Një video po qarkullon në rrjet si “provë” se në vitin 2025 do të nisë një pandemi e re e quajtur SEERS. Verifikimi i Faktoje tregon se videoja është një skenar fiktiv i krijuar për efekt trajnimi për shëndetin publik. Vetë videoja e njofton faktin se është “një skenar fiktiv”.
Jona Plumbi
“Bill Gates shpall emrin, datën dhe vendndodhjen e pandemisë së ardhshme” – me këtë pretendim janë shpërndarë në rrjetin social Facebook imazhe të shkëputura nga një video, e publikuar fillimisht nga “Center for Health Security” si pjesë e një stërvitjeje për pandemitë në Takimin Vjetor të Sfidave të Mëdha në Bruksel, Belgjikë më 23 tetor 2022.
Ky pretendim është shpërndarë fillimisht në gjuhë të huaj duke gjetur hapësirë të gjerë në rrjet, dhe duke ngjallur shqetësim tek lexuesit të cilët besojnë se një pandemi tjetër do të godasë botën në vitin 2025. Videoja e një qytetari gjerman, i cili pretendon se “Bill Gates ka shpallur pandeminë e ardhshme. Na tregon emrin e pandemisë së re, datën e shpërthimit dhe vendin ku do të shpërthejë pandemia! Detajet janë në këtë video.” ka marrë mbi 600 mijë shikime deri tani.
Pikërisht nga kjo video janë shkëputur edhe imazhet e shpërndara në gjuhë shqipe.
Një kërkim në rrjet lidhur me këtë pretendim, tregon se në fakt SEERS është një virus imagjinar i krijuar si pjesë e një ushtrimi të stimuluar për gatishmërinë dhe përgatitjen për përballimin e pandemive për shëndetin publik dhe zyrtarët qeveritarë. Ai u mbajt në tetor 2022 në Bruksel.
Stërvitja, e quajtur Infektimi Katastrofik, simuloi një seri takimesh të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në të cilat pjesëmarrësit diskutuan se si t’i përgjigjen më mirë kësaj sëmundjeje të shpikur, e përshkruar në një përmbledhje të ngjarjes si “një shkallë më e lartë vdekshmëria sesa COVID-19 dhe që prek në mënyrë dispropocionale fëmijët dhe të rinjtë”.
Në videon, prej të cilës janë shkëputur imazhet e përdorura për të nxitur tezën e një pandemie të re, në të djathtë në fund shkruhet qartazi se “ky është një skenar imagjinar”. Kjo duket edhe në publikimin që ngre pretendimin për një pandemi të re.
Nisur nga këto të dhëna publike, dalim në rezultatin se pretendimi se Bill Gates ka njoftuar pandeminë e re të quajtur SEERS që do të nisë në vitin 2025, është i pavërtetë.