.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookCako, shifra të rreme për lidhjen e autizmit të fëmijëve dhe vaksinave

Cako, shifra të rreme për lidhjen e autizmit të fëmijëve dhe vaksinave

Vaksinat nuk shkaktojnë autizëm te fëmijët, siç aludohet në disa postime të shpërndara në rrjetet sociale. Referuar të dhënave të organizmave botërorë, 1 në 100 fëmijë në botë janë të prekur nga çrregullimi i spektrit autik.

Në një postim të shpërndarë në Facebook, analisti i teorive konspiracioniste Alfred Cako pretendon se vaksinat ndikojnë në shfaqjen e autizmit te fëmijët. Madje ai pretendon se në 7-8 fëmijë, 2 janë autikë, për shkak të vaksinave.

Bombardimi sapo lindin i bebushave me metale të rënda në 8 vaksina, pa mbushur 2 muaj nga dalja në jetë, në Itali. Zoti e bën fëmijën të persosur, globalistët i sulen me shiringa duke ja rrasur me detyrim që ta dëmtojnë. Rezultati? Në 7-8 fëmijë 2 jane autikë. Mallkimi i kohës sonë!”-shkruan në Facebook Alfred Cako.

Postimi i shpërndarë nga Alfred Cako

Pretendimi i Cakos ngre alarmin për prindërit dhe vë në dyshim efikasitetin e vaksinave. Mirëpo, të dhënat e institucioneve ndërkombëtare kanë treguar qartë në të gjitha studimet e kryera se vaksinat nuk shkaktojnë autizëm.

Disa njerëz kanë pasur shqetësime se ASD (Çrregullimi i spektrit autik) mund të lidhet me vaksinat që marrin fëmijët, por studimet kanë treguar se nuk ka asnjë lidhje midis marrjes së vaksinave dhe zhvillimit të ASD. Akademia Kombëtare e Mjekësisë, e njohur më parë si Instituti i Mjekësisë, shqyrtoi sigurinë e 8 vaksinave për fëmijët dhe të rriturit”, sqaron Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC.

Veç kësaj, shifrat që paraqet Cako në postimin e tij, nuk përputhen me të dhënat zyrtare të raportuara nga studimet e kryera. Të dhënat e fundit, publikuar më 23 korrik 2023, referuar CDC dhe OBSH-së tregojnë se në botë, 1 në 100 fëmijë janë diagnostikuar me spektrin autik. Në SHBA shifrat janë më shqetësuese, ku 1 në 36 fëmijë vuan nga autizmi.

Sipas Autism Speaks hulumtimet tregojnë se gjenetika është e përfshirë në shumicën dërrmuese të rasteve. “Fëmijët e lindur nga prindër të mëdhenj në moshë janë në rrezik më të lartë për të pasur autizëm. Prindërit që kanë një fëmijë me ASD kanë një shans 2% deri në 18% për të pasur një fëmijë të dytë, i cili gjithashtu është i prekur.

Studimet kanë treguar se midis binjakëve identikë, nëse një fëmijë ka autizëm, tjetri do të preket rreth 36% deri në 95% të rasteve. Tek binjakët jo identikë, nëse njëri fëmijë ka autizëm, atëherë tjetri preket rreth 31% të rasteve.

Gjatë dy dekadave të fundit, kërkime të gjera kanë pyetur nëse ka ndonjë lidhje midis vaksinimeve të fëmijërisë dhe autizmit. Rezultatet e këtij hulumtimi janë të qarta: Vaksinat nuk shkaktojnë autizëm”.

Faktoje ka verifikuar edhe më herët lajme të rreme nga Alfred Cako në lidhje me vaksinimin.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img