Pretendimi: Këto imazhe tregojnë burgun e Guantanamo Bay përpara presidencës së Donald Trump dhe pas.
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————
Ndërsa afrojnë zgjedhjet presidenciale të nëntorit 2024 në ShBA, në rrjete sociale, përfshi dhe ato shqipfolëse, po qarkullon një imazh që pretendon se tregon burgun famëkeq në Guantanamo Bay (GTMO), dhe se si është zgjeruar ai pas presidencës së Donald Trump.
Me anë të aplikacionit Google Earth, Faktoje gjeti imazhet satelitore nga burgu në fjalë, në gjirin Guantanamo në Kubë.
Pamje satelitore të GTMO në 2023
Aplikacioni Google Earth Pro na jep mundësinë të shohim pamje satelitore nga vite të mëparshme. Me anë të këtij opsioni përpiqemi të verfikojmë nëse burgu është zgjeruar vërtet gjatë presidencës së Trump, nga viti 2016 në vitin 2020.
Vëmë re se foto e parë, e etiketuar “para Trump” përkon me pamjet satelitore nga viti 2003, shumë përpara mandatit të Trump dhe vetëm një vit pas themelimit të burgut GTMO nga presidenti i atëhershëm George W. Bush në janar 2002.
GTMO, 2003
Ndërkohë, pamjet nga viti 2010, tetë vite pas themelimit të GTMO dhe 6 vite përpara se Trump të merrte presidencën, përkojnë me imazhin e etiketuar “Trump”. Kujtojmë se në 2010, ishte Barack Obama në detyrën e presidentit të ShBA.
GTMO, 2010
Për më tepër, nëse krahasojmë pamjet nga 2010, me pamjet nga 2019, shohim se ndryshimet mes të dyjave, megjithë presidencën e Trump në mes, janë minimale.