Çfarë solli ndërprerja e energjisë elektrike në QSUNT

Defekti i rëndë në furnizimin me energji elektrike ekspozoi dobësitë e sistemit rezervë në QSUNT

16

Sebi Alla- Më shumë se si mjek, shefi i Pavionit të Reanimacionit Qëndror në QSUNT, Krenar Lilaj, foli si “specialist” në fushën elektrike, për rastin e mbrëmjes së të hënës kur për më shumë se një orë u shkëput energjia, duke u rrezikuar jeta e pacientëve në repartin e Reanimacionit.

“Ndërprerja e energjisë zgjati disa minuta, nga informacionet që morëm bëhej fjalë për një defekt të rëndë dhe rikthimi i energjisë ishte i pakonfirmuar. Në këto kushte për të shmangur rënien e apo mosfunksionimin e njëkohshëm të aparateve respiratore, vendosëm kalimin e të sëmurëve në godinën tjetër të spitalit. Zhvendosja e u bë vetëm 20 metra më larg duke siguruar vazhdimin e trajtimit. Vendosëm që të transportojmë vetëm 10 të sëmurë, 9 të cilët ishin në respiracion të drejtuar”, tha Lilaj.

Pamjet e publikuara nga familjarë të pacientëve tregonin se stafi mjekësor dhe infermieror lëvizte pacientët me pompa manuale oksigjeni, për t’i dërguar në një tjetër repart, ku energjia nuk ishte shkëputur.

Reagimi

Mjeku shqiptar që punon në Gjermani, Erion Dasho, ka komentuar ngjarjen.

“Më lejoni që të tregoj se si planifikohet mbarëvajtja në një spital. Në spital ka dy linja. Të cilat nëse dëmtohen, të cilat garantojnë energjinë, madje dhe pavionet, ku ndodhen të sëmurë në gjendje të rëndë, ato pajisje qëndrojnë në punë edhe nëse ndërpritet energjia. Më pas është gjeneratori, nëse ndërpritet energjia, që hyn në funksionim.

Dy linja të pavarura nga njëra tjetra. Jetën nga vdekja në disa raste e ndajnë disa sekonda. Ndaj këto pjesë të spitalit duhet të kenë mbështetje. Është e papranueshme që në një qendër speciale, të kemi ndërprerje me minuta apo orë të energjisë elektrike. Kjo dëmton cilësinë e kujdesit, sigurinë e pacientit, pasi vihet në rrezik jeta e tyre. Pa energji vihet në pikëpyetje siguria e pacientit me aspirim apo me probleme kardiake…”, tha ai

Spitali

Ndonëse duhet të ishin funksionale gjeneratorët në raste emergjence ata nuk janë aktivizuar menjëherë referuar pamjeve nga familjarë të pacientëve.

Zyrtarisht ka një tjetër pretendim. QSUT në një reagim zyrtar thotë se është aktivizuar sistemi (UPS Gjeneratorë).

“Për shkak të një defekti në linjën e furnizimit me energji elektrike të tensionit të lartë që furnizon Godinën A2 të QSUT, ka pasur një ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike. Falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë (UPS, Gjeneratorë), aparaturat mjekësore jetike kanë vijuar të funksionojnë normalisht, duke garantuar vijimësinë e trajtimit dhe duke mos u cenuar në asnjë moment jeta e pacientëve”, deklaroi QSUNT për mediat. Fakt mbetet se energjia ka munguar, duke e kategorizuar deklaratën zyrtare të QSUT thjesht propagandë kur thotë se situata u vu nën kontroll menjëherë si pasojë e aktivizimit të  gjeneratorëve

Ngjarja

Pacienti N.M i trasferuar nga Spitali i Burgut humbi jetën mëngjesin e ditës së sotme, por sipas shefit të repartit të Reanimacionit Qëndror në QSUNT, gjendja e tij ka qenë e rëndë dhe pasoja fatale nuk ka ardhur si shkak i mosfunksionimit të aparaturave nga shkëputja e energjisë elektrike. “Gjendja e tij ishte e rëndë që në ardhje ditën e dielë pasdite. Ka pasur cirroza hepatike dhe ka pasur hemoragji masive për të cilën është trajtuar kirurgjikalisht. Saktësisht i sëmuri është ndarë nga jeta 4:13 minuta”, tha Lilaj.