MERXHAN DACI
Dy përfaqësues të “Faktoje” (përfshirë mua) morën pjesë në Konferencën Globale të Gazetarisë Investigative që u mbajt në Hamburg të Gjermanisë nga 26-29 shtator 2019. Ky ishte viti i 11-ë që konferenca më e madhe në botë për gazetarët investigativë mblodhi gazetarë nga të gjitha kontinentet.
Këto ishin disa nga pikat e interesit në Konferencë sipas meje duke u nisur nga sesionet e ndjekura:
- Gazetaria Mobile
Sot jetojmë në një kohë tjetër, “telefonanat e zgjuar” mund të bëjnë raportime ndonjëherë më të mira dhe më të shpejta edhe se kamerat e mediave tradicionale. Multimedia sot është padyshim fuqi. Me një telefon me kamera dhe një aplikacion që mund të ngjisësh planet që ke xhiruar dhe të prodhosh një produkt video me të gjithë elementët.
Në konferencën e mbajtur në Hamburg, u treguan metodat më të mira se si mund të bësh gazetari “mobile”. Po ashtu u dhanë dhjetra udhëzime dhe këshilla se si mund të xhirosh mirë më telefon.
Kinemaster është një nga aplikacionet më popullorë tek telefonat Android. Mund ta shkarkosh nga PlayStore dhe ta instalosh në telefonin tënd. Mund të xhirosh pamje të ndryshme dhe i ngarkon tek ky aplikacion, bashkë me jë audio të caktuar, madje edhe me titra. Pra shumë thjesht mund të bësh një produkt video për redaksinë tënde në kohë reale si gazetar multimedial në Kinemaster.
- Dizinformimi/verifikimi/fact-checking
Me anë të kuizeve, në disa sesione u trajtua verifikimi i fotove apo videove.
Si të përdorësh programe si Tineye apo Yandex (inverse image search) për të gjetur se kur një foto është shkrepur apo publikuar për herë të parë në web.
Yandex është (ndoshta) motori më i mirë i kërkimit të pamjeve me një aftësi të mirë për të njohur fytyra njerëzish, peizazhe apo objekte të ndryshme. Kjo është një platformë ruse që përdor përmbajtjen e krijuar nga përdoruesit, të tilla si faqet e rishikimit të turistëve si FourSquare apo TripAdvisor dhe rrjetet sociale.
TinEye.com– Është një kompani e kërkimit dhe njohjes së imazheve. Misioni i tyre është t’i bëjnë imazhet të kërkueshme. Ata janë një ekip i vogël me qendër në Toronteqë ofrojnë zgjidhje të kërkimit dhe njohjes së figurave për industritë ku kërkimi i imazheve është mision kritik.
Verification Quiz Bot (Quiz time) ishte një nga llogaritë në Twitter kur jepen disa shembuj të mirë se si mund të gjesh vendndodhjen ekzakte të një fotoje, pra pozicionin e saktë duke futur në lojë edhe hartat apo “geolocation”. Qytetarët apo gazetarët shumë herë kanë kërkuar ndihmë tek kjo llogari pas së cilës janë ekspertë të “geolocation” për të verifikuar apo gjetur vendin e saktë. Më besoni që nuk është një gjë “edhe aq e thjeshtë”. Kërkon durim, përqëndrim, aftësi të mira kërkuese por jo vetëm kaq.
- Mjete për “gjurmuar” njerëz, mjete apo fenomene
Flightradar24.com- Ky është një aplikacion që ndjek në kohë reale avionet dhe cdo mjet tjetër fluturues. Me anë të këtij aplikacioni mund të shikosh detaje për llojin e avionëve, kur janë nisur, trajektoren që ndjekin dhe pse jo të marrësh një pamje 3D të udhëtimit të avionit. Po ashtu në këtë program mund të gjesh edhe statistika të fluturimeve apo detaje për lloje të ndryshme fluturimesh, aksidentesh etj.
Vesseltracker.com- Është një ofrues i lëvizjeve të anijeve dhe shërbimeve të informacionit detar me qëllim që të sjellë transparencë.
Nga kjo platformë mund të marrësh informacion të thelluar mbi karakteristikat e anijeve, specifikimet dhe detajet e pronësisë e menaxhimit.
Kjo platformë aplikon algoritme duke bërë të mundur që të gjurmohen mijëra anije në botë.
Marinetraffic.com- MarineTraffic ofron po ashtu gjurmim të anijeve. Monitorimi i lëvizjeve të anijeve bëhet në bazë të të dhënave të mbledhura nga rrjeti i stacioneve marrëse AIS.
- Të rrëfyerit e historisë/ vizualizimi
Ka disa mënyra për të treguar një histori, nga më të thjeshtat tek më të komlikuarat. Në disa raste vizualizimi është celësi që audienca të marrë esencën e një historie që vetëm në artikull mund të humbasë interesin.
Një nga shembujt që u tregua në konferencë ishte rasti i një bombe në vitin 2018 që regjimi i Bashar Al Assad në Siri kishte hedhur mbi një godinë duke vrarë mbi 30 persona me armë kimike.
Ekspertët grafikë dhe gazetarët e New York Times e rindërtuan historinë duke përdorur 67 video të ndryshme që tregoni secila nga pak vizualisht për ngjarjen e rëndë. Regjimi mohonte të kishte përdorur armë kimike mbi popullsinë civile por rindërtimi i historisë nga e para tregoi të kundërtën.
LINK: https://wwwnytimes.com/video/ëorld/middleeast/100000005840873/syria-chlorine-bomb-assad.html
Rasti i dytë ishte ai i vrasjes së Jamal Khashoggi, gazetarit nga Arabia Saudite që u vra në konsullatën e vendit të tij në Stamboll. New York Times investigoi për kohë me radhë njerëzit që mendohet se janë të përfshirë në vrasjen makabre në konsullatë. Khashoggi, i cili priste të merrte një dokument për tu martuar me të fejuarën e tij, gjeti në konsullatë disa njerëz që e vranë në mënyrë makabre duke i zhdukur edhe trupin. NYT e solli të gjithë këtë histori me vizualizim, me grafikë, harta etj.
- Highlight-i i Konferencës, fjalimi frymëzues i Maria Ressa
Maria Ressa është drejtoresha e Rappler, një platformë mediatike e pavarur në Filipine. Në mbyllje të konferencës, ajo mbajti një fjalim i cili u duartrokit disa herë nga publiku i gazetarëve investigativë globalë.
“Një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve”. Kjo ishte fjalia hapëse dhe mbyllëse e fjalimit të saj.
Ressa foli për gazetarët që duhet të mbështesin njëri-tjetrin teksa rrjetet e disinformimit po shtohen dhe intensifikojnë aktivitetin e tyre.
“Gazetarët duhet të bashkëpunojnë. Kjo është një botë e re. Bashkëpunimi nuk është i lehtë sepse kemi lindur për të garuar kundër njëri-tjetrit. Në Filipine, të dhënat tona na tregojnë se grupet e lajmeve janë shtyrë në periferi të ekosistemit tonë të informacionit, dhe në qendër janë rrjetet e dezinformatave – disa të lidhura me rrjetet ruse të dezinformimit, disa në Kinë. Ata të gjithë po ndajnë në mënyrë aktive njëri-tjetrin – ndërsa ne nuk jemi. Kështu lulëzojnë realitetet alternative”, tha ajo.
Maria Ressa tregoi eksperiencën e saj të gjatë me gjykatat, arrestimet, shoqërimet teksa ishte në mbrojtje të fjalës së lirë dhe medias.