Pretendimi: Presidenti shqiptar Bajram Begaj ka dekoruar artisten Çiljeta Xhilaga me titullin Mjeshtre e Madhe e Punës
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————
Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullon pretendimi se presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka dekoruar artisten Çiljeta Xhilaga me titullin Mjeshtre e Madhe e Punës.

Pretendimi shoqërohet edhe me një imazh të etiketuar si i gjeneruar me programe të inteligjencës artificiale (AI).
Megjithatë, si imazhi, edhe pretendimi është i rremë.
Nga një kërkim në faqen zyrtare të Presidencës, nuk figuron se këngëtarja ka marrë ndonjë dekoratë nga ky institucion.

Lajmi i dekorimit të saj u përgënjeshtrua edhe nga vetë këngëtarja në rrjetet e saj sociale, në një replikë të ashpër ndaj kantautorit Gjergj Leka. Ky i fundit kishte reaguar publikisht më herët duke e marrë për të vërtetë lajmin e dekorimit.

Titulli “Mjeshtre e Madhe e Punës” teknikisht nuk ekziston në Republikën e Shqipërisë. Titulli “Mjeshtër i madh” është një dekoratë që u jepet punonjësve të fushave të ndryshme të shkencës, artit, sportit, drejtimit, prodhimit dhe biznesit për punë të shquara.
Më herët këtë muaj, Faktoje përgënjeshtroi një pretendim të ngjashëm mbi dekorimin e reperit amerikan Kanye West me titullin Nderi i Kombit.






