Pretendimi: Buka do shitet më shtrenjtë pasi OSHEE vendosi rritjen e çmimit të energjisë për furrat e bukës

Verdikti: Mungon konteksti

Në mediat online po qarkullon lajmi se çmimi i bukës do të rritet, pasi OSHEE ka vendosur të shtrenjtojë tarifat e energjisë për furrat e bukës. 

“Buka do shitet më shtrenjtë, Balluku dhe OSHEE rrisin çmimin e energjisë për furrat”– Ky është titulli i lajmit të shpërndarë nga portali tvanews.com më 19 mars duke nxitur reagime të shumta tek ndjekësit në rrjete sociale. 

Buka mbetet një nga produktet me konsum të gjerë në vendin tonë dhe një lëvizje e çmimit të saj prek ekonominë e shumë familjeje. Për këtë arësye ne vendosëm të verifikojmë më tej këtë artikull. 

Në brendësi të artikullit, sqarohet se çmimi i bukës pritet të rritet si rezultat i disa ndryshimeve të propozuara nga OSHEE, për ndarjen me fasha të çmimit të energjisë elektrike për furrat e bukës. Vetë autori i artikulli e konfirmon se nuk ka ende një vendim, por diferencimi i çmimit me fasha është propozim. 

Lajmi i publikuar nga tvanews.com

“Për ato biznese që nuk kanë aktivitet shtesë përveç shitjes së bukës, çmimi i energjisë do të jetë 7.9 lekë për kilovat. Për ata pronarë biznesesh që përveç bukës prodhojnë dhe ëmbëlsira, çmimi do të jetë 9 lekë për kilovat. Për bizneset që kanë dhe bar-kafe, çmimi i energjisë elektrike do të jetë më i lartë dhe plot 12 lekë për kilovat.”, sqarohet në brendësi të lajmit që përfundon duke parashikuar një rritje të mundshme të çmimit të bukës, nisur nga fakti që rritja e tarifës së energjisë për bizneset që krahas bukës tregtojnë edhe ëmbëlsira, janë edhe bar-kafene, do të reflektohet tek çmimi i bukës. 

Ajo që duhet sqaruar në këtë rast është fakti që ende nuk ka një vendim nga Enti Rregullator i Energjisë, institucioni përgjegjës që vendos tarifat e energjisë elektrike. Por OSHEE së bashku me përfaqësues të Shoqatës së Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave kanë rënë dakord për t’i propozuar ERE-s tarifimin me tre fasha. 

Burimi: Ministria e energjisë

Propozimi i OSHEE ndaj Entit Rregullator, në konsultim me përfaqësuesit e shoqatës parashikon:

  • 7.6 lek për kilovat për subjekte që kanë vetëm furrë buke
  • 9.5 lek për kilovat për subjektet që kanë furrë buke, por që tregtojnë dhe produkte pastiçerie
  • 12 lek për kilovat për subjektet që kanë furrë buke, por funksionojnë edhe si bar-kafe

“Skema e re u përshtatet nevojave në zhvillim të bizneseve dhe vendos rregull në treg me anë të tarifave të ndara sipas shërbimeve, si dhe mbron konsumatorët e furrave të bukës.”, sqaron Ministria e Energjisë.