Pretendimi: Presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi atentatin ndaj ish-presidentit Trump

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————–

Pas atentatit kundër ish-presidentit amerikan Donald Trump, në rrjetet sociale po qarkullon pretendimi i pritshëm se prapa këtij atentati qëndron presidenti i tanishëm amerikan Joe Biden. 

Si provë për këtë sillet pretendimi se pesë ditë para atentatit presidenti aktual Biden “ka paralajmëruar publikisht eleminimin e rivalit të tij”. 

Faktoje vendosi të verifikojë më tej këtë pretendim. Në të vërtetë, në 8 korrik, disa ditë para atentatit, është bërë publike në shtypin amerikan një mesazh që është dërguar nga Biden në një telefonatë private me Komitetin e tij Kombëtar të Financave. Ky komitet përfshin qindra donatorë dhe lobistët kryesorë demokratë dhe synonte që të dëshmonte vullnetin e presidentit për të vijuar kandidimin e tij pas zërave për një largim pas paraqitjes jo të mirë në debatin e parë mes dy kandidatëve presidencialë. 

Biden citohet të ketë thënë në këtë mesazh: “Unë kam një detyrë, dhe ajo është të mund Donald Trump. Jam absolutisht i sigurtë që unë jam personi më i mirë për ta bërë këtë. Kështu, nuk do të flasim më për debatin, është koha ta vëmë Trump në shënjestër.”

Kjo pjesë e mesazhit, e cila i drejtohet një audience të gjerë, është nxjerrë jashtë kontekstit për të mbështetur një kërcënim për jetën e Trump. Përkundër këtyre aludimeve, Biden nuk ishte duke urdhëruar eleminimin e kundërshtarit të tij politik, por për mundjen e Trump në zgjedhjet e nëntorit 2024.

Menjëherë pas atentatit, Biden e dënoi sulmin kundër Trump duke thënë për shtypin se “nuk ka vend për këtë lloj dhune në Amerikë.” 

“Ideja që ka dhunë politike, ose dhunë në Amerikë si kjo, është thjesht e padëgjuar, është thjesht e pavend. Gjithëkush duhet ta dënojë. Gjithëkush,” tha Biden.