Lajmi që po “trondit botën” për bombën atomike në oqean e cila “mund të shpërthejë në çdo moment” është sensacionalist. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se ‘lajmi’ është mbi 50 vite i vjetër, dhe sipas Forcave Ajrore amerikane bomba në fjalë nuk përbën rrezik shpërthimi bërthamor.
——————————————-
Në 23 shtator 2023, portali dk-news.com botoi një artikull me titullin “Publikohet lajmi që po trondit botën: Bomba atomike në fund të oqeanit që mund të shpërthejë në çdo moment”.
Në brendi të artikullit, megjithatë, shpjegohet se lajmi tronditës nuk është edhe aq i ri.
Bomba atomike në fjalë, tip Mark 15, ka humbur në oqean në 5 shkurt 1958. Vendndodhja e saj e saktë nuk dihet ende, dhe ushtria amerikane e ka etiketuar si “humbur në mënyrë të pakthyeshme” që në Prill 1958.
Ndryshe nga ç’shkruhet në artikull, me gjasa si pasojë e një gabimi në përkthim, bomba mendohet se ndodhet diku në oqean pranë brigjeve të ishullit Tybee në Georgia, ShBA, jo në Gjeorgji.
Më 5 shkurt 1958, gjatë një stërvitjeje natën, një avion luftarak F-86 u përplas me një avion bombardues B-47, i cili po mbante një bombë të tipit Mark 15. Me qëllim mbrojtjen e ekuipazhit nga një shpërthim i mundshëm i shkaktuar nga përplasja, bomba u hodh nga avioni B-47. Ekuipazhi nuk pa ndonjë shpërthim kur bomba ra në det.
Kërkimet për bombën nisën menjëherë pas hedhjes së saj në oqean, por u mbyllën në Prill 1958 pa e gjetur bombën.
Sipas një raporti të vitit 2001 nga Forcat Ajrore amerikane, bomba Mark 15 ishte në konfigurim stërvitjeje, pra nuk kishte një “kapsulë bërthamore” të instaluar. Kjo do të thotë se një shpërthim bërthamor nuk ishte i mundur.
Departamenti amerikan i Energjisë doli në përfundimin se “nuk ka rrezik aktual apo të ardhshëm për një shpërthim bërthamor, rreziku i lidhur me përhapjen e metaleve të rënda të përdorura në bombë është i ulët, dhe, nëse mbetet e patrazuar, lënda shpërthyese në bombë nuk përbën rrezik.” Megjithatë, lënda shpërthyese e pacënuar do të përbënte rrezik serioz shpërthimi ndaj personelit dhe ambjentit nëse do të trazohej nga ndonjë përpjekje për ta nxjerrë.
Deri më sot, ushtria amerikane ka humbur tetë bomba atomike.