Ballkani i hapur, nisma “gjysmake” Tiranë-Beograd-Shkup shfaqi ambicje për t’u zgjeruar gjeografikisht përtej Rajonit. Kryeministri Edi Rama, i cili në disa raste ka marrë rolin e negociatorit në një proces “joshjeje”, ka ftuar edhe Turqinë, Greqinë, Italinë Hungarinë e shtete të tjera. Por ekspertët shprehin rezerva në lidhje më këtë afrim ‘të butë’, kryesisht të Turqisë dhe paralajmërojnë se këto vendime mund të rezultojnë kundërproduktive për shumicën e vendeve të rajonit që nuk janë të aftë të konkurrojnë, për shkak të prapambetjes së ekonomive të veta kombëtare.
Marjo Brakaj
“Open Balkan” është ende larg misionit të tij fillestar, atij të bërit bashkë gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në drejtim të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve. Por ende pa u përmbushur ky mision, nisma Tiranë-Beograd-Shkup po shfaq ambicie për të tërhequr edhe shtete të tjera përtej Rajonit.
Kryeministri Edi Rama, në disa raste ka marrë rolin e “negociatorit” në një proces “joshjeje” që e ka nisur me Turqinë, shtetin të cilin që me ardhjen në krye të qeverisë në vitin 2013 e ka shpallur si “Partner Strategjik”.
“Në çdo fjalim ju thoni le të ndihmojë që Ballkani të jetë me ne dhe të mos ketë ndërhyrje nga të tretë, por për vaksinat Serbia iu drejtua Kinës dhe Rusisë, ne vrapuam drejt Turqisë, po të mos ishte Erdogan do kishim më shumë fatalitete ky është realiteti, shpresoj që Europa të nxjerrë mësimet e veta”, përsëriti nga samiti i Bledit në Slloveni kryeministri Rama më 28 gusht.
Rama e zgjeroi spektrin e ftesave në Beograd të Serbisë në fillim të shtatorit ku shpalli “ftesa” të hapura edhe për vende të tjera si Greqia, Italia apo Hungaria.
“Ne ftuam edhe ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Italisë, që me ndjesën elegante nuk mund të ishin këtu. Për ne është e rëndësishme që kësaj nisme t’i bashkohen edhe vendet e tjera si Italia apo Hungaria. Një koleg nga BE kryeministër më tha që pse nuk na ftuat, më vjen mirë që po vjen dita që duan të ftohen gjithmonë e më shumë vende që i përkasin hapësirave që ne kemi kaq shumë dëshira të ftohemi.” – pohoi kryeministri Rama.
Shqipëria në raport me Ballkanin e Hapur dhe partnerët strategjikë
Para se t’i japim përgjigje pyetjes, “Sa ‘joshës’ mund të jetë Ballkani i Hapur”, le të kuptojmë pozicionin e Shqipërisë në rrafshin ekonomik në raport me Greqinë, Italinë, Turqinë e Hungarinë.
Tradicionalisht, fqinjët e Greqisë dhe Italisë kanë qenë partnerët kryesorë të Shqipërisë në drejtim të shkëmbimeve tregtare (eksporte dhe importe).
Kryesisht në dekadën e fundit, kësaj liste i është bashkuar edhe Turqia. Tregtia e jashtme nga viti në vit me këto vende ka pësuar rritje duke përbërë gati 50 për qind totalit të mallrave të shkëmbyer.
Disi ndryshe paraqitet situata në rrafshin e investimeve të huaja. Partnerët e huaj që investojnë në Shqipëri, po vijnë gjithmonë e më shpesh nga shtete që më herët nuk janë shquar për marrëdhënie të forta ekonomike me vendin tonë. Tradicionalisht, fqinjët e Italisë dhe Greqisë, kanë qenë investitorët kryesorë në vend, falë afërsisë gjeografike dhe mundësive që krijonte një ekonomi e prapambetur.
Prej vitesh tanimë vihet re një tjetër trend, ai i afrimit të kapitalit nga Lindja. Që prej fillimit të vitit 2018, origjina kryesore e parave që investohen në vend, ka ardhur nga vende si Bullgaria, Turqia dhe së fundmi Hungaria, që me blerjet e fundit në tregun bankar dhe atë të telekomunikacionit, pritet të kthehet në një nga liderët e investimeve të huaja.
Kjo zhvendosje gjeografike është mundësuar edhe falë strategjisë së ndjekur nga kompanitë greke, për t’u tërhequr nga rajoni i Ballkanit Perëndimor. Vetëm në 3 vite, stoku i investimeve të huaja nga Greqia, ka pësuar rënie me thuajse 1 miliard euro.
Një indikator që bie në sy ndërkohë, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit, është prezenca e ulët e investimeve nga Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por për këtë të fundit, pritshmëritë janë të larta, pasuar nga lajmet për afrimin e kompanive si Bechtel apo gjigandit Exxon Mobil.
A mundet Ballkani i Hapur të jetë një “fushë tërheqëse magnetike”?
Bashkë me gjeografinë e investimeve të huaja zhvendosim në rrafshin më të gjerë, atë të perspektivës së Ballkanit të Hapur për t’u zgjeruar.
“Duhet thënë që ende mungojnë tre vende të Ballkanit Perëndimor që nuk janë pjesë e Ballkanit të Hapur, dhe duket pak e nxituar që diskutohet për futjen e vendeve të tjera jashtë Ballkanit. Nga ana tjetër duhet parë sa në përputhje do të jetë kjo strukturë me standardet e vendosura nga Bashkimi Europian. Nëse CRM u krijua dhe gjithë procesi ishte nën shqyrtimin dhe monitorimin e vetë BE-së, Ballkanit të Hapur i mungon një strukturë e tillë monitoruese që vendos standarde dhe përpiqet t’i ruajë ato.” – thotë Nirvana Deliu, njohëse e çështjeve të integrimit.
Ndërkohë, për studiuesen Deliu zgjerimi i Ballkanit të hapur me përfshirjen e Ankarasë duket më real.
“Turqia e ka treguar që ka një interes të veçantë për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe është e përfshirë në rajon nëpërmjet investimeve gjeostrategjike, mbështetjeve financiare dhe asaj që njihet si soft power (fuqi e butë) nëpërmjet shkëmbimeve kulturore, arsimit dhe artit. Ajo është përfshirë dhe synon ta vazhdojë këtë ndikim të saj në Rajon, dhe Ballkani i Hapur mund të shërbejë si një dritare më shumë për të intensifikuar marrëdhëniet ekonomike me vendet e Ballkanit Perëndimor, e për më tepër me ato vende marrëdhëniet me të cilat Turqia nuk i ka dhe aq të ngushta.” – argumenton Deliu.
Përqafimin e “Open Balkan” nga Turqia e sheh të mundshëm edhe studiuesi i çështjeve ekonomike, Selim Blliku.
“Vitet e fundit ajo ka ndërmarrë disa investime në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në sferën kulturore, por jo vetëm, duke mëshuar edhe te investimet në infrastrukture, energji, telekomunikacion dhe sektorin bankar. Gjithë këto përpjekje nga Turqia shprehin qartë interesin e saj për të përforcuar lidhjet me Ballkanin dhe rrjedhimisht me të edhe influencën e saj jo vetëm ekonomike, por dhe diplomatike, politike, e kulturore.” – vlerëson Blliku
Ligji i xhunglës, “i madhi ha më të voglin”
Pika ku të gjithë bashkohen është fakti se cilado nismë, projekt bashkëpunimi bëhet me një qëllim përfitimi i sa më shumë nga mundësia e ofruar. Dhe kur interesat prevalojnë mbi parimet, pritshmëritë nuk mund të jenë të mëdha.
“Ballkani i Hapur nuk është nisma e parë rajonale që është ndërmarrë. Disa të tjera të mëparshme kanë dështuar. Nga tre vendet aktualisht që nisën këtë bashkëpunim Serbia ka një dominancë tregtare dhe ekonomike (rreth 2-fishi i ekonomisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të marra së bashku), çka do e bënte atë përfituesen kryesore nga barrierat e hapura për shkak se do të mund të prodhojë të mira e shërbime me vlerë më të lartë për eksport në rajon. Afrimi i vendeve të tjera, sidomos atyre Europiane bashkë me lehtësirat tregtare dhe përfitimet ekonomike, nënkutpon dhe një “dorëzim” të tregjeve vendase që mund të humbasin konkurrueshmërinë kundrejt ekonomive dhe tregjeve më të konsoliduara.”, – argumenton studiuesi Blliku.
Vlerësime të ngjashme shpreh edhe eksperti tjetër i ekonomisë, Zef Preçi.
“Parë nga ky këndvështrim, nisma e Ballkanit të Hapur, apriori, gjykohet se sjell përfitime për ekonomitë më të forta, por edhe drejtpërdrejt apo tërthorazi i shndërron ekonomitë e vendeve të tjera në tregje për mallrat e kësaj ekonomie. D.m.th. hapja pa kushte, nën presion politik, duke e trajtuar në mënyrë propagandistike bashkëpunimin rajonal, mund të rezultojë kundërproduktive për shumicën e vendeve të rajonit që nuk janë të aftë të konkurrojnë për shkak të prapambetjes së ekonomive të veta kombëtare. Pra, të çojë edhe në dobësimin e aftësisë së ekonomisë shqiptare për të konkurruar.” – thotë Preçi.
Dhe për të qenë pjesë e garës, Preçi këshillon nxitje të prodhimit vendas.
“Është koha që qeveria shqiptare të përqendrojë energjitë njerëzore e financiare të saj në rritjen e prodhimit vendas, në nxitjen e konkurrencës në tregje, në mbështetjen e “ekonomisë së shkallës”, dhe gradualisht të heqë pengesat apo barrierat që ekonomia të hapet më tej në rajon dhe më gjerë. Përndryshe rezultati mbetet negativ, bile edhe në periudhën afatmesme e afatgjatë”. – thotë ai.
“Faktoje” u përpoq të merrte një koment nga ministritë e Punëve të Jashtme të Greqisë, Italisë, Turqisë dhe Hungarisë, katër shtetet e përmendura nga kryeministri Rama si më të mundshmet që mund t’i bashkohen “Ballkanit ë Hapur”.
Kërkesa për koment drejtuar Greqisë, Turqisë, Italisë e Hungarisë
Deri në momentin e publikimit të artikullit “Faktoje” nuk mori përgjigje nga këto vende, por muaji dhjetor, kur pritet të zhvillohet edhe takimi i radhës në kuadër të “Ballkanit të Hapur” do të tregojë më shumë mbi vullnetitn e shteteve të tjera për t’iu bashkuar nismës Rajonale, Tiranë- Beograd-Shkup.