.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookBiden nuk konfirmoi “amanetin” e Papës për të mos i shkuar në varrim

Biden nuk konfirmoi “amanetin” e Papës për të mos i shkuar në varrim

Media të ndryshme ndërkombëtare si edhe disa portale në Shqipëri kanë keqinterpretuar arsyen e mungesës së presidentit amerikan Joe Biden në funeralin e Papa Benedikt XVI, duke pretenduar se ky i fundit kishte kërkuar që Biden të mos ishte pjesë e ceremonisë funebre.

 

“Papa Benedikti kërkoi që Biden të mos i vinte në funeral/ Presidenti amerikan tërbohet me gazetarët”. Me këtë titull ka përcjellë më 5 janar lajmin e ceremonisë mortore të Papa Benediktit XVI portali 55news.al, teksa e vë theksin tek mungesa e Presidentit amerikan Biden.

Screenshot nga artikulli i portalit 55 News

Në brendësi të artikullit portali shkruan se administrata e Biden kishte pranuar faktin se presidenti nuk do shkonte në Vatikan, duke e justifikuar këtë me çështje logjistike.

“Megjithatë, lajmi që qarkullonte prej ditësh, se vetë Papa Benedikti XVI kishte kërkuar që Joe Biden të mos merrte pjesë në varrimin e tij, u konfirmua nga Shtëpia e Bardhë.”- vijon më tej artikulli.

Funerali i ish-Papës u mbajt më 5 janar dhe mungesa e presidentit amerikan në ceremoni mori vëmendjen kryesore të mediave, disa prej të cilave thanë se mungesa e Biden ishte kërkesë e Papës.

Vetë Presidenti amerikan i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke sqaruar arsyet e mungesës së tij, por në asnjë mënyrë duke konfirmuar aludimet për një “veto” të lënë amanet nga papa i ndjerë.

“Arsyeja që unë nuk do të marr pjesë në funeralin nesër është se do të duhej një rrethim prej një mijë njerëzish për t’u paraqitur. Ne do të lëviznim gjithçka në drejtimin e gabuar.” – shpjegoi Biden përballë gazetarëve një ditë përpara funeralit.

Ndërkaq kolegët e Reuters në një artikull verifikues theksojnë se nuk ka asnjë provë që të vërtetojë pretendimet e ngritura në media dhe rrjete sociale mbi arsyet e mungesës së Biden në ceremoninë mortore të Papa Benediktit XVI. Zëdhënësi i Vatikanit Matteo Bruni tha për Reuters se dëshira e Benediktit ishte që funerali të ishte i thjeshtë, solemn dhe i matur. Për këtë arësye, raportohet se ndryshe nga funeralet e tjera papale që kanë përfshirë krerët globalë të shteteve, në atë të Benediktit do të përfshiheshin vetëm delegatë nga Italia dhe Gjermania e tij vendase.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin
Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img