Qeveria përdori 2 miliardë lekë nga Fondi Rezervë i vitit 2021, për të vaksinuar 500 mijë persona përmes blerjes së 1 milionë dozave të vaksinës (Pfizer dhe Sinovac). Numri popullsisë së vaksinueshme për Covid, është 2.2 milionë. Me një përllogaritje të konsultuar me ekpertë të financave, nëse përdoret i gjithë Fondi Rezervë i 2021-shit, prej 5 miliardë lekësh do të arrihej vaksinimi i pothuaj gjithë popullsisë. Por kjo do të ndodhte vetëm nëse përdoren për këtë qëllim edhe 2.5 miliardë lekët e fondit rezervë që duhet të mbulojnë pagat e naftëtarëve, kostot e zgjedhjeve dhe hartimin e studimeve për projekte strategjike.
Fondi rezervë në kohë pandemie, buxheti fillesar i 2021 më i ulëti në 4 vite
Fondi rezervë i buxhetit të shtetit planfikohet për të përballuar raste të paparashikuara ose për të mbuluar shpenzime të pritshme për raste të caktuara që mund të ndodhin gjatë vitit.
Viti 2020 ishte një rast konkret kur fondi rezervë i Buxhetit të Shtetit u shtua si rezultat i pandemisë, për të përballuar paketat sociale anti-Covid 19.
Në pak më shumë se një muaj nga hyrja në fuqi e buxhetit të shtetit 2021, me Aktin Normativ Nr.4 date 05.02.2021 “Per disa ndryshime ne Ligjin Nr.137/2020, Fondi Rezerve u shtua me 1 miliard lekë (ose rreth 10 milionë USD) nga 4 miliardë lekë në 5 miliardë lekë. Bazuar në këtë akt, fondi rezervë përdoret me vendim të Këshillit të Ministrave për:
- a) raste të paparashikuara të njësive të qeverisjes së përgjithshme, në masën 3 000 milionë lekë (3 miliardë lekë), nga i cili 462 milionë lekë për pagesën e naftëtarëve;
- b) përballimin e kostos së zgjedhjeve të përgjithshme 2021, në masën 1 000 milionë lekë (ose 1 miliard lekë);
- c) hartimin e studimeve të projekteve të investimeve publike strategjike, në masën 1 000 milionë lekë (ose 1 miliard lekë).
Për të shpjeguar se çfarë ka ndodhur me fondin rezervë gjatë këtij viti, Faktoje bëri një analizë krahasuese duke marrë në shqyrtim fondin rezervë nga 2017 deri në 2021.
Tabela e detajuar me shpenzimet e fondit rezerve përgjatë 2017-2021, burimi I të dhënavë Ministria e Financave.
Ilustrim grafik i bazuar tek shifrat zyrtare të Ministrisë së Financave për fondin rezervë 2017-2021.
Ky fond ndahet në Fondin Rezervë për raste të paparashikuara (pjesa gri e kolonës) dhe raste të detajuara (pjesa e verdhë e kolonës).
Në vitin 2017 dhe 2019 pjesa specifike kishte lidhje me financimin e reformës në drejtësi. Në vitin 2020, pjesa specifike që kap një vlerë prej 13.5 miliardë lekë i përket paketave sociale anti-Covid. Për vitin 2021, pjesa specifike ka të bëjë me përballimin e kostove të zgjedhjeve, pagesën e naftëtarëve, dhe hartimin e studimeve të investimeve publike strategjike.
Ekspertë të fushës së financave vërejnë:
“Në buxhetin fillestar të vitit 2021 nuk kishte rezerva specifike për masat anti-Covid, megjithese kohë pandemie. Për më tepër buxheti fillesar i vitit 2021 për fondin rezervë për raste të paparashikuara ishte në vlerë 1.44 miliadë lekë, më i ulët se në të gjitha vitet paraardhëse që nga 2017-a.”
Sipas kësaj analize, ata sugjerojnë se qeveria duhet të kishte planifikuar fonde për blerjen e vaksinave anticovid, sepse dihej që pandemia do zgjaste.
“Qeveria duhet të kishte planifikuar fonde të përshtatshme për vaksinimin e popullsisë në zërat përkatës në hartimin e buxhetit të vitit 2021, sepse kostoja e vaksinimit nuk mund të ishte një shpenzim i paparashikuar për vitin 2021, por një shpenzim prioritar për shkak se kishim një vit në pandemi.”
Siç kemi shkruar më parë në një artikull, Fondi Rezervë i Buxhetit 2021 u prek për herë të parë në datën 10 Janar, për financimin e blerjes së vaksinave nga Pfizer.
“Efektet financiare që rrjedhin nga marrëveshja bashkëlidhur këtij akti normativ, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, për vitin 2021”- thuhet në aktin normativ. Kontrata me Pfizer ishte sekrete dhe si rrjedhojë në Aktin Normativ nuk u përcaktua vlera totale që financohej nga Fondi Rezervë.
Vaksinimi i gjithë popullsisë, vetëm nëse shpenzohen 5 miliardët e Fondit Rezervë
Buxheti për Fondin Rezervë të vitit 2021 në total është 5 miliardë lekë. Nëse zbresim fondet e parashikuara për zgjedhjet, pagesat e naftëtarëve dhe hartimin e studimeve dhe projektimeve, fondi për raste të paparashikuara me ndryshimet në buxhet shkon në 2.54 miliardë lekë. Qeveria shqiptare, një pjesë të kësaj shume e ka përdorur për financimin e kontratës me Pfizer me Aktin nr. 174, të datës 24 mars 2021 me të cilin sipas kryeministrit janë kontraktuar 500,000 doza, sipas konfirmimit që ai dha në 25 mars.
E njëjta rrugë u përdorr edhe për blerjen e vaksinave kineze Sinovac. Fondi për kontraktimin e të dyja marrëveshjeve, kap vlerën e 2 miliardë lekëvë gjithsej ( Vetëm marrëveshja për 500 000 dozat e vaksinës kineze Sinovac kapi vlerën rreth 1 miliardë lekë siç është shprehur kryeministri .
Kontrata me Pfizer nuk është publike, por duke i qëndruar çmimeve të publikuara nga Reuters, një dozë vaksinë Pfizer kushton rreth 19.5 USD. Për 500,000 doza vlera shkon përafërsisht 1 miliardë lek, aq sa kostoja për vaksinën kineze, të publikuar me Aktin Normativ.
“Nëse heqim rezervat specifike, Fondi për Raste të paparashikuara prej 2.54 miliardë lekë, mbeten vetëm 540 milionë lekë, të mjaftueshme për të blerë edhe 270,000 doza nëse marrim si çmim reference atë prej 19.5 USD.
Deri më sot Shqipëria ka kontraktuar dhe financuar 1 milionë doza nga Fondi Rezervë për vitin 2021 dhe ka parapaguar vitin e shkuar, 1.4 milionë doza nga Covax, siç konfirmoi kryeministri Rama në 25 mars.
Dozat e vaksinave anticovid të kontraktuara nga qeveria:
1.4 milionë doza nga Covax të parapaguara në 2020-n
1 milionë doza nga Pfizer dhe Sinovac (me fondit rezervë 2021)
2.4 milionë doza = 1.2 milionë persona të vaksinuar
Nëse konsiderojmë të gjithë Fondin Rezerve prej 5 miliardë lekë, (pra nëse nuk përdoret asnjë lek për zgjedhje, për naftëtarët dhe për studime/projektime), mbeten të papërdorura edhe 3 miliardë lekë, të mjaftueshme për të blerë edhe 1.5 milionë doza vaksinë, (me çmimin e referencës), ose 750 mijë persona të vaksinuar.
1.2 milonë + 750 mijë = 1.95 milionë të vaksinuar
Kjo shifër ilustron realizimin e skenarit sipas të cilit të 5 miliardë lekët e fondit rezervë i dedikohen totalisht blerjes së vaksinës.