Pretendimi: Britania e Madhe heq të drejtën për leje qëndrimi të përhershëm
Verdikti: I pavërtetë
Barbara Halla
Sipas disa mediave shqiptare, në Britaninë e Madhe është hequr leja e qëndrimit e përhershme. Kjo leje qëndrimi zakonisht i jepet personave që kanë jetuar për një kohë të gjatë në Britani, dhe përbën një hap përpara marrjes së nënshtetësisë në këtë vend të lakmuar nga shqiptarët. Në media, lajmi është paraqitur si një ligj i ri, por në fakt një normativë e tillë ende nuk është miratuar nga parlamenti britanik. Përkundrazi, këtu bëhet fjalë për një propozim politikë të partisë të ekstrimeti të djathtë, Reform UK, detaj që përmendet në trupin e këtyre artikujve, por jo në titull.

Nigel Farage, lider i Reform UK, ka dorëzuar propozimin për të hequr lejen e qëndrimit të përhershme, e cila nuk kërkon rinovim dhe i lejon emigrantët të qëndrojnë në Britani dhe të punojnë pa kushte të mëtejshme. Propozimi i Farage do t’i hiqte statusin e përhershëm dhe atyre emigrantëve që e kanë arritur këtë status. Në propozimin e Farage, lejet e qëndrimit të përherëshme duhet të zëvëndësohen me një regjim më të ashpër vizash, ku emigrantët do të duhet të riaplikojnë çdo pesë vjet për të qëndruar në Britani dhe do t’u kërkohen të ardhura edhe më të larta, si dhe njohja e gjuhës angleze.
Për fat të mirë propozimi i Farage në Britani ende nuk është bërë realitet legjislativ dhe duhet të sigurojë votat e shumicës së përfaqësuesve të partive të tjera parlamentare. Për momentin emigrantët shqiptarë mund të vazhdojnë të aplikojnë për leje qëndrimi të përhershme nëse përmbushin kushtet.
Farage ka pasur gjithmonë retorikë të ashpër ndaj emigracionit, dhe ka përdorur dizinformim dhe fakte të rreme për të përhapur axhendën e tij politike. Ai dhe aleatët e tij shpesh amplifikojnë raste të izoluara apo histori të nxjerra jashtë kontekstit, si incidentet kriminale që përfshijnë emigrantët, për t’i paraqitur si shembuj të dhunës që shkaktojnë të huajt. Për shembull, gjatë protestave në Southport pas vrasjes së tre vajzave të vogla, u përhapën lajme të rreme që akuzonin padrejtësisht një emigrant mysliman, duke nxitur dhunë.
Farage ka folur po ashtu kundër emigrantëve shqiptarë, duke pretenduar se 1 në 48 shqiptarë në Britani ndodhen në burg. Siç e ka treguar Faktoje, këto shifra shpesh janë të manipuluara dhe nuk bazohen në realitet.