MERXHAN DACI
Buxheti për vitin 2020 u miratua në Parlament me 90 vota në datën 18 dhjetor, pa shumë debate, siç ka ndodhur tradicionalisht, në vitet paraardhëse. Sivjet vëmendjen e mori “Paketa Antishpifje” që u miratua në të njëjtën ditë. Nga një analizë që “Faktoje” bëri bazuar edhe mbi mendimin e ekspertëve, ky buxhet rezulton një sprovë për qeverinë, e cila edhe pa pasojat e tërmetit, i rëndojnë mbi shpatulla shpenzimet e majme për PPP.
————————————————————————————————————————————————————-
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj,duke folur në Kuvend e cilësoi projektin për 2020-n si buxhetin “e rimëkëmbjes dhe vazhdimësisë”.
Në terma të përgjithshëm financiarë buxheti për vitin 2020 është:
- Të ardhurat 502 675 milionë lekë;
- Shpenzimet 531 974 milionë lekë;
- Deficiti 29 299 milionë lekë
Sipas relacionit të projektbuxhetit, rritja ekonomike parashikohet të arrijë nivelin 4.1% në vitin 2020. Megjithatë, qeveria pranon se rritja ekonomike për vitin 2019 ishte më e ulët se një vit më parë dhe nuk do të shkojë më shumë se 3-3,5%.
Borxhi publik për vitin 2020, parashikohet të jetë 64.4 përqind e PBB, nga 65.5 përqind e PBB që vlerësohet të jetë për vitin 2019. Sipas ministres Denaj, në vitin 2020 do të hapen 35-mijë vende të reja pune, por në relacion thuhet se nuk është miratuar asnjë rritje pagash në strukturat organike të njësive të qeverisjes qendrore.
Sektorët “prioritarë”
Sipas qeverisë, prioritet në Buxhetin 2020 do të jenë arsimi, shëndetësia, bujqësia, infrastruktura dhe reforma në drejtësi.
Sa i përket Shëndetësisë, ky buxhet do të financojë sipas qeverisë rikonstruksionin e qendrave shëndetësore, rimbursimin e ilaçeve etj.
Për Arsimin, buxheti parashikon investime në arsimin e lartë, në kuadër të Paktit për Universitetin, tekste shkollore falas për nxënësit e arsimit parauniversitar etj.
Sektori i Bujqësisë ka si prioritet rritjen e produktivitetit dhe konkurrueshmërisë së produkteve bujqësore e blegtorale, sigurisë ushqimore dhe zhvillimit rural.
Ministrja Balluku e kritikoi buxhetin për Infrastrukturën duke thënë se është i pamjaftueshëm dhe me ulje nga viti 2019. Fondi për hekurudhat është zeruar, por sipas qeverisë investimet në disa akse rrugore që po punohet do të vazhdojë.
*Shifrat janë në lekë dhe u shtohen edhe tre zero
Po t’i referohemi grafikut të mësipërm, rritja për sektorët e bujqësisë, arsimit dhe shëndetësisë nuk është domethënëse në krahasim më vitin 2019, teksa buxheti i infrastrukturës rezulton me ulje sikurse ka deklaruar edhe ministrja Balluku.
Buxheti financon edhe institucionet e reja të Reformës në Drejtësi si KLP, KLGJ, Byroja e Hetimit, SPAK dhe pagat e magjistratëve dhe oficerëve të Policisë Gjyqësore.
Tërmeti
Këshillli i Ministrave rishikoi projektbuxhetin e vitit të ardhshëm për shkak të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.
Fondi për këtë program parashikohet të jetë 20 miliardë lekë për 2020-n, nga të cilat 13 miliardë lekë do të financohen nga buxheti i shtetit dhe 7 miliardë lekë do të financohen nga donatorët. Ky fond mund të rritet gjatë vitit, në rast se rriten donacionet që kanë qëllim rindërtimin e vendit.
Prioritet do të kenë sipas qeverisë rindërtimi i banesave të shembura e dëmtuara, rindërtimi dhe restaurimi i shkollave të dëmtuara, si dhe pagesa e qirasë së banimit për familjet, të cilave u janë shembur shtëpitë dhe banojnë në hotele apo mjedise me qira.
Bashkitë
Pas shqyrtimit të Relacionit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë mbi Projektbuxhetin e Shtetit për vitin 2020, për pjesën e buxhetit vendor Shoqata e Bashkive të Shqipërisë reagoi duke thënë se edhe ky buxhet mbart të njëjtat probleme si vitet e shkuara.
“Shqetësimi ynë kryesor mbetet tek rritja me vetëm 2.7% e transfertës së pakushtëzuar. Pra, çfarë ka ndodhur deri tani është se bashkitë kanë marrë fonde për paga punonjësish, por nuk kanë fonde as për shpenzime operative, as për investime për funksionet përkatëse”.
Parë në këndvështrimin e zbatimit të Strategjisë së Decentralizimit, sipas shoqatës, ky buxhet nuk i përgjigjet nevojave reale të bashkive.
“Buxheti i pamjaftueshëm imponon nivel të ulët të demokracisë vendore dhe një qeverisje vendore jo të shëndetshme siç duhet të jetë”, tha Shoqata e Bashkive në reagimin e saj.
Fondet direkte të qeverisë shkojnë më shumë për bashkitë Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Elbasan.
Buxheti sipas ekspertëve të ekonomisë
Pano Soko, ekspert i ekonomisë e lidh problemin e buxhetit me mungesën e pritoriteteve prej vitesh.
“Ky është një buxhet i kushtëzuar, por megjithatë nuk ka një traditë në prioritarizimin e zërave të buxhetit. Shqipëria ka dy çështje kryesore, arsimi dhe shëndetësia. Edhe në këtë buxhet, siç ka ndodhur në 30 vjet këto dy sektorë nuk janë vlerësuar. Kemi buxhete që në rastin më të mirë qëndrojnë në vend”, tha Soko për “Faktoje”.
Sa i përket ndryshimeve në buxhet në kuadër të situatës së tërmetit, eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli thotë se kjo do të rrisë borxhin publik.
“Defiçiti buxhetor është rritur dhe ky rrit nga ana e tij borxhin publik. Koncesionet dhe PPP-të nuk janë ndalur si pagesa të buxhetit sipas detyrimeve kontraktuale dhe kjo është për të ardhur keq. Janë rreth 100 milionë euro që duhej të kishin shkuar për rindërtimin, ndërsa pagesa e koncesioneve dhe e PPP-ve jo bazë të ishte shtyrë të paktën një vit, sa të plotësohej rindërtimi”, tha Çoçoli.
Ai shtoi se edhe mbështetja për bujqësinë në buxhetin e 2020-s është e pakët, ndërsa ajo për turizmin pothuajse inekzistente.