Pretendimi: Përmendja e Izraelit ishte e vetmja gjë që CIA ka kërkuar të redaktohet nga dosjet e JFK.
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————–
Pasi qeveria amerikane botoi grupin e fundit të dokumenteve mbi vrasjen e presidentit amerikan John F. Kennedy (JFK) më 22 nëntor 1963, në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se, ndër të tjera, Agjencia Qendrore amerikane e Inteligjencës (CIA) kishte pranuar të deklasifikohej çdo gjë në këto dokumente, me përjashtim të pjesëve ku përmendej Izraeli.
Ky pretendim duket se e ka burimin në një postim në Twitter nga Stew Peters, i përshkruar si një konspiracionist dhe antisemit nga Lidhja Anti-Shpifje (ADL). Peters postoi disa imazhe ku disa fragmente fjalish që përmendin Izraelin ishin të rrethuara me kllapa katrore të vizatuara me dorë, që tregonte se agjentët donin që ky informacion të mos publikohej.
Imazhet shfaqnin vulën e CIA ku thuhej se agjencia “nuk ka kundërshtime për deklasifikimin” e dokumenteve, pasuar nga një shtesë e shkruar me dorë: “PERVEÇ Kllapave” dhe datën e shënimit: “8-7-98”.
Dokumentet në fjalë janë reale. Ato mund të gjenden në faqen e Arkivave Kombëtare amerikane këtu dhe këtu.
Megjithatë, postimi i mësipërm ka zgjedhur vetëm dy dokumente nga koleksioni i gjerë i dosjeve JFK që përmban miliona faqe.
Ndryshe nga pretendimi që po qarkullon në rrjet, CIA nuk kërkoi që të redaktoheshin vetëm përmendjet e Izraelit, por edhe shumë gjëra të tjera. Lista përfshin emra dhe përmendje të projekteve të agjencive specifike, siç shihet në grupin e dokumenteve të deklasifikuara në 2025.
Emrat janë rrethuar gjithashtu me kllapa katrore
E gjithë pjesa e ngjyrosur me të verdhë rrethohet nga kllapa katrore, që tregon se agjencia donte që ky informacion mos publikohej
Faqja e internetit e CIA përshkruan kategoritë që agjencia në përgjithësi nuk i publikon:
“Karta e CIA parashikon që informacioni në lidhje me burimet dhe metodat e mbledhjes së inteligjencës duhet të mbetet sekret. Një informacion i tillë nuk është i disponueshëm për zbulim publik dhe është redaktuar nga dokumentet, por sasi të konsiderueshme të informacionit analitik ose të marrë publikisht janë në dispozicion.”
Edhe në një memo të ribotuar rishtazi të përgatitur për presidentin Kennedy nga këshilltari i tij Arthur Schlesinger Jr., seksioni që diskuton personelin e fshehtë të CIA të bazuar jashtë territorit të ShBA në vende si Austria, Kili dhe Franca u redaktua më parë kur pjesë të dosjes Kennedy u publikuan në vitet para 2025.
Sipas analizës së Arkivit të Sigurisë Kombëtare të mbajtur nga Universiteti George Washington, disa nga dokumentet e pa redaktuara që u bënë publike në vitin 2025 si pjesë e dosjeve të JFK-së “përmendin emrat, agjentët, vendet, shpenzimet” dhe zbulojnë detaje të operacioneve të fshehta. Ajo krahason versionet e redaktuara më parë dhe versionet e reja të ripublikuara të dosjeve, gjë që konfirmon se çfarë dikur ishte redaktuar nuk ishin vetëm përmendjet e Izraelit.
Krahasimi i një faqeje nga historia e CIA e stacionit të qytetit të Mexico në 1964, redaktuar (majtas) dhe e paredaktuar (djathtas).
Jefferson Morley, një ish-gazetar i Washington Post dhe redaktor i blogut JFK Facts, tha për BBC se ka dokumente të tjera në Arkivin Kombëtar pa u publikuar ende, dhe të tjera të mbajtura nga CIA dhe FBI që ende nuk figurojnë.