Gjatë diskutimeve maratonë për buxhetin e vitit 2025, kryetar i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi tha ndër të tjera se qeveria nuk parashikon bonus për pensionistët fundvitin e ardhshëm. Në fakt, në buxhetin e vitit 2025 qeveria parashikon 3,7 miliardë lekë si bonus për pensionistët.

Esmeralda Topi

Në fillim të javës, parlamenti miratoi pas një seance maratonë 48 orëshe dokumentin më të rëndësishëm të financave publike, buxhetin e shtetit për vitin 2025.

Diskutimet mes qeverisë dhe opozitës kishin një emerues të përbashkët, pensionistët. Si rrallë herë, PS dhe PD e përqendruan diskursin politik tek të moshuarit.

Kryeministri e nisi fjalën e tij në Kuvend me vendimin për rritjen e bonusit të fundvitit për pensionistët nga 5 mijë lekë në 10 -15 mijë lekë, duke nisur nga ky vit. Po ashtu, Rama premtoi një tjetër shpërblim për pensionistët vitin e ardhshëm- të cilin e pagëzoi me emrin ‘bonusi i pranverës’.

Këto vendime sipas opozitës kanë për qëllim votën e mbi 791 mijë pensionistëve në zgjedhjet parlamentare të 2025.

 “As bonusin e fundvitit nuk e ka vjetor. Prandaj në buxhetin që ka ardhur për 2025 nuk parashikon bonus për fundvitin 2025 sepse nuk ka ndërmend t’ia japi.”- deklaroi kryetar i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi gjatë fjalës në kuvend.

Fakt

Buxheti i 2025, nuk parashikon para për rritje pensionesh. Por ndryshe nga sa pretendon Bardhi, buxheti e parashikon fondin për bonusin dedikuar pensionistëve. Po ashtu edhe për indeksimin e pensioneve.

Referuar shifrave, fondi për shpërblimin e fundvitit është thuajse i njëjtë me atë të këtij viti. Në 2025 qeveria ka planifikuar 3,7 miliardë lekë në formën e bonusit, nga 3,6 të planifikuara këtë vit. Pra në planifikimet fillestare bonusi për pensionistët do të ishte 5 mijë lekë, sikurse ka qënë vitet e fundit.

Buxheti i shtetit 2025/ Burimi: Ministria e Financave

Vendimmarrja e re që parashikon dyfishimin apo trefishimin e shpërblimit e detyron qeverinë të rishikojë fondin prej 3,7 miliardë lekësh me rritje duke nisur nga ky muaj.

Edhe në buxhetin e vitit të ardhshëm zëri i bonusit duhet të rishikohet në rritje në mënyrë që të përmbushet angazhimi për shpërblime nga 100 deri në 150 euro.

Po ashtu, buxheti 2025 duhet të ndryshojë për të reflektuar edhe paratë për bonusin e premtuar të pranverës- zë që nuk është i parashikuar në buxhetin 2025.

Bonusi ndër vite

Në Shqipëri jetojnë 791,257 pensionistë. Referuar të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore në dhjetë vite pensioni mesatar në qytet është rritur me 4,158 lekë dhe në fshat 3,586 lekë. Në dhjetë vitet e fundit qeveria ka shpërndarë çdo fundvit bonus nga 3 deri në 5 mijë lekë për pensionistët.

Pensioni mesatar urban

2013                14,076 lekë

2023                18,234 lekë

Pensioni mestar rural

2013                7,465 lekë

2023                11,051 lekë

Përfundim

Bazuar në të dhënat zyrtare të buxhetit për vitin 2025, deklaratën e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së Gazmend Bardhi se ‘nuk parashikohet bonus për fundvitin e ardhshëm’ e kategorizojmë të pavërtetë.

#pension#bonus#buxhet#bardhi#pd