.

.

BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingÇfarë kostoje do kenë anijet që prodhojnë energji për ekonominë dhe mjedisin

Çfarë kostoje do kenë anijet që prodhojnë energji për ekonominë dhe mjedisin

Ina Allkanjari

Shqipëria do marrë me qira dy termocentrale lundruese, për të mbuluar kërkesën për energji elektrike në këtë periudhë krize. Vetëm qiraja dyvjeçare për anijet që do vendosen në brigjet e triportit Vlorë kushton rreth 46 milionë USD, ndërsa ajo e prodhimit të energjië rreth 285 milionë USD. Ekspertët e shohin me rezerva këtë vendim, edhe pse pranojnë se ky mbetet opsioni i vetëm i zgjidhjes emergjente në kushtet e vendit tonë. Specialistët e mjedisit japin argumenta se do ketë edhe kosto mjedisore, por qeveria garanton se anijet janë brenda standardeve mjedisore dhe të licencuara nga Banka Botërore.

—-

“Kemi arritur marrëveshje për të marrë me qira 2 anije të prodhimit të energjisë elektrike derisa TEC të vihet në punë. Janë termocentrale lundruese dhe janë arritje e madhe se do na garantojë një pavarësi energjike, sigurisht e kufizuar”- deklaroi në 5 Prill Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku në mbledhjen e Komitetit të Energjisë.

Nisur nga kjo deklaratë ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Korporatës Elektronenergjetike Shqiptare (KESH), e cila ka siguruar kontratën dyvjeçare për marrjen me qira të dy anijeve.

Ne kërkuam të dimë se çfarë kostoje do të ketë prodhimi i energjisë nga këto termocentrale lundruese, sa përqind e energjisë pritet të mbulohet nga prodhimi i tyre, etj.

Kërkesa për informacion drejtuar KESH

Në përgjigjen për Faktoje, që mbërriti në 18 Maj, KESH shpjegon:

“Kosto e lëndës djegëse e llogaritur nga shoqëria bëhet referuar konsumit për MW/h energji të gjeneruar, e cila është 220 kg/MWh. Referuar çmimeve të lëndës djegëse HFO për vitin 2022, kosto do të variojë nga 91.7 $/MWh – 132 $/MWh. Kosto mesatare e llogaritur për 1 MWh energjie nga aseti, bazuar në të dhënat më sipër, llogaritet të jetë për vitin 2022 rreth 170 $/MWh. Me rezervë sqarojmë se kosto e lëndës djegëse që do të prokurohet do të nxjerrë saktë koston e energjisë që gjenerohet nga ky aset”- thuhet në përgjigjen e KESH i cili konfirmon se vlera e ofruar nga ana e subjektit fitues për qiranë e asetit gjenerues termik është 63,000 $ (gjashtëdhjetë e tre mijë) në ditë dhe pas periudhës 2 vjeçare të përfundimit të qirasë, aseti do t’i kalojë në pronësi KESH-it.

Eksperti i energjitikës Lorenc Gordani e sheh me rezerva vendimin e qeverisë për marrjen me qira të anijeve për disa arsye:

“Gjithnjë duhet të konsiderojmë cila është kostoja dhe kjo sigurisht nuk është kostoja më e ulët. Përsa i përket zgjidhjes më të mirë që Shqipëria mund të ndërmarrë në të ardhmen, shkalla e parë është eficenca e energjisë që do të thotë auditim, menaxhimi i energjisë dhe më tej shkohet me fotovoltaikët e shpërndarë kudo, në të gjitha ndërtesat për shkak të energjisë diellore që ne kemi si vend”-thotë eksperti i energjitikës Gordani.

Ekspertë të ekonomisë tregojnë për Faktoje se sa do të jetë kosto e energjisë së prodhuar nga anijet në krahasim me atë të blerë në bursë.

“Sipas kostove që jepen nga KESH, del se energjia që prodhohet nga anijet ka një kosto 197 USD për MWh. Çmimi i bursës në qershor ka qenë 197 euro për MWh. Po flas për bursën hungareze, pasi aty e blejmë ne energjinë. Pra çmimi është pak a shumë i njëjtë me çmimin e tregut.”- tha për Faktoje eksperti për çështjet ekonomike.

Nga përgjigjja e KESH për pyetjen se sa përqind energjisë pritet të mbulohet nga prodhimi i këtyre termocentraleve lundruese mësuam se sasia e mundshme për gjenerim nga aseti gjenerues termik është rreth 70,000 (Shtatëdhjetë mijë) MWh/Muaj nga mesatarisht 450,000 (katërqind e pesëdhjetë mijë) MWh/muaj që është nevoja e vendit.

Screenshot, pjesë nga përgjigja e KESH

Nëse do të llogarisnim sasinë e energjisë së prodhuar për dy vite nga termocentralet lundruese, bazuar në shifrat e KESH, del  se për 24 muaj siç parashikohet në kontratë, do të prodhohen diku te 1.68 milion MWh e barabartë me të paktën 285.6 milionë dollarë.

A do të kenë pasoja në mjedis termocentralet lundruese?

Sipas përgjigjes zyrtare nga KESH, vlerësimi i ndikimit në mjedis është në zhvillim e sipër në kuadër të pajisjes me leje mjedisore, ndërsa për përzgjedhjen e Vlorës si vendi ku planifikohet të operojnë këto anije, jepet ky argument:

“Është përzgjedhur zona e Triportit, ku ndodhet dhe TEC Vlora. Ajo zonë ka studim të miratuar që nga koha e ndërtimit të TEC-it si zonë industriale. Teknikisht është më e favorshme për lidhjen me rrjetin si dhe do të shërbejë për furnizimin e zonave turistike për sezonin, duke reduktuar humbjet. Pika e lidhjes së asetit gjenerues me rrjetin e transmetimit të Republikës së Shqipërisë është në një largësi prej rreth 700 m.”

Ndërkohë, në takimin ku njoftoi lidhjen e kontratës për anijet që prodhojnë energji, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Balluku, u kujdes të sqaronte opinionin se këto pajisje janë brenda stadndardeve që respektojnë mjedisin.

“Dua të siguroj të gjithë banorët e Vlorës, por edhe të gjithë vizitorët, që jemi munduar shumë për të gjetur dy anije që janë të ceritifikuara nga Banka Botërore, përsa i përket respektit të kushteve ambientale. Duke pasur parasysh që kemi një zonë me turizëm shumë të lartë, e gjithë infrastruktura që është ndërtuar dhe po ndërtohet në atë zonë pikërsht për të mbështetur turizmin, na ka bërë ne që të jemi të kujdesshëm dhe të kërkojmë një produkt që të jetë në përputhshmëri të plotë me kushtet përsa i përket një ambieti të pastër, kështuqë kemi kërkuar aplikimin e licencave të Bankës Botërore për mbrojtjen e ambientit dhe këto anije i kanë.”-sqaroi ministrja Balluku

Mirëpo ndryshe nga ajo çfarë garanton ministrja, ekspertët e mjedisit i druhen pasojave që mund të sjellë aktiviteti i termocentraleve lundruese.

“Këto anije nuk kanë asnjë ndryshim me TEC në Vlorë në kuadër të pasojave në mjedis. Pra në rastin më të mirë sjellin të njëtat pasoja si TEC, në rastin më të keq rreziku aksidental është më i lartë. Nga përdorimi i këtyre anijeve, në ajër do dalin djegiet (Mazut-një ndër lëndët djegëse fosile) dhe do ta vuajë popullsia, bimësia, bregdeti i Vlorës. Mund të ketë shkarkime në ujë, raste aksidentale të cilat janë me risk, sjellin ndotje të madhe, e cila mbetet në gjirin e Vlorës. Gjithashtu këto anije mund të përdorin ujin e detit për të bërë ftohjen e kaldajave në anije dhe e rikthejnë në det, gjë që ndikon në rritjen e temperaturave të ujit dhe pasojat tek gjallesat”-paralajmëron eksperti Olsi Nika.

Termocentralet lundruese, praktikë që përdoret nga vendet e prapambetura?

Ekspertë të mjedisit i thanë Faktoje se anijet prodhuese të energjisë elektrike përdoren në vende me emergjenca energjetike ose në vendet e prapambetura me dalje në det.

“Këto anije merren kur një shtet ka një krizë të menjëhershme energjitike dhe janë jashtë sistemit energjitik të vendit”-thotë Olsi Nika.

Në lidhje me vendet që përdorin të njëjtën praktikë, eksperti i energjitikës Lorenc Gordani shprehet:

“Në Europë janë zhdukur këto forma prodhimi, sepse kanë tubacione dhe gazin natyror e kanë në bursë. Vështirë të ketë vend tjetër si Shqipëria në Europë që t’i rikthehet këtyre reformave, që janë të vjetra dhe pothuajse nuk përdoren. Mund të gjejnë përdorim në ishuj që nuk janë të ndërlidhur, nuk kanë përdorim nëpërmjet gazit.”

Anijet e prodhimit të energjisë, sipas zyrtarëve të MIE pritet të mbërrijnë gjatë muajve të verës së këtij viti dhe më pas të vihen në funksion.

 

*Foto kryesore ilustruese marrë nga interneti

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img