të cilit i nënshtrohet tri herë në javë.
Ishte mesi i muajit mars dhe sapo kishte hyrë në fuqi gjendja e emergjencës, si pasojë e pandemisë së SARS-COV-2 dhe orari i kufizimit të lëvizjes ishte shumë strikt, madje i ndëshkueshëm me gjobë, sipas aktit normativ.
“Ato ditët e para ishin shumë të vëshira për të lëvizur. Unë jetoj vetëm dhe duhet të shkoja patjetër në spital për të bërë dializën.” – tregon Hamdi Hamza për “Faktoje”, i kontaktuar në telefon.
“Jam turni i pasdites, ndaj dhe ishte më e vështirë. Kështu që u nisa në këmbë që në mëngjes që të arrija në kohë për të bërë dializën”.
Hamdiut iu deshën thuajse 5 orë në këmbë për ta bërë rrugën deri në spital.
“Kur e mori vesh vëllai që kisha ardhur në këmbë, erdhi e më mori në spital, nuk kisha më fuqi të kthehesha. Vuaj edhe nga diabeti e tensioni” – tregon ai.
Familjarët e Hamdiut morën përsipër transportin gjatë ditëve në vijim, gjë që rezultoi rraskapitëse.
“Na ndalonte policia, ishte e vështirë dhe ne nuk e dinim se si merreshin lejet. Vetëm pasi morëm një letër nga shoqata, atëherë e patëm më të lehtë.” – rrëfen 61-vjeçari.
Të ngelur në udhëkryq, një pjesë mbetën pa trajtime për ditë me radhë, ndërsa të tjerë u detyruan të shkojnë në këmbë në spital për të marrë trajtimin e duhur, edhe pse sëmundja nuk ua lejon stërmundimin. Të gjendur përballë kësaj situate, spitalet rajonale vendosën autoambulanca në dispozicion të të sëmurëve që kishin nevojë për dializë. Kështu ndodhi edhe me Hamdiun, por sërish rezultoi se nuk ishte zgjidhja e duhur.
“Unë vetëm një javë shkova me autoambulancë, pasi më trazonte sapo hipja në të, ndaj gjatë gjithë kohës më kanë çuar familjarët. Tani marr urbanin, pasi jam kthyer turni i paradites.” – rrëfen Hamdiu, i cili prej 3 vitesh po i nënshtrohet dializës.
Por 6 muaj pas shpërthimit të pandemisë, edhe pse pjesa më e madhe e viktimave, sipas Ministrisë së Shëndetësisë janë pacientë me sëmundje kronike, kjo kategori vazhdon të sakrifikohet me shërbime të cunguara.
Vetë Ministria e Shëndetësisë refuzoi t’i përgjigjet pyetjeve për situatën me të cilën po përballen të sëmurët kronikë dhe nëse ka ndonjë strategji konkrete për këtë kategori. Kërkesa për informacion i është dërguar ministrisë më 16 korrik, por edhe pse ka kaluar çdo afat ligjor, ende nuk ka një përgjigje.
Pyetja dërguar Ministrisë së Shëndetësisë nëpërmjet kërkesës për informacion
E njëjta situatë paraqitet edhe me pacientët e sëmundjeve infektive, pasi spitali është kthyer në karantinë dhe i gjithë stafi është përqendruar në luftën ndaj Covid -19.
“U infektova me leshmanjozë gjatë muajit korrik dhe nuk dija ku të shkoja, pasi më parë shkonim tek Infektivi. Asnjë spital nuk më pranoi, ndërsa mjekët e Infektivit më thanë të kurohesha në shtëpi, po si u mjekokemi në shtëpi? Atëherë për çfarë na duhen spitalet?” – na thotë 47-vjeçari, banor në fshatin Shëngjergj të Tiranës.
Në një situatë edhe më absurde janë gjendur të sëmurët me HIV/AIDS. Olimbi Hoxhaj, përfaqësuese e 6 shoqatave të pacientëve me sëmundje kronike, (shoqata e hemofilisë, talasemisë, shoqata e personave me hepatite, shoqata e personave që jetojnë me HIV/AIDS, shoqata e personave me diabet, shoqata e personave me dëmtime të shtyllës kurrizore), thotë se aktualisht kjo kategori nuk ka asnjë vend se ku të marrë shërbimin.
“Muajt e parë ishte e kuptueshme të kishim mungesa në marrjen e shërbimit dhe ne nuk kemi reaguar, por aktualisht, 6 muaj pas fillimit të pandemisë është absurde të mos mendohet për sëmundje të tjera, përveçse Covid” – na thotë Hoxha.
“Për të sëmurët me HIV/AIDS mbyllën shërbimin e infektivit dhe nuk ka askund tjetër ku mund të trajtohen këta pacientë. Çfarë do të ndodhë me këtë kategori? Patëm një rast, kur një pacient u identifikua me HIV gjatë pandemisë, por në fazë terminale dhe nuk e shtruan por e dërguan në shtëpi, pasi nuk kanë ku e shtrojnë”- shpjegon ajo.
Sipas Olimbi Hoxhës, që nga fillimi i pandemisë, asnjë institucion shëndetësor shtetëror nuk u ka kërkuar takim apo analizë të situatës dhe nevojave që ka ky komunitet.
“Janë rreth 300 mijë pacientë me sëmundje kronike që mbështeten nga Fondi i Kujdesit Shëndetësor dhe përgjatë gjithë këtyre muajve të gjithë merren vetëm me Covid, por askush nuk pyet se çfarë ndodh me këta të sëmurë të tjerë. Nuk na kanë kërkuar qoftë edhe një takim online për të pyetur se si po e përballojmë këtë situatë dhe me çfarë vështirësish po përballet kjo kategori” -përfundon Hoxha.
Nga një komunikim përmes postës elektronike me zëdhënësen e Ministrisë së Shëndetësisë, një vit më parë, rezulton se numri i pacientëve më sëmundje kronike që mbulohet nga Fondi i Kujdesit Shëndetësor është rreth 499 mijë.
Përgjigjja nga Ministria e Shëndetësisë
Frika nga Covid dhe reduktimi i shërbimeve shëndetësore po jep “efekte të padëshirueshme” edhe tek të sëmurët me tumor.
Edi Bejko, kirurg onkolog në QSUT, nëpërmjet një postimi në Facebook shprehet se “gjatë këtyre javëve si mjek, ka diagnostikuar shumë individë me sëmundje terminale malinje, aq sa nuk ka parë për një periudhë të gjatë kohore”.
Postimi i mjekut Edi Bejko në Facebook
Arsyet ai i gjen tek stepja për të shkuar drejt specialistit, për shkak se janë tmerruar nga e gjithë “psikoza e Covid”.
“Po ikin njerëz pa u kuptuar nga sëmundje të tjera, dhjetëra apo qindra herë më vrastare se korona… Asnjë dhe asgjë nuk e përligj numrin e vdekjeve të ngritura në piedestal për këtë pandemi në rang botëror, në raport me numrin morfologjik të sëmundjeve të tjera të cilat shfaqen edhe më vrastare për jetët tona. Rëndesi ka të kujdesemi edhe për sëmundjet e tjera, ashtu si dhe për Covidin, pa e ulur vigjilencën” – shprehet i alarmuar mjeku onkolog.
Situata e rënduar për kategorinë e të sëmurëve kronikë konfirmohet edhe nga shoqata “Europa Donna Albania”, e cila ka kontakte me rreth 300 gra të prekura nga kanceri i gjirit.
“Është e vërtetë se ka një rritje të rasteve të rënda. Arsyet janë disa; gjatë karantinës u reduktuan shërbimet e check-up, por edhe të ndjekjes së pacientëve, duke bërë që të mos realizohen në kohën e përcaktuar, shto këtu edhe stepjen e vetë pacientëve nga Covid për t’iu drejtuar spitaleve. Kjo bëri që të rriten rastet e rënda”-, thonë përfaqësues të “Europa Donna Albania”.
Por ndërsa gjatë karantinës shoqata arriti të zgjidhte çështjen e transportit të pacientëve nga rrethet drejt onkologjikut në Tiranë, aktualisht pacientet me kancer të gjirit po përballen me mungesën e Taxol, një medikament i domosdoshëm për kimioterapinë.
“Pasi kemi marrë njoftimet nga pacientët për mungesën e këtij medikamenti, do t’i dërgojmë një shkresë zyrtare QSUT-së për sqarime, pasi asnjë medikament që është pjesë e terapisë nuk duhet të mungojë, se ndryshe cënohet efikasiteti i saj” – thonë përfaqësuesit e shoqatës.
Të rreshtuar të gjithë në vijën e parë, në luftën ndaj Covid-19, sistemi shëndetësor shqiptar është i papërgatitur për t’u shërbyer pacientëve me sëmundje të tjera edhe pas katër muajsh nga heqja e karantinës së detyrueshme.
Akili 25 vjeç, u end pothuajse gjatë gjithë muajit korrik nëpër spitale, me temperaturë 40 që nuk i zbriste dhe askush nuk e shtronte nga frika e Covid.
“Bëri tre herë tamponin dhe të tre herët doli negativ, problem ishte se pavarësisht këtij fakti askush nuk e shtronte në spital. T’ia tregojmë varrit se çfarë kemi hequr. Na futën tek çadrat e triazhit para urgjencës së përgjithshme në QSUT dhe askush nuk e prekte me dorë. Na thonin ka Covid dhe nuk e shtrojmë dot në spital” – rrëfen e ëma e 25-vjeçarit.
Çadrat e triazhit përpara Urgjencës së Përgjithshme në QSUT
Të lënë krejtësisht pasdore dhe pa përkujdesjen e mjekëve, familjarët u detyruan ta merrnin në shtëpi, 24 orë pasi ishte paraqitur në QSUT, pavarësisht se ai vazhdonte me temperaturë të lartë dhe në gjendje të keqe shëndetësore.
“Nuk dinim çfarë të bënim, morëm një rekomandim nga mjeku i lagjes dhe e shtruam tek sanatoriumi, ku iu nënshtrua të gjitha analizave. Vetëm pas një jave i shtruar në spital, mjekët na thanë se vuan nga turbekulozi.” – rrëfen nëna e djalit. Sipas shpjegimit të mjekëve, gjendja e të riut ishte rënduar edhe më shumë për shkak të kohës së gjatë pa mjekim dhe temperaturës së lartë.
Aktualisht i riu po trajtohet në QSUT, pas mbylljes së sanatoriumit, i njohur si spitali “Shefqet Ndroqi” për pacientët me sëmundje të mushkërive dhe kthimin e tij në spitalin Covid 2.
Edhe vetë mjekët shprehin pakënaqësi për strategjinë që po ndjek Ministria e Shëndetësisë me menaxhimin e situatës.
“Ky është rasti tipik që na tregon përse në krye të Ministrisë së Shëndetësisë, duhet të jetë një mjek!” – na thonë bluzat e bardha të spitalit të traumës, që aktualisht vazhdon të funksionojë edhe si spital kirurgjikal.
“Kanë paralizuar të gjitha shërbimet për shkak të Covid, por jeta vazhdon. Tek ne ta zëmë, vazhdon ritmi i punës njësoj. Aktualisht kemi deri në 100 raste urgjence në ditë, por askush nuk do t’ia dijë për ne. Duan t’ia dinë vetëm për Covid!” – na thonë ata mjekë që e konsiderojnë të gabuar pezullimin e operacioneve të planifikuara.
“Na kanë thënë që në shtator do të rifillojmë normalisht, por dyshoj. Askush nuk vjen për qejf në spital, ndaj gjykojmë se është e tepërt t’u heqësh të drejtën për të marrë një shërbim, përveçse kur është urgjencë ose Covid.” – thonë mjekët, të cilët shtojnë se gjatë muajve qershor-korrik kanë pasur një fluks të shtuar pune.
Anila Shahini, kardiologe në qendrën shëndetësore nr.1 në Tiranë, pranë “Urës së Tabakëve”, na shpjegon se pavarësisht situatës së pasigurtë nga epidemia e SARS-COV-2, shërbimi shëndetësor nuk u ka munguar pacientëve.
“Përveç atyre javëve të para të karantinës, kur pati një reduktim të vizitave dhe pjesa më e madhe e tyre u zgjidhën me anë të telefonit, kush ka patur nevoja shëndetësore, nuk i është mohuar.”- shpjegon mjekja.
Dr. Anila Shahini, mjekja e Poliklinikës nr. 1
Sipas Shahinit, janë reduktuar vetëm vizitat që lidhen me medikamentet që i sëmuri përdor dhe vizitat rutinë.
“Nuk mund të shtyhet një vizitë për dikë që ka problem me zemrën dhe kjo nuk ka ndodhur, unë mund t’ju them që edhe gjatë muajve të karantinës unë kam dërguar për shtrim në QSUT, pacientë si në situatë normale. Aktualisht, vetëm unë realizoj 20-30 vizita kardiologjike në ditë” – thotë kardiologia, e cila pranon se ka një reduktim në numër vizitash.
“Nëse më parë pacientët vinin tek mjeku edhe për ndonjë shqetësim të parëndësishëm, tani stepen dhe e mendojnë mirë përpara se të lënë një takim” – thotë Shahini.
Gëzim Xhepa, mjek kirurg vaskular, është shprehur kritik që në fillim në lidhje me masat e marra si pasojë e pandemisë dhe ndikimin e tyre tek një komunitet i madh siç është ai i pacientëve me sëmundje kronike.
“Menjëherë pas heqjes së karantinës, gjatë muajit qershor unë kam pasur me qindra pacientë që kishin nevojë për ndërhyrje të ndryshme. Ata nuk kishin mundur të lëviznin për shkak të kufizimeve, por edhe reduktimeve të shërbimeve shëndetësore. Për mua përqendrimi vetëm tek Covid, është gabim sepse njeriu nuk preket vetëm nga Covid. Duhet që të gjitha sëmundjet të trajtohen”- thotë Xhepa.