Lajmi se Brazili ka vendosur ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin kundër Covid-19 për fëmijët rezulton i pasaktë. Presidenti i ri Brazilian ka vendosur kushtëzimin e ndihmës ekonomike për fëmiljet në nevojë me vaksinimin e fëmijëve të tyre, por bëhet fjalë për vaksinat tradicionale dhe jo vaksinën e Covid-19.
—————————————
“Presidenti i ri i Brazilit Luiz Inácio Lula da Silva ka njoftuar se vaksina kundër COVID-19 do të jetë e detyrueshme për fëmijët, nëse prindërit dëshirojnë të vazhdojnë të marrin asistencën ekonomike të qeverisë!” – shkruan portali Mast.al në një artikull më datë 15 shkurt, duke ju referuar një njoftimi që ka bërë Presidenti brazilian për rikthimin e programit të mirëqënies sociale që ishte anuluar nga paraardhësi i tij.
Por çfarë ka thënë presidenti brazilian?
“Bolsa Familia po kthehet dhe po vjen me diçka të rëndësishme; me kushte. Fëmijët duhet të shkojnë në shkollë. Nëse ata nuk janë në shkollë, nëna e humb përfitimin. Fëmijët duhen vaksinuar. Supozoni se ata nuk kanë një certifikatë vaksinimi. Në atë rast, nëna do të humbasë përfitimin”, është shprehur ai gjatë inaugurimit të njësisë së oftalmologjisë dhe diagnostikimit në Qendrën Shëndetësore Super Carioca në Benfica të Rio de Zhaneiros.
Referuar fjalës së presidentit Brazilian në artikullin origjinal, rezulton se autorja ka nxjerrë jashtë kontekstit njoftimin e tij pasi ai nuk e ka përmendur vaksinën kundër Covid-19 si pjesë të detyrimit.
Presidenti nuk shpjegoi nëse vaksina kundër Covid do të kërkohet edhe nga fëmijët apo vetëm dozat e vaksinave tradicionale, të cilat janë pjesë e kalendarit të vaksinimit të fëmijëve.
Nga ana tjetër edhe ministrja e Shëndetësisë Nísia Trindade gjithashtu ka folur mbi këtë çështje, por edhe ajo sikurse Presidenti nuk ka thënë se cilat vaksina do të kërkoheshin.
“Vaksinimi është e drejtë e fëmijës,” deklaroi Nísia në lidhje me kërkesën e provës së vaksinimit për të marrë Bolsa Família.
Program i ndihmës ekonomike në Brazil ndaloi së kërkuari vaksinimin e fëmijëve deri në 6 vjeç, dozat kundër poliomielitit, fruthit, shytave, rubeolës dhe tuberkulozit, me ardhjen në pushtet të presidentit Bolsonaro. Në vitin 2021, përllogaritet se mbulimi i vaksinimit ndaj poliomielitit nuk arriti më shumë se 70% të fëmijëve, kur rekomandimi është 95%.