
SEBI ALLA
Në një deklaratë të përbashkët në gusht të vitit 2024, Mirela Kumbaro e Mjedisit dhe Belinda Balluku e Infrastrukturës dhe Energjitikës, “siguruan” qytetarët se institucionet shtetërore kishin ndjekur në mënyrë rigoroze protokollet dhe ligjin dhe se nuk kishte vend për panik mbi lajmet e publikuara për anijen me 2800 ton mbetje të dyshuara toksike, të nisur nga Porti i Durrësit. Një vit e gjysmë më pas, situata është më shumë se alarmante. Pas kryerjes së analizave në një laborator të specializuar në Itali, u arrit në përfundimin se mbetjet janë të rrezikshme dhe të dëmshme për njerëzit dhe mjedisin. Gjithashtu Prokuroria e Durrësit përveç kompanisë “Kurum” prodhuese e këtyre mbetjeve dhe kompanisë “Sokolaj sh.p.k” transportuese e tyre, ka bërë përgjegjëse për shkelje ligjore dhe të protokolleve mjedisore edhe tre institucione shtetërore.
Deklaratat
Sinjalin e parë se në anijen “Molivia” të nisur nga Shqipëria më 4 korrik 2024 nëpërmjet Portit të Durrësit fshiheshin tonelata me mbetje të rrezikshme e ngriti organizata ndërkombëtare mjedisore BAN. Në qëndrimin e dy ministrive, më 24 gusht 2024 çështja u relativiziu dhe publikut iu dha “siguria” se institucionet ishin në nivelin e kërkuar. “Autoritetet mjedisore, portuale dhe doganore shqiptare operojnë prej vitesh me protokolle të rrepta përsa i përket autorizimeve të përpunimit dhe transportit të mallrave të rrezikshme, në përputhje me konventat ndërkombëtare përkatëse”, thuhej në njoftinm, ndërsa vijonte qëndrimi me “vlerësime” për institucionet shqiptare. “… Për më tepër kjo gatishmëri e infrastrukturave tona kritike është verifikuar dhe certifikuar në disa inspektime ndërkombëtare përgjatë viteve të fundit, duke e klasifikuar Shqipërinë si një vend të sigurt”, thuhej në deklaratën e përbashkët.

Eksperti
Eksperti i çështjeve mjedisore, inxhnieri kimist, Ahmet Ahmeti, në një qëndrim për Faktoje.al pohon rrezikshmërinë e mbetjeve dhe sugjeron si zgjidhje të menjëhershme largimin e tyre nga Porto Romano. “Materiali në ambalazhet e grumbulluara në ruajtje në Porto Romano në afërsi rreth 200 m pranë banesave të qytetarëve, për arsye se klasifikohet si shumë helmues (toksik), duhet të largohet sa më parë në vende të sigurta”-thotë Ahmeti. Ai sugjeron se nevojiten rregulla strikte procesit të largimit të mbetjeve për të shmangur katastrofa të mundshme që rrezikojnë mjedisin, ujrat nëntokësore, tokën, ajrin, shëndetin e njerëzve dhe kafshëve. “Në përbërje të tyre ka zink, kadmium, plumb, bakër, krom, nikel etj, metale të rënda me pasoja të rrezikshëme që shkaktojnë sëmundje në të gjitha indet e organizmit, deri në ato kanceroze dhe gjenetike”, thotë Ahmeti.
Hetimet dhe masat
Prokuroria e Durrësit pas hetimeve të gjata, sekustrimit të dokumentacioneve dhe dëshmive, arriti në përfundimin se 33 persona ishin përgjegjës për eksportin e mbetjeve të rrezikshme, të cilat u nisën nga Durrësi me destinacion Tailandën, por u kthyen pas sërish në Durrës pasi asnjë vend nuk pranoi ngarkesën. Nga 33 urdhër-arreste të lëshuara nga Prokuroria e Durrësit vetëm 20 prej tyre u ekzekutuan, ndërsa Gjykata vendosi të zbusë masën e sigurisë për nëpunësit shtetërorë. Për tetë të dyshuar, kryesisht përfaqësues të kompanisë “Kurum” dhe “Sokolaj sh.p.k” u la në fuqi masa “arrest me burg”, për pesë të tjerë “arrest shtëpie”, ndërsa për shtatë zyrtarë shtetërorë tw akuzuar për “shpërdorimi të detyrës” zbuti masën në “detyrim paraqitje” dhe ndalim për daljen jashtë vendit”, nga masa “arrest shtëpie” që ishte vendosur më parë.
Përfundimi
Hetimet e prokurorisë dhe përgjigjia e analizave vërtetuan se 2800 ton mbetje të vendosura në 102 kontejnerë janë të rrezikshme dhe se institucionet shtetërore për analizimin, monitorimin dhe verifikimin e dokumentacioneve, kanë shkelur ligjin dhe protokollet mjedisore. Deklaratat e dy ministreve të kohës Mirela Kumbaro dhe Belinda Balluku se institucionet shterore kishin zbatuar me përpikmëri ligjin, do i konsiderojmë të pavërteta.





