Pretendimi: Coca Cola ka firmosur marrëveshje me Microsoft për të futur mikrogrimca në pijen e tyre

Verdikti: Gjysmë e vërtetë

—————————————————-

Konspiracionistët në rrjete sociale po pretendojnë se firma e pijeve Coca Cola ka firmosur një marrëveshje me firmën elektronike Microsoft për të futur “mikrogrimca” në pijet që prodhon.

Si zakonisht, ky pretendim i jashtëzakonshëm nuk shoqërohet me ndonjë provë apo referencë.

Faktoje nuk gjeti raportime të ndonjë marrëveshje mes dy kompanive që parashikon futjen e “mikrogrimcave” apo ndonjë gjëje tjetër në pijet e Coca Cola.

Në vend të saj, gjetëm se në Prill 2024 u shpall një partneritet strategjik pesëvjeçar mes Coca Cola dhe Microsoft. 

Ky partneritet nuk ka lidhje me përmbajtjen e pijeve të prodhuara nga Coca Cola, por me menaxhimin e sistemeve të kompanisë miliarda dollarëshe. Coca Cola do të paguajë 1.1 miliardë dollarë për shërbimet teknologjike që ofron Microsoft, kryesisht Microsoft Cloud dhe Azure OpenAI Service.

Ky i fundit është një program i inteligjencës artificiale (AI) që planifikohet të përdoret nga Coca Cola “për të ndihmuar punonjësit të përmirësojnë përvojat e klientëve, për të thjeshtuar operacionet, për të nxitur inovacionin, për të fituar një avantazh konkurrues, për të rritur efikasitetin dhe për të zbuluar mundësi të reja zgjerimi.”

“Përmes partneritetit tonë afatgjatë, ne kemi bërë përparim të rëndësishëm për të përshpejtuar transformimin e AI në të gjithë sistemin në kompaninë Coca-Cola dhe rrjetin e saj në mbarë botën,” tha Judson Althoff, nënkryetar ekzekutiv dhe shef komercial në Microsoft. “Ne jemi krenarë që mbështesim Coca Cola-n ndërsa ajo vazhdon të përqafojë epokën e AI dhe shikon 

zgjidhje si Azure OpenAI Service dhe Copilot për Microsoft 365 për të nxitur inovacionin në çdo fushë të biznesit të saj.”

Teoria e futjes së mikroçipeve në trupin e njeriut për ta kontrolluar atë ishte një nga më të përhapur në rrjetet sociale gjatë pandemisë së Covid-19. Bill Gates, themeluesi i Microsoft, akuzohej se do të përdorte vaksinat e reja për të futur këto mikroçipe në organizmat njerëzore. Këtu duket dhe zanafilla e këtij paragjykimi që ka lindur ndaj marrëveshjes së Coca Cola dhe Microsoft për të përdorur teknologjinë e saj. 

Bill Gates ka përgënjeshtruar teoritë e konspiracionit se ai qëndron prapa një komploti për mikroçipet. “Nuk kam qenë kurrë i përfshirë në gjëra të tilla”, tha Gates në një telekonferencë me gazetarët në vitin 2020. Megjithatë, kjo teori vijon të ketë ndjekësit e saj dhe të jetë një nga arsyet e refuzimit të vaksinimit.